Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Sa Ismail Kadare janë brenda Ismail Kadaresë?!

Sa Ismail Kadare janë brenda Ismail Kadaresë?!

Nga Anton Nikë Berisha - 29/07/2019

Petraq Kolevica,’Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje’.

Studim kritik.

Botim i ‘Marin Barletit’ të Tiranës

Libër i dëshmive dhe i provave të shumta

Çështja e quajtur Ismail Kadare dhe sistemi komunist zuri fill me kërkimin e strehimit (azilit) politik të tij në Francë dhe mbërriti një pikë të lartë me diskutimet që u bënë rreth poezisë së tij të pabotuar ‘Pashallarët e kuq’. Poezia në fjalë, bashkë me ‘Autokritikën’ (lexo pranimin e fajit, pendimin) e Ismailit për atë krijim, u nxorën nga Arkivi i shtetit dhe u bënë publike.

Një varg autorësh në punimet e tyre e trajtuan dukurinë në fjalë: me një anë Ismail Kadare vetë dhe përkrahësit e tij, të cilët mohojnë përkrahjen e tij dhënë sistemit dhe udhëheqësit komunist, Enver Hoxhës, dhe, më anë tjetër, autorët – studiues e shkrimtarë – të cilët, me poezi e me pjesë të veprave në prozë të Ismail Kadaresë, dëshmuan të kundërtën.

Fatbardhësisht, gjërat e shkruara – të nënshkruara nga Ismail Kadare – janë të fiksuara në shenja, në fjalë, dhe, si të tilla, të botuara një herë, mund të sillen në formën e tyre të plotë, të pandryshuara, dhe ta bindin lexuesin për të vërtetën e mirëfilltë, pa marrë parasysh se çka thotë Ismail Kadare.

Një autor që dëshmoi përkrahjen që i dha I. Kadareja sistemit komunist dhe diktatorit, Enver Hoxhës, është Petraq Kolevica me librin ‘Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje’, të botuar (më 2002) nga shtëpia botuese ‘Marin Barleti’ e Tiranës .

Autor i disa veprave letrare dhe përkthyes i disa vëllimeve nga gjuhë të ndryshme, Petraq Kolevica, për të dëshmuar konceptin komunist, që del në disa vepra letrare të Ismail Kadaresë, zgjodhi një rrugë sa të veçantë aq dhe të rëndësishme: në vend të analizimit e të interpretimit të mendimeve të Ismail Kadaresë, i mbushi faqet e librit me shembuj të shumtë nga veprat e tij të botuara, ku del qartazi platforma e ideologjisë së kuqe dhe përkrahja që shkrimtari Ismail Kadare i bëri atij sistemi.

Pra, Kolevica flet nëpërmjet shembujve dhe këtë e pohon në mënyrë të qartë: ‘Duke dashur të jem sa më objektiv, në të gjithë shkrimin, do të përpiqem të paraqes sa më shumë fakte dhe të bëj sa më pak komente, në mënyrë që t’i lë lexuesit të vëmendshëm e asnjanës t’i nxjerrë vetë përfundimet.’(f. 5)

Kolevica sjell me dhjetëra e dhjetëra shembuj nga poezi të ndryshme të Ismail Kadaresë, nga proza po dhe nga shkrime publicistike dhe kritike, të botuara në libra të veçantë ose në artikuj gjatë dhe pas diktaturës, para dhe pas kërkimit të strehimit politik në Francë.

Poezi të tëra për partinë e punës, për Stalinin e për Leninin

Qëllimi i Kolevicës, siç thashë, ishte t’i ofrojë lexuesit sa më shumë shembuj nga poezitë dhe nga veprat në prozë të Ismail Kadaresë, ku shihet drejtpërsëdrejti përfillja e sistemit komunist, përkrahja dhe adhurimi herë – herë i skajshëm deri në keqardhje, prandaj në librin e tij sjell citate nga poezitë dhe poemat e Ismailit si ‘Shekulli im’, ‘Poemë blindazh’, ‘Përse mendohen këto male’, ‘Te kështjella e Hamletit’, ‘Shqiponjat fluturojnë lartë’, ‘Vitet gjashtëdhjetë’, ‘Lenini’, ‘Buzëqeshja mbi botë’, ‘Në festën e brigadës’, ‘Kënga e ushtarit të vjetër’, ‘Toka kufitare’, ‘Qeni i kufirit’, ‘Antena’, ‘Ëndërr industriale’, ‘Lulemollët’, ‘S’lindëm ne princa’, ‘Perëndimi’ e nga ndonjë tjetër. Mirëpo, në librin e vet Kolevica botoi edhe poezi të tëra (të plota), të shkruara nga Ismaili, të cilat dëshmojnë në mënyrë të pamëdyshtë për bindjet komuniste të Ismailit, të cilat ai synoi t’i mohojë pa zgjedhur mjete e mënyra: dy poezi hymnizuese kushtuar Stalinit, me rastin e vdekjes ‘Lamtumira e fundit’ dhe ‘Pranvera dhe Stalini’ si dhe poezinë kushtuar partisë së punës ‘Partia ime’, ku poeti Ismail Kadare, pos të tjerash, thotë: ‘Atë, që dot s’ma jepte kush, / Partia ime, ti ma dhe’ ose ‘Me mijëra zemra që janë lidhur / Si enë komunikuese varg / Në dejt e mi me anë të tyre / seç rrjedh ky gjaku yt i madh’.

Të bindesh për qëndrimin e thellë komunist të Ismail Kadaresë e të lavdërimit që i bëri ideologjisë enveriste, ideologji që kushtëzoi zhveshjen e popullit shqiptar nga tiparet dhe virtytet më të rëndësishme të qenësisë së tij, duke i sjellë dëme të jashtëzakonshme botës sonë, mjafton të përmendet poema e tij ‘Vitet gjashtëdhjetë’, (‘Fener i komunizmit n’Evropë s’u shua’), në të cilën Kadareja këndon edhe për frymëzuesin e ideologjisë së kuqe:

 ‘Shoku Enver Hoxha mbështetur te dritarja

Vështronte pejsazhin e gjerë mbi dhe’.

 ‘Enver Hoxha vështronte zymtinë e maleve…

Ai nuk i hiqte sytë prej maleve të zbardhur

Dhe nuk mendonte se në flokët e tij

Gjithashtu ishin shtuar thinjat.

S’mendonte

Se malet e lartë

Thinjen kështu nëpër stuhi.’.

*

 ‘Përpara,

S’pyesnim për lodhje, për turne,

Djersa mbi këngët na binte në dhjetor.

Në bulevardin e madh

Kish dritë gjer vonë Komiteti Qendror’.

Ose nga ‘Shqiponjat fluturojnë lart’, ku poeti Kadare këndon me plot afsh e nderim:

 ‘Ditët tona

Do të marshonin me Partinë pa u ndalur

Drejt horizontesh të ndritura.’

Edhe ndalimin e fesë në Shqipëri, të bërë nga partia e punës, Ismail Kadareja e përcolli flakë për flakë me poezi e me punime të ndryshme dhe volli pa u kursyer kundër ‘klerit katolik reakcionar’, kundër Fishtës e veprës së tij madhore e autorëve të tjerë. Bashkë me barinjtë shpirtërorë, priftërinj e hoxhallarë, të cilët, sipas Ismajlit, të shurdhojnë veshët, duke bekuar gjakmarrjet, minaret dhe kumbonaret (sic!), Ismaili fut (radhit) në poezinë e vet edhe disa poetë, që, të përgjumur, ulërinë duke lavdëruar abstrakte gjenealogjike. Të parët (sipas Ismailit njerëz me veladonë të zezë si errësira kozmike) si dhe të dytët (poetët) duhet të dënohen ashtu si e meritojnë:

 ‘[…] Por turmat i mbytën njerëzit me veladona / Dhe poetët rebelë i shqyen me thonjë.’

Natyrisht, këto vargjet të Ismail Kadaresë ta ndalin frymën.

Ideologjinë enveriane, përkatësisht partishmërinë në një pjesë të veprës letrare të Ismail Kadaresë Kolevica e konkretizon edhe nëpërmjet romaneve: Dimri i madh (që është përpunim i botimit të parë, 1973, me titull Dimri i vetmisë së madhe sipas mësimeve të Plenumit IV të PPSH dhe të vëllimit të 19 të veprës së E. Hoxhës) dhe Dasma (roman i shkruar sipas ‘recetës së platformës komuniste’).

Për romanin Dimri i madh vetë Kadareja shkruan: ‘Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më të rëndësishme të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatiket, janë bazuar në materialet e vëllimit të 19 të veprave të shokut Enver,’ (‘Nëntori’, n. 9 / 1979, ribotuar në I. Kadare, Vepra letrare vëllimi 12, f. 329).

Mirëpo, edhe në romanin ‘Koncert në fund të dimrit’ e në ndonjë tjetër, mund të gjinden elemente të mbështetjes e të përligjjes së konceptit të luftës së klasave sipas ideologjisë së kuqe.

Zhveshje e ideologjisë së kuqe të Ismail Kadaresë

Në librin e Kolevicës ‘Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje’ është dhe pjesa ‘Ç’thoshte, ç’thotë, ç’thonë’, ku sillen mendime të ndryshme të shkrimtarit Kadare, të thëna gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe pas rënies së saj, për dukuritë e ndryshme të sistemit e të ideologjisë komuniste, për qëndrimin e tij ndaj sistemit përkatës, për librat e tij të shkruar gjatë këtij sundimi dhe mendime të autorëve të tjerë.

Kur i lexon, njërin pranë tjetrit, këto mendime krejtësisht të kundërta dhe kontradiktore (të të njëjtin person, të të njëjtit krijues që ka emrin Ismail Kadare), i cili deri më sot nuk ka hequr dorë publikisht prej tyre, atëherë çështja e parë që shtrohet është: sa Ismail Kadare janë mbrenda Ismail Kadaresë? A është kjo pasojë e ‘harresës’ së pazakonshme, e shprishjes shpirtërore ose diçka tjetër? Pra, cili është Ismail Kadareja i njëmendtë dhe cilit duhet t’i besojmë?

Për të konkretizuar këtë dukuri duhet shumë vend (në librin e Kolevicës zënë disa faqe). Këtu po sjell vetëm disa mendime të Ismailit të thëna në periudha të ndryshme:

 ‘Në Shqipërinë e pasçlirimit nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk ekziston institucioni i censurës, çka është në nderin e shtetit socialist’.

 ‘Tre ose katër nga librat e mi ishin të ndaluar për arsye politike’.

 ‘[…] gjysma e librave të mia kanë qenë të ndaluara’.

 ‘Nuk ka patur asnjë lexues shqiptar, me përjashtim të budallenjve, që të mos e dinin se një pjesë e veprës sime ishte e ndaluar ngaqë ishte gjykuar se ishte në një mënyrë ose në një tjetër kundër shtetit’.

 ‘Koha e socializmit në Shqipëri është koha e jashtëzakonshme e emancipimit më të madh që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar’.

 ‘Jam krenar që kurrë, asnjëherë, nuk e kam mbrojtur regjimin diktatorial këtu në Shqipëri. Nuk kam thënë se në Shqipëri ka jetë të lumtur.’

 ‘Me Partinë marshonin, pa u ndalur, drejt horizontesh të ndritura’.

 ‘Thyerja morale e popullsisë shqiptare në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës sfilitëse komuniste në Shqipëri […] ‘

 ‘Periudha e Pavarësisë, ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë ishte relativisht e shkurtër, kurse gjatë sundimit të egër komunist koncepti i shtetit u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme, të huaj e, në fund të fundit, të shpërlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar, që ishte partia komuniste’.

 ‘E kam takuar (Enver Hoxhën – v. ime) vetëm një herë: diktator i paskrupull’.

 ‘Kam pasur fatin ta takoj disa herë shokun Enver, në raste të ndryshme, në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancave të Kuvendit Popullor. Megjithëse të shkurtra ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, por veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me të në vitin 1971, në shtëpinë e tij’.

‘Ka qenë (Enver Hoxha – v. ime) një shkrimtar mesatar, shumica e veprave të të cilit kanë qenë pleh politik. Ndoshta për këtë ishte jashtëzakonisht xheloz’ dhe ‘Për fatin e zi të shkrimtarëve (Enver Hoxha – v. ime) ishte gjithashtu një gjysmë shkrimtari’.

 ‘Ky njeri (Enver Hoxha . v. ime) – të them të drejtën – merrte vesh nga letërsia. Kishte një shije letrare të hollë’.

Në artikullin e vet ‘Epika e themelimit të Shqipërisë’, që bën fjalë për veprën e Enver Hoxhës ‘Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re’, Ismail Kadare e vlerëson librin e udhëheqësit shpirtëror komunist deri në hymnizim: ‘Epikë të vërtetë, të pikturuar me një gamë të gjerë tonalitetesh, të cilat shkojnë nga nuancat e Rembrandit, tek penelatat e ashpra të Brygelit…Krahas stilit epik që u pështatet ngjarjeve në mënyrë të përsosur, kemi dhe një lirizëm të shkëlqyer, një humor, sarkazëm dhe ironi therëse’.

Mirëpo, Ismail Kadare mohon çdo gjë të kësaj natyre dhe shkruan për veten e vet: ‘Të afirmosh që unë isha një shkrimtar shumë i dashur i regjimit është spekulim i mirëfilltë’ (sic!).

Shkrimtari, Dritro Agolli, rreth mendimit të Ismailit se atij i ishin ndaluar librat dhe se nuk kishte shkruar vepra kushtuar regjimit dhe Enver Hoxhës, shkruan: ‘Ismailit asnjë libër s’i është ndaluar […] Unë nuk kam shkruar romane për Enver Hoxhën…Kadareja, për shembull, ka shkruar 600 faqe tek ‘Dimri i madh’. Ai ka 1200 faqe për Enverin’.

Shkrimtari tjetër, Fatos Arapi, vë në dukje diçka krejtësisht tjetër nga ajo që thotë Ismail Kadare në librat e tij pas kërkimit të strehimit politik në Francë për sistemin komunist dhe për politikën që mbretëronte atëherë në Shqipëri:

 ‘Në vitin 1968 I. Kadare boton ‘Motive me diell’ (T’u qepemi maleve, Dalja e shqiptarëve nga Traktati i Varshavës, Ti dhe nata – Fuat Çelës, Shqiponjat fluturojnë lart etj.), që e vunë Kadarenë ndër shkrimtarët më pranë partisë dhe grupit udhëheqës politik shqiptar. Tanimë ai nuk ishte vetëm autoritet letrar. Kushdo që lexon veprat e tij të fundit, ku rreket të shpjegojë jetën politike e artistike të vet, do ta gjejë përherë në shoqëri me Ramiz Alinë, Todi Lubonjën, Fadil Paçramin etj., pra të njerëzve politikë’.

Të jenë vallë këta dy krijues, të cilët bashkë me Ismail Kadarenë, bënin tre shkrimtarët më të shquar të të ashtuquajturit realizëm socialist, ‘budallenj’ (‘me përjashtim të budallenjve’, sipas Ismailit) që nuk e paskëshin kuptuar se vepra e tij qe e ndaluar?! Po nëse u shtohen këtyre dy shkrimtarëve (Agollit dhe Arapit) emrat e një varg shkrimtarëve e krijuesve të tjerë, që dëshmuan (nëpërmjet shembujve konkretë) se me disa vepra letrare Ismaili e përkrahu ideologjinë komuniste, atëherë edhe këta na qenkan ‘budallenj’!

Dhe, para të gjitha argumenteve e dëshmive të shumta, Ismail Kadare vazhdon të bëhet i shurdhër për veprimet dhe veprat e veta me ngjyrim komunist, po nuk nguron të flasë për të tjerët. Duke vepruar mbi bazën e parimit ‘Ma mbaj kopilin t’i them përpara tjertës kurvë’ ai flet për shkrimtarët, që kanë mbështetur regjimin komunist: ‘Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Po askush nuk i detyroi ta bënin këtë.’ (Nga libri ‘Kohë barbare’, f. 17)

Kjo, thënë me një eufemizëm të përvuajtur, është pikëlluese dhe për keqardhje.

Vetëlavdërime deri në paturpësi

Kolovica në veprën e tij konkretizoi edhe dukurinë e veçantë të Ismail Kadaresë: vetëlavdërimin dhe vetëhymnizimin si shkrimtar, edhe pse dihet se me vetëlavdërime: pështyn përpjetë e të bie syvet. Shkrimtari ynë harron atë që ka thënë shkrimtari i madh gjerman, Goethe: ‘Kush dëshiron të ruhet nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon; kush lakmon diçka më shumë se ajo çka zotëron, i janë errur sytë’.

Ismail Kadare nuk e sheh të tepërt ta vërë veten edhe brenda flamurit kombëtar, prandaj thotë për veten e vet: ‘Shqiptarët e kanë kuptuar që unë përfaqësoj këtu (në Francë – v. ime) kulturën e tyre, si të thuash një simbol më tepër mbi flamurin e Shqipërisë’. (sic!)

Edhe për rëndësinë dhe vlerat e veprës së vet letrare Kadare jep mendimet e veta, pra i vetëvlerëson, prandaj shkruan pa pikën e turpit:

 ‘[…] pa e tepruar aspak, mund t’ju them se vepra ime letrare ishte aq shumë e njohur saqë ishte bërë zotëruese në Shqipëri. Ndikimi i saj te lexuesi shqiptar ishte më i madh se i krejt letërsisë tjetër marrë së bashku’. (sic!)

Mjerisht Ismail Kadare nuk e thotë se në ç’kuptim dhe në çfarë rrafshi u bë ky ndikim, në cilën periudhë dhe me cilat vepra, me ato të llojit ‘Pse mendohen këto male’, ‘Vitet gjashtëdhjetë’, me ‘Dimrin e madh’, me Dasmën’ e të ngjashme?

Ismail Kadare vetëshpallet si ‘Shkrimtar i parë i vendit’, prandaj shkruan për vetveten:

 ‘Më 1975, për shkak të poemës ‘Pashallarët e kuq’ gjithë Shqipëria, e përsëris, gjithë Shqipëria […] e mori vesh se Shkrimtari i parë i vendit kishte shkruar një poemë armiqësore […] Pra publiku shqiptar e mori vesh qartë se midis shkrimtarit të parë të vendit dhe shtetit komunist ka një konflikt serioz’.

Ismaili pohon në këtë mënyrë për një poezi të pabotuar, siç ndodhi me ‘Pashallarët e kuq’, për të cilën na paskësh mësuar (pa u botuar) e gjithë Shqipëria (sic!). Pra, për ta përforcuar gënjeshtrën dhe turpin e vet Kadare e përsërit: ‘gjithë Shqipëria, e përsëris, gjithë Shqipëria’.

Ismail Kadare gjakon ta fusë minaren në thes, po ajo mjerisht nuk futet.

Vjershën e tij ‘Pashallarët e kuq’ në qenësi Kadare ia kushtoi udhëheqësit ideologjik, Enver Hoxhës. Mirëpo, duke dashur t’ia ndreqte në mënyrë të tepruar vetullat, ia kishte prekur sytë: diktatorit nuk i kishte pëlqyer theksimi i tepruar i ‘fuqisë’ së tij për të zgjidhur konfliktin me ‘pashallarët e kuq’, bashkëpunëtorë të tij politikë, që nuk i shkonin si duhet në linjën e përcaktuar ideologjike të pakurrizorëve. Dhe qëllimi i vjershës së pabotuar të Kadaresë për ‘pashallarët e kuq’, kishte ‘rrëshqitur’ për shkak të lavdërimit të tepruar! Edhe lexuesi më i zakonshëm, që e lexon këtë krijim të Ismailit nuk e ka të vështirë të përcaktojë qenësinë e mesazhit të Kadaresë (po jo dhe të mesazhit poetik; në të s’ka mesazh poetik; gjithë poezia është një deklaratë e menduar për të stërlavdëruar diktatorin Hoxha). Vallë, e kishte detyruar dikush Ismailin që ta shkruante ketë poezi patetike, që e hymnizonte diktatorin, apo ai me vullnetin e vet e kishte shkruar dhe e kishte dërguar ta botonte në një organ letrar, të mbikëqyrur rreptësisht nga regjimi, në ‘Drita’ – për të dëshmuar devotshmërinë përballë udhëheqësit komunist?

Sido që të jetë, kush e lexon këtë poezi të dërguar për botim nga vetë poeti Kadare dhe pastaj ‘Autokritikën’ e tij (ku ai mallkon ‘ndërgjegjen e tij më të zezë’ për poezinë ‘Pashallarët e kuq’, që e kishte shkruar) nuk mund të mos ndjejë keqardhje të thellë për autorin e saj. Ndoshta, kjo është pasojë, si do të thoshte Hemiguej: ‘[…] si e kanë tradhtuar një herë veten (shkrimratët – v, ime), zënë e përpiqen të justifikohen për atë që kanë bërë e atëherë, ajo që shkruajnë, katranoset edhe më keq’.

Ismail Kadaresë nuk i mjafton të vetëquhet ‘shkrimtar i parë i vendit’. Etja për vetëlavdërim dhe vetëshpallje ‘shkrimtar i parë i vendit’ e shpie deri në verbim dhe veten e quan ‘shkrimtar kombëtar’! Duke ‘luajtur me zjarr’, këtë e pohon kur bën fjalë pikërisht për poezinë ‘Pashallarët e kuq’ kushtuar udhëheqësit Hoxha, ku shkrimtari Kadare vetëshpallet ‘tradhtar’ duke shkruar: ‘Gjithë Shqipëria u traumatizua… (nga ajo që shkaktoi poezia ‘Pashallarët e kuq’ e pabotuar – v. ime). Njerëzit shfaqnin dyshimin sesi mund të shpallet tradhëtar një Shkrimtar kombëtar’ (Ose: ‘I jepja zemër vetes duke menduar se unë isha shkrimtar kombëtar’.).

Dihet se në historinë e derisotshme shqiptare Fishta qe shpallur nga të tjerët poet kombëtar për frymën kombëtare që e përshkonte veprën e tij fund e krye dhe për përjetësimin poetik që përmes saj i bëri botës shqiptare. Komunistët veprën e Fishtës e shpallën antikombëtare dhe reaksionare dhe e ndaluan në Shqipëri dhe në Kosovë së mësuari dhe së botuari për pesëdhjetë vjet! Nga më të zëshmit në këtë punë ishte Ismail Kadare. Ndoshta pikërisht në mohimin e Fishtës si poet kombëtar me një anë dhe vetëshpalljen e vetes si ‘shkrimtar kombëtar’ duhet kërkuar një nga arsyet kryesore për sulmin e Ismail Kadaresë ndaj Fishtës dhe shkrimtarëve të tjerë tanë madhorë.

Petraq Kolevica e mbyll librin e vet me një mendim të rëndësishëm të Ismail Kadaresë:

 ‘[…] është e detyrueshme që në jetën kulturore shqiptare të ndahet njëherë e përgjithmonë ç’është diktatoriale e pjellë direkte e totalitarizmit komunist, nga ajo që është shqiptare, e përjetshme, pjellë dhe sukses i kombit.’ (mendim i thënë në ‘Rlindja demokratike’, 18. 01. 1994).

Kolevica e zbaton dhe e konkretizon këtë mendim të Ismalit pikërisht me vëzhgimet e veprës së vetë Ismailit dhe në bazë të argumenteve e të dhënave të shumta dhe përfundon se Ismail Kadare ‘[…] ka pasur formim e besim të ndërgjegjshëm prej komunistit militant që arrin deri në fanatizëm dhe se në mënyrë të ndërgjegjshme i shërbeu me krijimtarinë e tij partisë komuniste, ideologgjisë së saj dhe veçanërisht diktatorit’.

Duke dashur ta shpreh në mënyrë të përmbledhur qenësinë e librit ‘Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje’ të Petraq Kolevicës, po sjell mendimin e Lasgush Poradecit, që i përgjigjet tërësisht qëllimit kryesor të këtij libri dhe rëndësinë që ka:

 ‘Kur marrim dhe analizojmë figura të shquara të historisë sonë, duhet t’u vemë në dukje të mirat, por duhet të shohim edhe të metat […]

Kështu formohet shpirti i Kombit…

Ne, kur vemë në dukje këto të meta, nuk kemi qejf të shajmë njërin e tjetrin, por duam të formohet e pastër ndërgjegjja e kombit, që asnjëri të mos ketë iluzionin se mund të quhet apo të vetëquhet patriot duke pasur njolla…Këtu s’duhet të falim[…]’

Në këtë rrjedhë libri i Kolevicës përligj një hap të rëndësishëm e qenësor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku21/08/2019 07:35

Vepër madhore e shkrimtarit Kolevica. Derri i fëlliqur i kënaqur, i cili përpiqet të veshë maskën me fytyrën e Sokratit të vuajtur (Migjeni i madh). Këtë vlerësim për kadaren e kam shprehur në kohën e enverit, në një tavolinë me një kritik të kadares (të dënuar keqas nga regjimi për kritikën e tij ndaj kadares), me një aktor të madh të humorit dhe një këngëtar. kadarja është një pleh i ndyrë që ka bërë krime kundër njerzimit, duke shkatërruar me internime familjen e djaloshit që guxoi të dashurrojë (pallojë) atë baxhellën që ka për vajzë (njëlloj si diktatori enver me Asllan Rusin e madh). kadarja kërkon me insistim të marrë çmim Nobel, nga ai komision i kuq, i cili i dha çmim edhe Obamës meqë nuk kish bërë asgjë por kishte qëllime paqësore (sa për këto qëllime, i kam edhe unë). Kjo sepse ai çmim shoqërohet me 1 milion dollarë, të cilat gjirokastriti i ka shumë për zemër. kadarja është një pleh turpi i kombit shqiptar. Vlerësimet më të ndritura për kadaren mund ti japë vetëm lenka çuko dhe eliza (mamica) spiropalla e Servantesit dhe Skënderbeut.

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco