Të përbashkuar….rreth 'Ushkurit'

Të përbashkuar….rreth 'Ushkurit'

- 07/02/2019

Sot u protestua, por deri sot sa shumë kemi heshtur. Rasti i Drenasit, është vetëm një pikë në ujin e turbullt të frustrimeve dhe abuzimeve në Kosovë.

Përdhunime, inceste, shantazhe, janë refren jo rrallë edhe institucional.

 Nën zë flitet shpesh, në opinion shumica nuk bëzajnë kurrë. As viktimat. Kujt t’i drejtohen?

Policit që ua shton gjëmën, hetuesit që i abuzon sërish apo gjyqtarit që amniston dhunuesit….Në këtë vend, edhe ajka e shoqërisë kërkon favore seksuale në këmbim të një note!

Femra kosovare rëndom shihet si objekt seksual. Kudo ndodh kështu. Në autobus, në rrugë, në sheshe, në zyra, në parti, në institucione.

Dy dekada pas luftës, shoqëria rezulton të jetë tepër e frustruar, ndërsa përkujdesi social, psikologjik, njerëzor është minimal.

Në një farë mënyre, një pajtim pa zhurmë, egziston në mesin tonë, prandaj drama vazhdon.

Herë një episod familjar apo shkollor, shembujt shtohen, mbushin formularët e policisë. Dhe kaq! Ndëshkimi qesharak, trimëron abuzuesit e frikëson viktimat.

Nganjëherë, harrojmë se viktima e radhës mund të jetë motra, nëna, gruaja, personi më i dashur.

Kjo heshtje është vrastare dhe e rëndon peshën e fajit. Institucionet pa dyshim mbajnë përgjegjësinë kryesore, për neglizhimin, mbulimin, shfajësimin e krimeve seksuale.

Megjithatë as shoqëria nuk duhet ta ulë kokën. Një protestë, nuk mjafton. Është thjesht, një shkëndijë, që shuhet brenda pak orëve.

Po çfarë bëjnë dhjetëra organizata që gjithë vitin thithin fonde të shumta për të drejtat e grave, për barazi gjinore dhe denoncim të ngacmimeve?!

Një tjetër sfidë është edukimi i mangët, e mbi të gjitha, edukimi seksual në shkolla.

Është çështje emergjente, por jo vetëm kjo. Rekrutimi dhe mbikqyrja e stafit arsimor duhet të ndryshojë, sepse kështu si veprohet deri tash, të papërgjegjshmit do të na i ç’edukojnë fëmijët.

Mbi të gjitha, burimi i këtij turpi të Kosovës, është pushteti.

Njerëzit në pozita, qoftë edhe një mësues që udhëheq klasën, një polic që drejton hetimin, një zyrtar në krye të kompanisë, një ministër apo deputet që përfaqëson popullin, e shpërdorojnë rregullisht fuqinë shtetërore.

Askush nuk reagon dhe të gjithë e futin kokën në zall si struci. Sa abuzimi seksual ndodh në zyrat e shtetit?!

Sa favoret seksuale kërkohen dhe ofrohen në këmbim të një vendi pune, pozicioni më të mirë?!

Nëse nuk e pranojmë realitetin, nuk mund ta ndryshojmë gjëndjen. Dënimet ndaj krimeve seksuale, duhet të ashpërsohen dhe shteti duhet të hartojë strategji e të ndajë fonde të konsiderueshme, për vetëdijësim, edukim e mbrojtje të viktimave.

Një femër e abuzuar seksualisht, te ne – mos ta fshehim- shihet si e përdalë! Pa ndryshuar këtë mentalitet, protestat nuk pinë ujë.

Burrat abuzivë janë problemi, gratë e guximshme janë zgjidhja.

Mos heshtni! Denonconi! Por shteti të jetë aty për të ndëshkuar krimin e jo për ta ridhunuar viktimën, siç ka ndodhur deri tani!

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco