Lajmi i fundit

Zhvillimet në PL, reagon Kryemadhi: Çdo tentativë imponuese përjashtuese është ...

Kë përfaqëson zoti Stoltenberg?

Kë përfaqëson zoti Stoltenberg?

Nga Bled Komini - 10/12/2018

Kë përfaqëson Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg? Kjo është pyetja të cilën ja drejtoj vetes prej disa ditësh. Nuk ka të bëj aspak me personin, por me funksionin që ai mban dhe me një deklaratë të ashpër të tij në lidhje me Kosovën, si përfaqësuesi zyrtar më i lartë i Aleancës së Atlantikut Verior.

Në përfundim të një takimi me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, J. Stoltenberg deklaroi se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”. Pikërisht kjo deklaratë e tij ishte ajo e cila shkaktoi një kaos këto ditë, duke qenë se më 14 dhjetor parlamenti i Prishtinës do të votojë Projektligjin që kthen FSK në ushtri të rregullt të Kosovës.

Teksa e lexon këtë deklaratë, reminishenca e Millosheviçit të vjen e freskët dhe të sjell ndërmend gjenocidin serb ndaj Kosovës, ku vet NATO ndërhyri për të sjell paqen dhe për t’i dhënë lirinë një populli të vuajtur, dhunuar dhe vrarë në mënyrën më barbare prej kasapit të Ballkanit. Jashtë kësaj kornizë kjo deklaratë nuk merr kuptim, sepse nuk ka as sesi të kuptohet ndryshe që një vend i shtypur për dekada të tëra si Kosova, të mos ketë të drejtën për t’u mbrojtur tash pas 10 vitesh pavarësi.

Për çfarë ndërhyri NATO në Kosovë? Që ajo të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë për dekada të tëra? Apo që t’i kthej pavarësinë një vendi që ndodhet në zemër të Evropës?!

Për ironi të kësaj deklarate po atë ditë, Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç pat deklaruar se Serbia ka kryer investime të mëdha në ushtri, dhe nëse përdorimi i saj i paraqitet si opsion në tavolinë për ta përdorur kundër Kosovës, ajo do ta marri në konsideratë. Kjo kakofoni deklaratash jo vetëm që tregoi se NATO është e paqartë për të ardhmen e Kosovës, por njëkohësisht na tregon se përpjekja e Serbisë po vjen e po rritet, duke kaluar nga një shtet i dënuar botërisht për gjenocid ndaj një populli, në një shtet që po kërkon të kryej sërish të njëjtën gjë. I së njëjtës linje, me po të njëjtën deklaratë të ashpër, për ndërhyrje ushtarake, ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Për të mbështetur atë se çfarë tha kryeministrja serbe dhe zyrtarët serb, Moska nga ana tjetër deklaroi se formimi i ushtrisë së Kosovës mund të ketë pasoja serioze për sigurinë në Ballkan. Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë vlerësoi në një deklaratë se “një hap i tillë mund të jetë shkelja më e rëndë direkte e Rezolutës 1244 e OKB-së”. Sipas tyre ky është një hap provokues dhe destabilizues pas vendosjes së taksës prej 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Por vallë a nuk i di z. Stoltenberg këto deklarata të Serbisë dhe Rusisë? A nuk është në dijeni ai se Serbia prej kohësh bashkëpunon me Rusinë dhe ruan një bazë të përbashkët në Nish?

Sigurisht që ai e di, ashtu si dhe ministrat e Jashtëm që ishin në takim me të e dinë. Por ata të gjithë mendojnë se Kosova është e papjekur për t’u vetadministruar (ushtarakisht) dhe frika e keq administrimit të një ushtrie nga tipa si puna e Hashim Thaçit me shokë, vjen dhe rritet kur prej gojës së këtij të fundit dëgjojnë se Kosova duhet të shkëmbej (korrigjojë) territore dhe popullsi me Serbinë.

Të gjitha këto deklarata e kanë ngritur pozitën e Beogradit në një pozicion pothuajse komod tashmë. Ato e kanë sjellë atë në pozitat e viteve ’90, kur Beogradi mund të diskutonte ndarje territoresh, spastrime, zhvendosje popullsie dhe largime. Po, po. Kjo është aq e vërtetë as kryeministrja e këtij vendi zyrtarisht tregon se fuqia ushtarake e Serbisë mund të përdoret sërish ndaj Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër fqinj me të.

Është mëse normale që në një takim me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do ketë edhe prej tyre që do dalin kundër ushtrisë së Kosovës, pasi ka vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, që të arrihet në një deklaratë të tillë prej Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate, këtu atëherë ka diçka tjetër.

Përkundër deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zbardhet një tjetër këndvështrim, ku pikërisht më datë 6 dhjetor, ambasadori amerikan në Kosovë sqaroi pozicionin e SHBA-ve në angazhimin disa vjetor që ka pasur Uashingtoni në trajnimin dhe specializimin e FSK për të pasur një kapacitet të plotë ushtarak dhe logjistik në këtë kthesë të madhe që pritet të bëhet brenda javës që vjen. Nga ana tjetër Philip Kosnett e quajti një histori suksesi këtë gjë dhe cilësoi se përkushtimi i SHBA-ve për të ardhmen e Kosovës është i palëkundur.

Pra, teksa Uashingtoni është plotësisht dakord, atëherë kë zë përfaqëson z. Stoltenberg në NATO, përkundër pranimit të miratimit të projektligjit në Prishtinë për kthimin e FSK në ushtri të rregullt?!

Kuptohet se pas takimit në Bruksel (korrik 2018) mes udhëheqësve të NATO-s dhe ku presidenti amerikan Donald Trump u kërkoi vendeve anëtare një angazhim më të madh financiar, një pjese të udhëheqësve të këtyre vendeve nuk u ka ardhur mirë. Ndarjet e ashpra mbi atë se kush duhet të paguajë për mbrojtjen e Evropës hodhën hije mbi takimin e NATO-s, pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ‘akuzoi’ aleatët evropianë se përfitojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë. SHBA në fakt shpenzojnë rreth 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shumë më tepër se shtetet e tjera anëtare. Prandaj në takim u parashikua që tetë nga 29 anëtarët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të përmbushin objektivin e NATO-s prej dy përqind të PBB-së këtë vit dhe 4% të PBB deri në vitin 2024.

A ka probleme Aleanca? A ‘jetojnë’ aleatët evropianë në kurriz të Shteteve të Bashkuara?

Në të vërtet asnjë nga këto pyetje s’është e re. Të gjitha këto pyetje kanë qenë temë debatesh në aleancë për vite me radhë, larg syrit të publikut. Nga ana tjetër fakt i pamohueshëm është se prej shumë vitesh SHBA sigurojnë 70 për qind të buxhetit të NATO-s duke siguruar edhe mbrojtjen e Evropës. Të gjitha reflektimet e kësaj përplasje tashmë kanë nisur të shprehen dhe dalin në pah edhe jashtë organizatës. Fillimisht ato u bënë më të theksuara në nivelin qeverisës brenda drejtuesve të NATO-s, e më pas arritën të dalin përtej saj, gjer sa kulmuan në takimin e Brukselit.

Pavarësisht të gjithave më sipër, një gjë është e palëkundshme, Kosova ka qenë dhe mbetet një investim i drejtpërdrejtë amerikan dhe në përfundim është bërë ajo që ka deklaruar Uashingtoni gjithnjë. Atëherë në tërë këtë histori kë përfaqëson, apo anën e kujt mban Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg?

Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje po bëj një retrospektivë apo një ‘curriculum vitae’ të Jens Stoltenbergut. Në tetor të vitit 2014 ai mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke zëvendësuar në atë kohë Anders Fogh Rasmussen. Për një kohë të gjatë ka qenë kryeministër i Norvegjisë, për pothuajse 8 vjet (2005-2013), deri në momentin që mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës. Politikisht dhe ideologjikisht rrjedh nga një ambient i majtë, i cili përafrohet më tepër me qendrën social-demokrate sesa më të majtën e mirëfilltë. Si përfaqësues i Partisë së Punës, njohur ndryshe më parë me emrin Partia Norvegjeze e Punës, përmes koalicionit ‘Red-Green’, Stoltenberg dominoi politikën norvegjeze për pothuajse dy mandate duke qeverisur për tetë vjet, për t’u tërhequr më pas vetëm pak muaj dhe për t’u propozuar në postin më të lartë të Aleancës së Atlantikut Verior.

Në takimin e Brukselit në korrik të këtij viti, presidenti amerikan Donald Trump, iu referuar Sekretarit të Përgjithshëm duke thënë se i vetmi person ndoshta që do ta lëvdonte atë, për mbushjen e buxhetit të NATO-s, do ishte z. Stoltenberg. Dhe në fakt, sipas të gjithë treguesve buxheti i NATO-s do rritet çdo vit, duke i dhënë mundësi qendrës për të pasur më shumë fonde në dispozicion, mjete dhe mundësi për të rritur kapacitetet materiale, ato njerëzore dhe logjistike.

Në një bisedë të fundit telefonike ndërmjet kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s J. Stoltenberg, përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se i kishte shprehur z. Stoltenberg falenderimet e tij për kontributin e KFOR-it në misionin e gjatë brenda Kosovës. Ndërkohë që kishte theksuar gjithashtu se, Kosova nuk do ndalet në formimin e ushtrisë së saj përkundër vendeve që nuk e duan këtë gjë.

Në të njëjtën linjë, për tërheqjen e faktorit ndërkombëtar prej Kosovës, kishte qenë edhe ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley. Po atë ditë kur ajo njoftoi dorëheqjen nga posti i saj në OKB, ajo i dorëzoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, ku i kërkonte zyrtarisht tërheqjen e UNMIK-ut prej Kosovës.

Në gjithë këtë panoramë, na shfaqet vullneti i SHBA-ve, për t’i dhënë mundësi Kosovës për të drejtuar fatet e veta jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht. Uashingtoni ka vijuar të ruaj të njëjtën linjë në qasjen e vet ndaj Kosovës, pa e ndryshuar kursin, edhe pse një pjesë e vendeve evropiane kanë qenë skeptike dhe aty-këtu kanë rënë pre ndonjëherë edhe e keqinformimeve serbe.

Pra, nga deduktimet që mund të bëjmë, del se për çështjen e Kosovës, z. Stoltenberg, ka vijuar të ndjekë një frymë më shumë evropiane brenda NATO-s duke u mbështetur tek politizimi i çështjes, sesa tek një objektiv afatgjatë i projektuar prej SHBA-ve që nga ndërhyrja në Kosovë.

Megjithatë në lojë futet dhe një alternativë e dytë, që përmes komunikatës së Sekretarit të Përgjithshëm, t’i jepet mundësi KFOR-it që të tërhiqet prej Kosovës, për t’i lënë vendin ushtrisë që do të aprovohet dhe do marrë drejtim menjëherë pas 14 dhjetorit me ndihmën e SHBA-ve. Kjo mundësi edhe pse qëndron si alternativë, sërish nuk e merr trajtën e plotë nëse KFOR-i nuk tërhiqet brenda dhjetorit ose janarit të 2019.

Nëse ndodh kështu, atëherë kalibrimi efektiv ushtarak i NATO-s me diplomacinë amerikane do arrijnë një ndër fitoret më të rëndësishme në skakierën e vështirë diplomatiko-ushtarake ballkanike dhe sigurisht figura e Jens Stoltenbergut do dalë shumë herë më e fortë sesa parashtrimi në fillim të shkrimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco