Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës

‘Dur’ Albin, ‘dur’

‘Dur’ Albin, ‘dur’

Nga Melihate Tërmkolli - 27/10/2019

Ende pa filluar detyrën e pretenduar të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti bëri dy deklarata krejtësisht të gabuara.

Nga takimi me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, ai deklaroi se “Republika e Shqipërisë nuk është për shkëmbim territorial “ dhe së dyti se “mini-Shengeni” ballkanik, Serbi-Shqipëri-Maqedonia e Veriut qenka ve? një ide pa ndonjë efekt dhe jo një projekt serioz.

Është e drejtë e secilit të takohet me kryeministrin e Shqipërisë apo me këdo qoftë por si kryeministër në ardhje i Kosovës, një takim mbi katër orësh, në terrin e natës, e denjë vetëm për majtistë anarkistë, në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, si bartës i idesë dhe projektit për shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë e që ishte arsye për një “distancë” bukur të gjatë mes tyre, është më tepër se shqetësues.

Nuk e tha Edi Rama se është kundër shkëmbimeve territoriale mes Kosovës e Serbisë. Po të ishte se Edi Rama paska hequr dorë nga ky projekt, u dasht të dalin që të dy para medieve dhe ai vetë, Edi Rama, ta deklarojë këtë në mënyrë decizive. Por kjo nuk ndodhi.

 Albini e “fshehu’ qëndrimin e Ramës, madje e “shfajësoi” atë.  Pse e bëri këtë, e di ai, por duhet t’ua shpjegojë edhe qytetarëve të Kosovës!

Nuk mund të quhet ky kurth i Edi Ramës për Albinin, sepse edhe ai dhe gjithë bota i ka të njohura qëndrimet dhe veprimet e Edi Ramës në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Janë të njohura po ashtu qëndrimet e Albin Kurtit.  Ekziston një rrezik i madh në këtë mes, që Albini i joshur nga “ëndrrat” për bashkim kombëtar të pranojë çmimin më të lartë në dëm të Kosovës, ndarjen e saj edhe përtej ideve aktuale për “korrigjim” të kufijve.

Me gjasë të gjithë “po harrojnë” se pretendimet e Serbisë shkojnë deri në Durrës. Takimi me shtetasin rus, mikun e Putinit, aktorin francez, Gerard Depardieu, e bën tablonë edhe më të plotë.  Mund të jetë krejt rastësi!

Së dyti, është për t’u habitur me çfarë lehtësie e kaloi Albini çështjen e “mini-Shengenit” ballkanik e cila nuk është e ndarë nga ajo e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës.

Përjashtimi i Kosovës dhe Malit të Zi në vend të përjashtimit të Serbisë nga kjo ide dhe iniciativë e mëhershme dhe pranimi i tendencave të vazhdueshme të Edi Ramës, se është ai që flet e merr vendime në emër edhe të Kosovës, e bënë Albinin një vasal ende pa filluar punën.

Për bashkim kombëtar flasim e bëjmë pas njohjes së Kosovës shtet i pavarur nga ana e Serbisë edhe nga të tjerët që ende nuk na kanë njohur.

Albini, si kryetar i LVV mund të takohet me kë të dojë dhe të shpërfaqë gjithë idetë e qëndrimet e tij politike. Si pretendent kryeministër i Kosovës, në këtë rast por edhe në raste tjera secili zyrtarë i lartë shtetëror bartë përgjegjësi për politika shtetërore.

Sa për kujtesë: Ramush Haradinaj u bë kryeministër i Kosovës nga koalicioni PAN duke qenë kundërshtar i madh i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Puna e parë që bëri si kryeministër ishte miratimi i kësaj marrëveshjeje! Projektet dhe punët e dëmshme për vendin nuk janë të tilla për shkak të emrave që i bartin ato projekte por për shkak të përmbajtjes së dëmshme që kanë për interesat e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco