Pse erdhi zoti Eliot Engel në Serbi dhe në Kosovë?

Pse erdhi zoti Eliot Engel në Serbi dhe në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi - 05/07/2019

Kryetari i Komitetit të Jashtëm, Eliot Engel, sot është në Prishtinë. Po sot ai ishte në Preshevë, ndërsa dje pati një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky turne faktmbledhës i zotit Engel vjen në një kohë shumë të vështirë për Kosovën, kur dialogu me Serbinë është bllokuar, kur marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit kanë pësuar një plasaritje, kur ende mbahet gjallë fantazma e ndarjes dhe rrënimit të shtetit të Kosovës, pra kur paqja dhe stabiliteti në rajon është e rrezikuar për shkak të politikave nacionaliste të Serbisë së Madhe. Por vizita e tij erdhi gjithashtu në një kohë kur, siç ai vetë përmendi, angazhimi amerikan në rajon është dobësuar, ndaj dhe kjo prezencë merr një domethënie të veçantë.

Eliot Engel në deklarimet e tij u dha përgjigje shumë enigmave, të cilat lidhen me të sotmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe vetë këtyre dy vendeve. Së pari, ai shkoi në Preshevë për t’u thënë shqiptarëve dhe liderëve të tyre atje se nuk duhet të besojnë në përrallën e Hashim Thaçit për bashkimin e Luginës me Kosovën. Ai e di se kjo është një përrallë e presidentit të Kosovës, e cila lidhet në spirancën e anijes së Beogradit. Prania e zotit Engel në Luginën e Preshevës ndoshta ishte sinjali më i qartë për të rivënë në vend disa çështje, të cilat treshja Vuçiq-Rama-Thaçi i kanë hapur për interesat e tyre të pushtetit në dy vitet e fundit. Së dyti, kryetari i Komitetit të Jashtëm i Kongresit Amerikan ishte në Beograd e në Prishtinë gjithashtu për të bërë të qartë se loja me kufijtë në Ballkan është një lojë e rrezikshme, e cila, siç i tha ai Radios Evropa e Lirë, ‘hap kutinë e pandorës’.

Eliot Engel e njeh Ballkanin. I njeh marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sidomos ato midis Kosovës dhe Serbisë. E njeh historinë e trishtë të konflikteve ballkanike, konflikte të cilat janë zhvilluar të gjitha për territore dhe janë shkaktuar nga i njëjti aktor që ka sponsorizuar ndarjen e Kosovës, Serbia dhe Beogradi. Të gjitha këto bëhen të qarta në deklarimet e tij. Dhe nga takimet e pohimet e zotit Engel mësojmë se ai është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Me siguri se politikani i madh amerikan ia ka bërë këtë të qartë zotit Vuçiq, po ashtu liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës të instrumentalizuar prej Thaçit, si dhe vetë autoriteteve të Prishtinës. Ky mund të shënohet si suksesi më i madh i turneut të zotit Engel ketë dy-tri ditë në rajonin tonë. Së treti, Eiot Engel bëri me dije se taksa e vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë Haradinaj të Kosovës është një akt normal, i justifikuar dhe nuk bën që kjo taksë të përdoret si alibi nga ana e Beogradit për të bllokuar procesin e dialogut midis dy shteteve. Asnjë personalitet tjetër i SHBA-ve dhe BE-së nuk ka dalë kaq hapur e me këto argumente në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për t’u mbrojtur nga proteksionizmi i Serbisë, lidhur me tregtinë midis dy vendeve.

Engel e bëri të qartë edhe në Beograd se qeveria serbe ka krijuar pengesa të palogjikshme për mallrat kosovare që hyjnë ose duhej të hynin në Serbi. Për pasojë taksa e vendosur nga qeveria e zotit Haradinaj ishte në përgjigje të këtij akti anti-kosovar të Serbisë. Nga ky konstatim i zotit Eliot Engel mund të shkojmë të deduksioni se formula e zgjidhjes së këtij konflikti që buron nga taksa mund e duhet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis dy vendeve, duke e pranuar njëri-tjetrin si shtete të pavarura. Së katërti dhe shumë e rëndësishme. Kreu i politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan erdhi dhe bëri me dije në Beograd se ‘Kosova është e pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë’. Duke theksuar këtë fakt ai vendosi kornizat e dialogut midis Prishtinës dhe. Te dialogu ai shikon perspektivën e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, për integrimet evropiane.

Dhe duke theksuar këtë fakt ai konsideron se efekti pozitiv i dialogut është në të njëjtën masë si për Serbinë edhe për Kosovën. Duke e lexuar qartë këtë formulim të arsyetuar, vijmë te mendimi logjik se nuk është e vërtetë ajo që presidenti i Kosovës ka predikuar prej gati dy vitesh, sipas të cilit ‘Kosova është e detyruar që të bëjë lëshime të dhimbshme në dialogun e saj me Serbinë në emër të ardhmërisë së saj’. Në të vërtetë, së paku po aq sa Kosova, edhe Serbia ka nevojë për këtë marrëveshje në emër të integrimeve evropiane. Formula, sipas së cilës ‘Beogradi dhe Serbia duhet të pajtohen me faktin se Kosova është dhe do të jetë e pavarur’, të cilën Eliot Engel e lansoi në Beograd, në Preshevë e në Prishtinë, është mesazhi më i rëndësishëm i kësaj vizite. Dhe kësaj formule ai i shtoi kërkesën që Beogradi të njohë përgjegjësinë e tij për tragjedinë që ka shkaktuar në Kosovë para 20 vitesh. Por jo vetëm kaq.

Me rëndësi është se kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme në Kongres, zoti Engel, ka mbledhur fakte e të dhëna, ka marrë opinionet e duhuara dhe të gjitha këto do t’i çojë zyrtarisht te administrata e zotit Trump. Në kushtet kur kjo administratë çështjen e konfliktit dhe dialogut Kosovë-Serbi e ka të dorës së dytë, siç shprehet vetë ai, ky raport i zotit Engel merr një rëndësi të veçantë për mbështetjen e këtij dialogu nga ana e administratës amerikane. Prandaj roli i tij nuk kufizohet vetëm te mbledhja e fakteve, por edhe te rekomandimet që ai do të japë për zgjidhjen e këtij konflikti dhe vazhdimin e dialogut. Duhet theksuar se kjo vizitë bëhet në kushtet kur vetë udhëheqësit e Beogradit kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh të SHBA-ve në dialogun e tyre me Prishtinën. Dhe së fundi, kreu i diplomacisë parlamentare amerikane merr pjesë në përurimin e godinës së ambasadës amerikane në Prishtinë, sinjal ky, që dëshmon faktin se për SHBA-të Kosova është dhe do të jetë një shtet sovran dhe i pavarur. Për të gjitha këto mesazhe dhe arsye shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri e kudo gjetkë duhet t’i jenë mirënjohës zotit Eliot Engel dhe SHBA-ve, sepse pa mbështetjen e tyre nuk do të ishte e mundur pavarësia e vendit dhe nuk do të ruhej aq lehtë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, sidomos në kushtet kur vetë presidenti i saj punon ethshëm në forma të ndryshme në favor të Serbisë së Madhe dhe për ndarjen e Kosovës!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco