Vizita e Lulzim Bashës në Kosovë si dëshmi e ndryshimit!

Vizita e Lulzim Bashës në Kosovë si dëshmi e ndryshimit!

Nga Enver Bytyçi - 24/07/2020

Lulzim Basha me zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike kaloi dy sfida: E para të dëshmonte se kishte staturën dhe personalitetin e vet të ndryshëm nga themeluesi dhe lideri historik i Partisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Dhe e dyta, të përfaqësonte një filozofi dhe një strategji politike, morale, etike dhe profesionale krejt të kundërt me atë të kreut të mazhorancës, Edi Rama. Në të dy rastet përballja ishte me kryeministrin në detyrë. Në vitet e para të drejtimit të PD-së, atij iu desh të sfidojë fushatën propagandistike të zotit Rama, sipas të cilit "Partinë Demokratike nuk e drejtonte Basha, por Berisha"! Kjo lojë politike përfshiu gjithashtu protagonistë të diplomacisë europiane në Tiranë, si dhe emra të njohur të PD-së kundërshtarë të Bashës, të cilët u vunë në funksion të manovrave politike te Edi Ramës.

Por pas vitit 2017, kur në maj të atij viti Rama dhe Basha bënë marrëveshjen verbale, e cila dështoi për shkak të manipulimeve të paturpshme të kreut të Rilindjes, e gjitha bota shqiptare u rrotullua rreth asaj që Edi Rama ndërtoi në opinion, sipas të cilit "Unë nuk jam më i miri, por më të mirë se mua nuk ka"! D.m.th se Basha dhe Rama janë dy liderë politikë të ngjajshëm e për pasoje "rrotacioni është i panevojshëm"! Madje se "Rama është më i pranueshëm se Basha"!

Kjo taktikë dhe strategji politike e Edi Ramës filloi të çmontohej atëherë kur kreu i opozitës kuptoi se ngjashmëria me Ramën nuk e ndihmon atë të sjellë në pushtet të djathtën shqiptare. Ndaj dhe Basha refuzoi protestat e modelit Rama të 21 janarit 2011! Nëse do të ndodhte kjo, atëherë shqiptarët përfundimisht do t'i besonin propagandës së rilindjes për ngjashmërinë e kreut të opozitës me kreun e mazhorancës. Ky i fundit bëri gjithçka t’i provokojë manifestimet dhe protestat opozitare, me qëllim që të krijonte një 21 janar të dytë. Për ta demantuar këtë lloj propagande Lulzim Basha shpalosi në takimet me qytetarët një program konkret, pa sllogane mashtrimi si ato të kreut të Partisë Socialiste. Ndërkaq Kosova ishte stacioni i fundit, ku Lulzim Basha dëshmoi përfundimisht se është dhe mbetet krejt ndryshe, madje e kundërta e Edi Ramës.

Së pari ndryshimi u duk te gjithëpërfshirja. Zoti Basha i takoi të gjithë liderët politikë pa dalluar asnjërin prej tyre për shkak të pozicionit që ata kanë në spektrin politik. Ndërsa zoti Rama kur shkonte në Prishtinë si kryeministër nuk e takonte homologun e tij ne Kosovë, ndërkohë qe shijonte miqësinë personale të presidentit të Republikës.

Së dyti, Lulzim Basha në Prishtinë nuk dha asnjë shenjë dasie, nuk nxiti asnjë lloj konflikti midis politikanëve të Kosovës. Ai nuk përdori ndonjë fjalë fyese si Rama. Përkundrazi, me secilin prej tyre dha mesazhe specifike, por që në thelb bartin interesin kombëtar. Ndërsa Edi Rama që në vizitën e tij të parë e deri te ajo e fundit transmetoi energjinë e përçarjes dhe të dasive, pë etiketoi një pjesë të politikës me fjalë fyese dhe gjithçka ishte e programuar me qëllim që përmes ndarjes të realizonte qëllimet e tij antikombëtare e pro-serbe në Kosovë. Kur them e programuar kam parasysh faktin se asgjë nuk ndodh rastësisht në politikë.

Së treti, Lulzim Basha deklaroi me bindje logjikën e marrëdhënieve që do të ndërtojë si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë me Republikën e Kosovës. Bashkëpunim dhe mbështetje po, protagonizëm dhe paternalizëm jo! Ky përcaktim ishte krejt e kundërta e asaj çfarë ka predikuar dhe praktikuar kryeministri Rama në 7 vitet e qeverisjes së tij. Lulzim Basha në deklaratën e tij me kryeministrin e Kosoës, zotin Hoti, u zotua se vendimi i parë i qeverisë së tij do të jetë heqja e taksës në Rrugën e Kombit. Ky premtim shkon në dobi të bashkimit të vlerave, ndjenjave dhe resurseve të zhvillimit të të dy shteteve shqiptare! Kësisoj Lulzim Basha shpalosi gjatë kësaj vizite vizionin e tij për bashkëpunimin me Kosovën, ndërsa Edi Rama kishte prioritet bashkëpunimin me Serbinë me qëllim izolimin e Kosovës! Për pasojë mori vendimin e paimagjinueshëm që qytetarëve të Kosovës t'u vendosë në vend të vizave taksën e Rrugës së Kombit.

Së katërti, Edi Rama bëri plane dhe bisedime se si mund t'i tërhiqte eshtrat e Isa Boletinit nga fshati Boletin në Veri të Kosovës, me qëllim që këtë territor t'ia kthente Serbisë. Lulzim Basha, si një pasardhës i denjë i Isa Boletinit shkoi për vizitë te varri i tij në veri të Kosovës, madje duke dhënë simbolikën e puthjes së flamurit 108 vjeccar të Boletinëve.

Së pesti, kreu i opozitës shqiptare, si askush tjetër në politikën aktive shprehu vizionin e tij të qartë për dialogun me Serbinë dhe ritheksoi që asnjë marrëveshje nuk mund të ndryshojë e tjetërsojë kufijtë e Kosovës. Ky qëndrim bëri përshtypje te autoritetet e Kosovës aq shumë sa kryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani, kërkoi që të gjithë krerët e politikës shqiptare të kishin të njëjtin qëndrim të qartë e të pakonstestuar për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco