Mungesa e rrjetës, për ekuilibristin e quajtur Kosovë

Mungesa e rrjetës, për ekuilibristin e quajtur Kosovë

Nga Veton Surroi - 15/05/2020

Si u bëmë bashkë me Danimarkën dhe Zelandën e Re?

1.

Prej dje në hartën krahasimtare https://www.endcoronavirus.org/ që e bëjnë shkencëtarët amerikanë, mes të tjerash edhe ata të Harvardit e MIT-it (Institutit Massachusets për Teknologji), Kosova doli në mesin e 32 vendeve në botë që po e fitojnë luftën kundër koronavirusit. Kështu hyri në vendet që do të analizohen këto ditë nga shkencëtarë shoqërorë, për të kuptuar psenë e një zhvillimi të këtillë. Dhe, kështu do të hyjë po ashtu në hamendësimet publike gjithandej botës për lidhjen mes shoqërisë(apo sistemit politik) dhe luftës së suksesshme apo jo kundër koronavirusit.

Në mesin e atyre 32 shteteve janë demokraci të avancuara dhe të pasura, si Australia, Sllovenia e Luksemburgu, por janë edhe diktatura, si Kina e Kuba, shtete në krizë të kahershme, si Libani, demokraci jo shumë të konsoliduara, si Tajlanda apo një shtet i papërfunduar së ndërtuari, si Kosova.

Prej disa javësh e muajsh shtrohet pyetja, çka i bën disa shtete të kenë rezultat ndaj koronavirusit për dallim prej të tjerave.

2.

Deri më sot janë zhvilluar disa narracione. I pari ishte se Kina ishte e suksesshme në luftë kundër koronavirusit, sepse është një diktaturë dhe mund të marrë masa të shpejta dhe energjike që kufizojnë liritë e të drejtat e njeriut, paralizojnë jetën publike e me këtë edhe koronavirusin. Për më tepër, një sistem i këtillë e nxjerr menjëherë ushtrinë në rrugë dhe, siç ndodhi në Wuhan, sa ora ndërton kapacitete të mjaftueshme mjekësore.

Pastaj doli modeli tjetër, se nuk ke nevojë të jesh diktaturë e ta mundësh koronavirusin. Ja ku është Koreja e Jugut, një demokraci, e cila mori hapa vendimtarë të menjëhershëm që ta ndjekë virusin në formë ofensive duke testuar sa më shumë njerëz.

Pastaj doli se demokracia nuk është e mjaftueshme. Koronavirusi u lajmërua pothuajse në të njëjtën kohë në Kore të Jugut, si dhe në SHBA, por Koreja e Jugut e ka mundur virusin, ndërsa SHBA-ja ka numrin më të madh të të infektuarve e të vdekurve në botë dhe ky numër nuk ka ende të ndalur.

Pastaj u analizuan demokracitë e konsoliduara: çka i bën të kenë sukses disa shtete, si Koreja e Jugut, Zelanda e Re apo vendi që merret si mostër e demokracisë në shkencat politike, Danimarka e jo disa si SHBA-ja?

Përgjigja, e cila jepet me lehtësi, është “besimi social”. Pra, një vend si Danimarka ka sukses në masat që i ndërmerr, sepse populli ka besim të plotë në sistemin në të cilin jeton, në institucionet e vendit, në qytetin dhe fshatin ku jeton, te fqinjët me të cilët jeton. Dhe, një shpjegim i këtillë shkon e shtrihet tutje në Zelandë të Re e Kore të Jugut, ku indikatorët si “kohezioni social” në çdo sondazh dalin të lartë.

Krahasuar me SHBA-në, mund të dalë kontrasti shumë i madh. Po, rreziku është shumë më i madh për një amerikan që potencialisht mbetet pa punë apo një amerikan që nuk është i bardhë krahasuar me një danez apo zelandez, çfarëdo të jetë ngjyra e tij e lëkurës. Por, si të shpjegohet atëherë Kosova vend i varfër, me demokraci zgjedhore, por me institucione shumë më të dobëta se Danimarka e Zelanda e Re?

3.

Nuk më duket që ekziston shpjegimi i thjeshtë. Më shumë është një bashkim kundërthëniesh, rrëfimesh që kundërshtohen mes vete, atij të Qeverisë dhe atij të besimit/mosbesimit në institucione.

Qeveria në detyrë ka të drejtë të mburret me rezultat. Është ballafaquar me krizën më të madhe botërore pas Luftës së Dytë Botërore, duke pasur vetëm katër-pesë javë përvojë në detyrë. Ka marrë vendime drastike dhe të shpejta në kohën kur në demokraci të avancuara, si SHBA-ja dhe Britania e Madhe ende hamendësohej rruga më tutje. Ka pasur në dispozicion kapacitetet më të vogla mjekësore për banor në Evropë dhe buxhetin më të vogël për banor në Evropë.

Për më tepër, vendi është ballafaquar me krizë politike e mocion mosbesimi në Parlament. Është ballafaquar me imponim të temave dytësore e tretësore (taksat me Serbinë) si çështje parësore. Ka përjetuar debat të kotë doktrinar (kush është më pro-amerikan). Ka përjetuar thirrje të drejtpërdrejtë të presidentit të vendit për insubordinim të forcave të sigurisë ndaj masave për luftimin e koronavirusit. Ka përjetuar përpjekje për votim të kontrabanduar për një Qeveri të re. Tash po pret që Gjykata Kushtetuese ta përcaktojë kahen e mëtejme të krizës politike.

Masat e Qeverisë për luftimin e koronavirusit, megjithatë, respektohen në masë të madhe. Në interpretimin e Qeverisë, kjo mund të jetë shenjë se qytetarët kanë besim ndaj Qeverisë. Dhe kjo mund të jetë në masë të madhe e vërtetë.

Por, është po ashtu e vërtetë se mu ndaj kësaj qeverie u shpreh mosbesimi në Parlament, madje nga dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Në interpretimin e forcave kundërshtare, mbështetur me këtë të dhënë të thjeshtë empirike, qytetarët nuk kanë besim ndaj kësaj qeverie.

Kemi bashkëjetesë të këtyre dy të vërtetave. Po, qytetarët i respektojnë vendimet e Qeverisë për luftën kundër koronavirusit. Dhe po, kjo qeveri nuk e gëzon më legjitimitetin e votës së qytetarëve.

4.

Receta e Kosovës vështirë se mund të jetë e njëjtë me Danimarkën e Zelandën e Re. Pra, një mocion mosbesimi, thirrje për insubordinim e përpjekje për të kontrabanduar zgjedhje të një qeverie të re nuk hyjnë në kategori të “besimit social” apo “kohezionit social”. Nuk ka gjë kohezive, kur në mes të pandemisë është zhvilluar luftë e rreptë politike për çështje të rëndësisë dytësore.

Por, ndoshta shkencëtarët socialë mu këtu mund ta gjejnë përgjigjen e një lloji tjetër të kohezionit social. Nëse ai danez e zelandez do ta kishin parashenjën pozitive (pra kohezioni pozitiv, i cili përbashkohet rreth vlerave që ndanë shoqëria) në rastin kosovar mund të flasim për një parashenjë negative.

Qytetarët kosovarë kanë krijuar kohezionin e tyre “negativ” (ta quajmë kushtimisht), sepse kanë dyshuar në kapacitetin institucional për ta menaxhuar një krizë të këtillë. Kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë është shëndetësia publike, kanë afër në përditshmëri shtetin e kapur, dinë se sa ka depërtuar feudalizmi partiak, klanor e regjional në strukturat publike. Dhe janë frikësuar për vete e familjet e tyre.

Sikur në bombardimet e vitit 1999 kanë ditur se nuk ka kush t’i mbrojë; se duhet të mbyllen në shtëpi e t’i ndihmojnë njëri-tjetrit. Kur këtij qytetari Qeveria i ka thënë rri në shtëpi, ia ka vërtetuar frikën dhe e ka qetësuar atë, sepse edhe Qeveria ka pranuar se nuk ka më shumë kapacitet për ta luftuar koronavirusin se me kaq.

Që të dytë, qytetari dhe Qeveria, kanë kuptuar se janë në situatën e gjimnastit në cirk që bën ekuilibrime në një tel 20 metra mbi tokë, duke ditur se nuk ka rrjet sigurie poshtë. Dhe se po u rrëzua ky ekuilibrist i quajtur Kosovë, nuk do të ketë kush ta mbrojë nga rënia.

Kur të dalim prej kësaj faze, ndoshta ky do të jetë mësimi më i vlefshëm./Marre nga KOHA.NET 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco