Dështimi i 'Grenell' nuk do të thotë fitore e 'Lajçak'

Dështimi i 'Grenell' nuk do të thotë fitore e 'Lajçak'

Nga Veton Surroi - 11/06/2020

Dështimi eventual i “procesit Grenell” nuk do të thotë fitore e “procesit Lajçak”

1. 

Për disa prej nesh që kemi kaluar disa procese negociatore të Kosovës- si dhe për disa prej të tjerëve që kanë kaluar procese të tjera negociatore në kriza të ndryshme - gjithnjë lind tundimi për ta identifikuar këtë moment në Kosovë si “diçka ngjashëm me vitin...” apo “diçka ngjashëm me ardhjen e .... në Kosovë”. Dhe, është e vërtetë që ndonëse çdo negociatë është e ndryshme prej tjetrës, çdo njëra ka disa ligjshmëri që e bëjnë dinamikën e një procesi të lexueshëm për vështruesit e jashtëm. Ky proces është përjashtim, për një arsye të thjeshtë, sepse nuk bëhet fjalë për një, por për dy procese.

Njëri proces negociator është ai i filluar që nga viti 2011, i ndërmjetësuar nga BE-ja e me autorizim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që sot merr formën e ndërmjetësimit të të dërguarit të veçantë evropian, M. Lajçak.

Tjetri është ai që identifikohet si “amerikan”, por që lidhet më shumë me të dërguarin e veçantë të presidentit amerikan, R.Grenell, sesa me diplomacinë tradicionale amerikane. Këto dy procese negociatore nuk janë në konvergjencë për nga mjetet, synimet dhe dinamika. Në atë “evropian” synohet që pas viteve të stagnimit, negociatat KosovëSerbi të ngrihen prej zgjidhjeve parciale në nivel të “marrëveshjes gjithëpërfshirëse” dhe që kjo të bëhet mundësisht deri në pjesën e parë të vitit 2021.

Në atë “amerikan”, ndërkaq, synohet një zgjidhje e shpejtë, para zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor të këtij viti e me synim të shprehur për njohje të ndërsjellë të dy shteteve. Kështu, këto negociata nuk kanë analogji në të kaluarën, e në masë të madhe as me procese të tjera negociatore në botë. I vetmi përjashtim ndoshta mund të jetë përpjekja e dështuar e kësaj administrate amerikane përfaqësuar nga dhëndri i presidentit që të arrihet një marrëveshje e njohjes së ndërsjellë mes Izraelit dhe Palestinës.

Marrëveshja e propozuar, dhe e pritur me shumë pompë, kishte të përfshirë në të në formë detaje copëtimin e mëtejmë të territorit të shtetit të ardhshëm të Palestinës, nuk ishte dakorduar me asnjërin prej partnerëve të “katërshes” që merret me këtë çështje BE-së, Rusisë dhe OKB-së - dhe përjetoi fiasko të atillë saqë nuk arriti ta tërheqë vëmendjen e kujt për më shumë se ditët e një jave. Një marrëveshje Kosovë-Serbi me këmbime territoriale mund të jetë një kopje e dobët e asaj që prodhoi dhëndri i presidentit amerikan. 

2.

Procesi “Grenell” ka kohë që është në zhvillim e sipër dhe tashmë ka treguar efektet e veta. Në aspektin përmbajtjesor është një proces, i cili fillon nga një pozicion tejet i varfër, siç ishte marrëveshja për një “letër qëllimesh” të një kompanie subsidiare të Lufthansës të fluturojë mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell është krejtësisht e parëndësishme krahasuar edhe me ato - jo shumë të rëndësishme të arritura në  dialogun e Brukselit e megjithatë u quajt “historike” në Shtëpinë e Bardhë. Por, në aspektin operacional, procesi “Grenell” u tregua jashtëzakonisht i fortë ngase arriti të ndikojë gjatë pandemisë në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës që kishte shumicën e votave shqiptare, duke ndikuar që në vend të saj të formohet një Qeveri me pakicë votash shqiptare dhe e varur nga Lista Serbe, forcë e kontrolluar nga presidenti i Serbisë.

Kjo Qeveri e re ndërmori si hap të vetin të parë heqjen e masave të reciprocitetit me Republikën e Serbisë. Nga aspekti  peracional, në “procesin Grenell” Kosova hyn me një Qeveri me më pak legjitimitet politik te popullata shumicë dhe me pozicion të vetëpranuar asimetrik karshi Serbisë, pra etidentifikohet si shtet, por jo i barabartë me Serbinë.

Ky proces ka edhe disa mangësi të theksuara strukturore. Është i lidhur në afat me fushatën zgjedhore të presidentit Trump, pra është proces që duhet të prodhojë çfarëdo marrëveshje që mund ta nënshkruajnë palët e që të shpallet si marrëveshje historike. Meqë presidenti amerikan tashmë e ka quajtur “historike” letrën e synimit që një kompani të mbajë fluturimin Prishtinë-Beograd, pragu i marrëveshjes eventuale “historike” mes Kosovës dhe Serbisë është i ulët. Kosova, si palë e dobët nga aspekti i legjitimitetit politik dhe me koncesione ende pa filluar negociatat, mund t’i nënshtrohet presionit që të nënshkruajë çfarëdo që në fushatën zgjedhore amerikane quhet “historike”.

Për më tepër, në këtë skemë do të hynte edhe interesi eventual i presidentit Thaçi, i cili ka shtyrë në formë dinamike me fushatë lobuese një skenar të tillë, që nëpërmjet të një “marrëveshjeje historike” të anulohej apo të zbutej barra e madhe e akuzave të mëdha për krim ndaj tij, në mesin e të cilave ato për hajni tingëllojnë si të rendit të dytë.

3. 

Sikur të ishin këto mangësi të pamjaftueshme, aty është edhe një me peshë të jashtëzakonshme: fjala është për një krizë që gjendet në kontinentin evropian dhe çfarëdo marrëveshje që të arrihet do të implementohet në kontinentin evropian. Administrata e tanishme amerikane është e zënë në një paradoks të brendshëm edhe me këtë rast: ajo kërkon që të largohet sa më shumë nga Evropa - dhe vendet e tjera të botës - por njëkohësisht po merret me një problem evropian, që si çdo problem tjetër evropian prej  uftës së Dytë Botërore e këtej, është në fakt problem Trans-atlantik, pra është problem thelbësor i sigurisë së përbashkët SHBA-Evropë.

As në rastin më të mirë nuk ekziston mundësi që të zgjidhet një problem mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë e që ky problem pastaj të mos bartet te Bashkimi Evropian dhe NATO për implementim të mëtejmë. Rrjedhimisht, nuk ekziston mundësi reale suksesi për një marrëveshje, pa pjesëmarrjen dhe ndërmjetësimin e BE-së në atë proces. Dhe, pra, rrjedhimisht, nuk mund të ketë sukses me dy procese paralele, atë “Grenell” dhe atë “Lajçak”, por do unifikim të tyre.

Negociatat në Rambouillet dhe ato në Vjenë nuk do të ishin të mundura e me epilogun që kishin po të mos ishin vepër e përbashkët SHBA-Evropë. Anasjelltas, negociatat e “lodhëta” të Brukselit që me ndihmën e H.Thaçit degjeneruan në dëmtim të shtetësisë së Kosovës, ishin të atilla edhe sepse u udhëhoqën pa pjesëmarrjen aktive e të nivelit të duhur diplomatik të SHBA-së. 

4

Procesi “Grenell” ka gjasa të prodhojë fare pak sukses negociator dhe, siç ka nisur, fare shumë polarizim të mëtejmë të shoqërisë kosovare. Kosova kështu do t’i shtohej listës së gjatë të polarizimeve me të cilat njihet kjo administratë, gjithandej botës dhe në vetë SHBA-në. Kjo megjithatë nuk e zgjidh problemin. Vendin e një udhëheqjeje të dobët amerikane nuk është se po e mbush një udhëheqje e mirë evropiane.

Dështimi eventual i “Grenellit” nuk do të thotë sukses i “Lajçakut”. Procesi “Lajçak” ende nuk ka filluar. Kurdo të fillojë do të marrë formën e rrathëve koncentrikë. Do të merren mendimet e Prishtinës e Beogradit, do të merren mendimet e kryeqyteteve të mëdha evropiane, do të merren mendimet e shteteve anëtare të BE-së, do të merret, detyrimisht, mendimi i Washingtonit. Prej atyre mendimeve do të gatuhet brumi i parë negociator që mund të shkojë duke u tëholluar për aq sa ka energji e interes negociator.

Në këtë pikë jemi sot. Në analogjitë eventuale negociatore, jemi në pikën kur po kornizohen negociatat eventuale. E këtillë çfarë është sot Kosova, ka gjasa që kjo fazë tejet e rëndësishme për të ardhmen, të kalojë pa një mendim të unifikuar. Apo edhe më keq, pa mendim fare.

*Titulli origjinal: Dy negociata me dy shpejtësi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco