Hashim Thaçi në rolin e çakallit sipas skenarit serb të Beogradit!

Hashim Thaçi në rolin e çakallit sipas skenarit serb të Beogradit!

Nga Enver Bytyçi - 21/05/2019

Mbëmë Hashim Thaçi ishte i ftuar në Top Kanal. Dukej qartë se kishte shkuar me porosi të veçantë nën kujdesin e Edi Ramës dhe Ben Blushit, me qëllim që të ishte i lirë të sulmonte, pa patur nevojë të mbrohej. Tabela e sulmit të tij ishte Sali Berisha.

Në fakt gjendej në gjendje shoku për dështimin e tezës së tij të ndarjes së Kosovës. As mbrëmë nuk u tërhoq, pavarësisht se në Berlin u largua me bisht nën shalë. Vazhdon të sulmojë Gjermaninë dhe Angela Merkel, si dhe këdo tjetër që e pengon në përpjekjet e tij për krijimin e Serbisë së Madhe. Madje tha se në Paris do të shkojë më 1 korrik me formulën e njohur të korrigjimit të kufijve. "Askush nuk ma mohon këtë të drejtë", tha presidenti i Kosovës!

Por nuk dua të ndalem në çdo detaj të megallomanisë së Hashim Thaçit në intervistat që jep. E mira është se ai na dëshmon vetë se kush është dhe nuk ka nevojë për ta kundërshtuar në koncepte, projekte dhe idetë e tij proserbe. Hashim Thaçi qëndron stoik në krah të Vuçiqit dhe Serbisë e kundër interesave të Kosovës!

Ajo që më bëri përshtypje në paraqitjen e mbrëmshme ka të bëjë me faktin se i gjithë diskursi i Hashim Thaçit ishte i skanarizuar, i porositur, madje i makiazhuar dhe menaxhuar sipas modelit të psikologjisë ortodokse serbe. Gjithçka që ai tha mbrëmë, sidomos sulmet e shpifjet ndaj liderit demokrat, Sali Berisha, ishte e gatuar dhe e porositur në Beograd.

Regjizura kishte ngjyrën e kishës dhe akademisë së rrenave të Beogradit. Shkolla politike e aplikuar në këtë diskurs ishte e universitetit të Beogradit dhe qarqeve akademike nacionaliste të Serbisë.

Skema ishte ndërtuar nën kujdesin e Stanishiqit të Kosovës dhe Dushan Mugoshës së Tiranës.

Top Kanali ishte thjesht përcjellësi i një shou të grimuar me shumë kujdes. Pyetjet e gazetarëve ishin të parapërgatitura po në Beograd, sepse askush nuk e pyeti Hashim Thaçin se si qëndron e vërteta për akuzat që i janë bërë për vrasjen e Ali Ukës më 1997! Askush nuk i tha atij pse në qershor 1999 e ndaloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të çlironte veriun e Mitrovicës dhe në vend që rojet serbe, urën ta kontrollonte UÇK! A ishte ky akt i tij preludi I projektit të ndarjes së Kosovës, të cilin e propagndon sot?!

Askush nuk kujtohet ta pyesë e t'i kërkojë shpjegim pse vuri veton në Rambuje dhe marrëveshjen e nënshkroi tri javë me vonesë! A ishte kjo një taktikë e orientuar nga shërbimet antishqiptare që t'i jepej kohë Milosheviçit të përgtiste operacionin "Patkoi" për ekzekutimin dhe dëbimin e shqiptarëve?!

Askush nuk i kërkoi Hashim Thaçit të japë një përgjigje se si qëndron e vërteta me lidhjet e tij më shërbimin sekret francez!

Nuk u pyet pse pesë herë radhazi u premtoi qytetarëve të Kosovës afate për liberalizimin e vizave dhe pesë herë i mashtroi ata pa kurrëfarë droje! Dhe nuk kërkoi njeri sqarim nëse është mashtrim ose jo "marrëveshja" e famshme e tij me presidentin e Malit të Zi, me të cilën u premtoi institucioneve të Kosovës se do të rishikohej dhe korrigjohej marrëveshja për demarkacionin, e nënshkruar prej tij!

Nuk u pyet gjithashtu ai pse urdhëroi t'i vendosë bombën eskortës së Ibrahim Rugovës! Pse e kërcënoi gjatë luftës dhe pas luftës me jetë atë dhe pse në mënyrë të përsëritur e akuzoi për tradhëti! Nuk i kujtoi askush se në të tilla kushte a është hipokrizi dhe a përpiqet të fshehë krimin antiRugovë me përuljet e tij para varrit të Presidentit historik të Kosovës!

Ka plot akuza të tjera publike për vrasje dhe krime kundër shqiptarëve, për të cilat Hashim Thaçi do të japë llogari në Gjykatën Speciale në Hagë. Kjo gjykatë u ngrit pas akuzave të Dick Mary-it. Aso kohe, më 2011-ën, Hashimi qe betuar se me Dick Marty do të ballafaqohej në gjyq ndërkombëtar, se do ta padiste atë. Por u tërhoq me bisht nën shalë. Dhe mbrëmë do të duhej një nga anëtarët e panelit pa pyeste se pse ndodhi kjo, pse u tërhoq ai që sot bën si çakall kundër të gjithë atyre që kundërshtojnë idenë e tij të çmendur për t'i dhënë territore Serbisë në këmbim të paqes, sikur paqen ta kenë cënuar shqiptarët e jo serbët!

Përmenda sjelljen e tij antiRugovë, sepse ajo sjellje ishte bazuar në shpifje dhe denigrime, e tillë siç është dhe sjellja e Hashim Thaçit sot përballë Sali Berishës. Vesi i Hashimit është i njëjtë me vesin e Edi Ramës. Kur ndjehen të rrezikuar bëjnë rolin e çakallit! Eshtë ky gjithashtu një rol serbësh!

Si çakall u soll mbrëmë në emisionin Open të Top Kanalit, duke sulmuar atë që ka meritë të padiskutueshme për mbrojtjen e territorit të Kosovës, pra Sali Berishën!

Si çakall sillet prej muajsh kundër Angela Merkel, për të njëjtën arësye, pse ajo mbron integritetin e Kosovës!

U përpoq para disa ditësh të hedhë një shashkë kundër Ilir Metës, po për të njëjtën arësye. Ndërsa Ramush Haradinajn vjen dhe e sulmon nga Tirana, sepse në Prishtinë nuk ia mban. Kryeministri i Kosovës thotë se Hashimin e "ka vëlla"! Por ky vëllai me emrin Hashim Thaçi sillet shumë më ngrohtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, sesa me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn!

Këto janë paradokset e egos së presidentit të Kosovës me emrin Hashim Thaçi! Si rezultat i kësaj egoje ai jo vetëm nuk heq dorë nga ideja e rrezikshme e ndarjes së Kosovës, por ka vënë në fronte lufte politikën shqiptare në Kosovë e në Tiranë, madje dhe në Maqedoni.

Me sjelljen dhe idetë e tij të rrezikshme po e përçan faktorin shqiptar, duke realizuar një prej skenarëve më ogurzi të laboratorëve që prodhojnë antishqiptarizëm në Beograd! Eshtë mirë që dikush t'i thotë Hashim Thaçit se këto sjellje të tij nuk i mban as varri i Hasan Prishtinës, as varri i Ibrahim Rugovës! Ndërsa shpirti i Nënë Terezës rënkon!

Eshtë mirë që dikush t'i thotë Hashim Thaçit se kanë ndodhur kompromise me efekt të përkohshëm, të cilat janë klasifikuar si tradhëti ndaj atdheut, por nuk kanë ndodhur asnjëherë, as në rastin e Esat Pashë Toptanit, kompromise me efekt negativ të përhershëm, siç ndodh me iniciativën tënde të ndryshimit të kufijve!

Sa kohë që presidenti i Kosovës do të sulmojë nga pozitat e Beogradit të gjithë ata që e mbrojnë Kosovën dhe integritetin e saj, aq kohë e aq më shumë ai zhytet në llumin e tradhëtisë ndaj atdheut, në vend që të reflektojë dhe kërkojë ndjesë për dëmin e madh që ka shkaktuar edhe me kaq sa ka bërë në shërbim të Serbisë së Madhe!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco