Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Pse Edi Rama është tërbuar me RAI 3?

Kosova duhet dhe do ta ketë ushtrinë e saj

Kosova duhet dhe do ta ketë ushtrinë e saj

Nga Bled Komini - 13/12/2018

Jemi pak ditë përpara se Kuvendi i Kosovës të miratojë projektligjin për kthimin e FSK në Ushtri të Kosovës. Sigurisht që është një ngjarje historike, ashtu siç qe edhe pavarësia e fituar me gjakun e dëshmorëve dhe me mbështetjen e aleatëve. Ndoshta pas pavarësisë kjo është një ndër ato ngjarje që do mbesin në histori, jo vetëm se zgjerojnë pavarësinë e Kosovës si shtet që menaxhon të gjithë potencialin e vet, sidomos mbi ato elemente që më parë nuk i zotëronte, por se shënon një erë të re, atë të hapjes rrugë për t’u përfshirë më pas në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Ndoshta kjo e fundit është dhe arsyeja kryesore që Serbia ka intensifikuar sulmet e veta, përmes një propaganda intensive, kundër konstituimit të Ushtrisë së Kosovës dhe më pas anëtarësimit të saj në NATO. Karshi kësaj lufte, që ashtu si në rastin tjetër atë të Maqedonisë, Serbia kërkon që të mos dështojë, por duhet thënë, se që në gjenezë lufta është e humbur për Beogradin.

Përkundër disa deklaratave “frenuese” që më tepër mund të duken si lobim, ose si lojë kungulleshkash prej Beogradit, askush s’mund ta ndali formimin e ushtrisë së Kosovës. Dëshira e popullit shqiptar në Kosovë ka qenë e kahershme për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe asaj Atlantike. Për asnjë çast, që nga Rambujeja e gjer me fitimin e pavarësisë, por dhe sidomos pas saj, Kosova nuk e ka vënë në dyshim të ardhmen e vet.

Të gjitha elementet e përdorura prej Serbisë, ashtu si dhe prej Listës Serbe në Kosovë, nuk rezultuan efikas. Largimi i serbëve prej FSK, për ta kthyer atë në një “tabor” shqiptar, nuk dëmtoi aspak Prishtinën, por vet serbët që jetojnë në Kosovë. Zgjerimi i FSK në ushtri, do ishte një mundësi e mirë punësimi për serbët që në kushtet e reja të pas vitit 1999, ndjejnë se çdo ditë e më tepër mbështetja (privilegjet) e tyre prej Beogradit vjen dhe zvogëlohet.

Në një situatë të ngjashme kohë më parë, kur në rendin e ditës të liderëve botëror shtrohej çështja e Kosovës, disa ditë para takimit të mbajtur në Rambuje (6 shkurt 1999), Sekretarja e Shtetit asokohe, zonja Medlin Ollbrajt, teksa pyetej për pavarësinë e Kosovës, deklaronte se “Ne nuk i kërkojmë atyre njerëzve të heqin dorë nga ëndërrat e tyre”.

Realisht, Ushtria e Kosovës përbën një ndër ëndërrat e mëdha të çdo shqiptari. Kjo është ndër ato ëndërra për të cilën dhanë jetën shumë shqiptarë. Një ëndërr e vjetër, e cila sot po bëhet realitet, me apo pa dëshirën e Beogradit dhe garantuesja më e madhe e saj mbetet prej dekadash SHBA-ja. Kjo e fundit ashtu si dhe aleatët evropianë, e kanë mbështetur Kosovën në momente të vështira dhe në ditë të mira. E sot, në kohë të qeta, ata janë edhe më afër duke e ndihmuar Kosovën që të hedhi hapat e veta drejta pavarësisë totale administrative dhe menaxhimit të sovranitetit.

Ka ardhur dita që Kosova të dëshmojë se është shtet që di të menaxhojë kapacitetet e veta, që ka aftësi organizative, ligjzbatuese, mbrojtëse dhe vetqeverisëse të plota. Të gjitha këto shihen negativisht nga Beogradi, madje edhe në kohën e Millosheviçit shqiptarët e Kosovës quheshin popull i paaftë për t’u organizuar e vetqeverisur. Teza këto të hedhura prej shekujsh prej fqinjëve tanë, se gjoja shqiptarët nuk dijnë të ndërtojnë shtet. Fatkeqësia e fqinjëve tanë është se janë po ata që nuk i kanë lënë shqiptarët të ndërtojnë shtet ndër vite.

Sidoqoftë, pas mëse një shekulli ndarje, situata për shqiptarët në Ballkan është mëse e favorshme. Ata kanë dy shtete të tyre të pavarur. Kanë institucionet e veta dhe sigurisht që do lobojnë bashkërisht për të ngritur zërin dhe fuqizuar shqiptarët kudo ku janë. Por, së shpejti krahas Shqipërisë, në NATO do të jetë edhe Kosova. Hapi i parë është hedhur, dhe më datë 14 dhjetor pritet miratimi i projektligjit për Ushtrinë e Kosovës.

Duke qenë se ky është hapi i parë, për këtë arsye Serbia po mundohet të ushtroj presion ndërkombëtarisht ndaj shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta mbështesin Beogradin, si dhe ndaj vendeve të tjera, duke deklaruar se Serbia nuk i shmanget përdorimit (nëse do jetë e domosdoshme) të forcës ushtarake.

Këto deklarata jo vetëm duhen parë si kërcënim prej Serbisë, por edhe si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Tashmë janë mbi 110 shtete që e kanë njohur Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe ky është një fakt i pakontestueshëm. Ndërmjet këtyre shteteve janë pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe atyre evropiano-perëndimore, kështu që Beogradi sado të mundohet nuk ka për të përfituar asgjë tjetër, veç izolimit të vetes dhe afrimit më tepër me Rusinë.

Vet Beogradi ka deklaruar se nuk kërkon të anëtarësohet në NATO, por dëshiron të mbes një vend neutral. Por nga ana tjetër, pjesën më të madhe të marrëdhënieve ushtarake si dhe blerjen e armatimeve e bën me Rusinë. Prej kohë është akuzuar gjithashtu se në Nish mban një mision sekret ushtarak rus, të kamufluar si mision civil.

Njëherë e mirë Beogradi duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ndryshe nga ky i fundit, rruga e shqiptarëve nuk është Rusia, por Bashkimi Evropian dhe partneriteti atlantikoverior.

Kosova do ta ketë ushtrinë e saj, kjo ka marrë rrugë dhe është e pandalshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco