Festa e hajdutëve

Festa e hajdutëve

Nga SyriKosova - 31/12/2018

Ky ndërrim motesh, na lë një shije të hidhur. Shumicës së paku. Të tjerët, kanë një arsye të festojnë e të gëzohen, të pinë e të hallakaten deri në mëngjes.

Edhe një vit shkoi me vjedhje të suksesshme. Duron ky popull, sepse është mësuar. I kalitur prej dekadash, i ka bërë ballë regjimit, pa e ngritur kokën.

Të izoluar e të nëpërkëmbur, të shkelur e të injoruar, rrëshqasim drejt një viti tjetër.

Me hajdutët e njëjtë mbi krye. Arroganca e pushtetit, na është bërë normale gjithandej. Nga zyra më modeste, te kupola e Republikës, shteti të godet ashpër.

Anarkia, është thelluar në 2018-n. Pasiguria është më e madhe se asnjëherë tjetër. Kur ke një qeveri hajnash, hajdutët bëjnë festë.

Qeveritarët zhvasin hapur, presidenti bën pazare me territorin, deputetët trashin gushën mbi kurrizin e taksapaguesve të varfër.

Për oligarkët, edhe një vit i hareshëm. Për të rëndomtët qytetarë, edhe një vit për t’u harruar. Sa pak duan të jetojnë në këtë vend, në këtë mënyrë. Dhe nuk kanë faj.

Shkollimi është katastrofal, shëndetësia skandaloze, punë gjen vetëm po pate lidhje. Mijëra të rinj enden me diploma në xhep që nuk kanë kurrfarë vlere.

Pushteti mburret se po e bën Kosovën fushë me lule, por hallexhinjtë po shohin veç ferra e gjemba. Biznesi i ndershëm mezi mbijeton.

Hajnat i kanë piketuar tashmë edhe kompanitë, si bankat e supermarketet.

Si për ironi të fatit, qeveria sikur po konkurron hajdutët. Sa më tepër shtohen grabitjet, aq më shumë ndërrohen ministrat e brendshëm.

Secili më qesharak se tjetri! Kjo është vetëm njëra prej vjedhjeve që mundëson pushteti i hajnave.

Mbi të gjitha, kjo qeveri na ka vjedhur shpresën. Gati dy dekada pas luftës, kemi pritur të paktën një qeverisje normale, liderë normalë, jetë normale.

Asgjë nuk i afrohet këtij standarti në këtë vend të lënë pas dore.

Sidoqoftë, në natën e ndërrimit të viteve, mund ta ngrejmë një dolli për një vit kthese.

Festa duhej të ishte e jona, por sivjet na e morën ata. Hajdutët!  Gëzuar 2019!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco