Përmasat e filmit 'Skënderbeu'

Përmasat e filmit 'Skënderbeu'

Nga Jakup Krasniqi - 29/11/2018

Në 28 NËNTORIN e sivjemë, mbase për të parën e herë të aktivitetit tim politik në liri, e prita në shtëpi me familje. E shfrytëzova këtë rast dhuntie edhe kohe për të rishikuar nga fillimi e në mbarim kryeveprën artistike për Skënderbeun, filmin “SKËNDERBEU”, prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re”.

Ndoshta për herë të parë nuk e shikova si vepër arti, si vepër kulture apo thjesht si vepër historike që lartëson një epokë të veçantë për shqiptaroarbërorët dhe prijësin e përmasave të paarritshme planetare – Skënderbeun! Një lavdie shkuar lavdie skënderbeiane. Shkurt, në film rishikova gjithë historinë e arbërorëve të kohës e më vonë të etnisë shqiptare, që formoi krahas kombeve të tjera të shekullit XIX edhe kombin shqiptar, falë periudhës së artë - Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Pikërisht kjo më shtyri, më shumë se kurdoherë tjetër, që ta shoh filmin edhe në një kënd tjetër, në këndin e përmasës së vërtetë të këtij filmi historik e artistik, ta shoh gjithë historinë e kombit tim. Pa dyshim që këtë ndjenjë ta jep një vepër që është krijesë e mendjes së urtë e parashikuese e një brezi të madh artistësh dhe intelektualësh, të cilët u formësuan, u idealizuan për t’i dhënë shkëlqim historisë e ardhmërisë. Natyrisht, për mendjen dhe urtinë njerëzore kurrë më shumë se sot nuk kemi pasur nevojë, prandaj duhet t’u jemi falënderues. Një mirënjohje të veçantë duhet ta kemi në radhë të parë për regjisorin e skenaristin e filmit, por edhe për çdonjërin që në një formë apo tjetër ka dhanë kontributin për të jetësuar jo vetëm historinë e Kastriotit, komandantit më të madh të shekujve në rrafshin global, por edhe të gjithë historisë së kombit tonë.

Nëse filmi shikohet me kujdes nga fillimi deri në fund, zhvillimin horizontal dhe atë vertikal, linjat dhe sekuencat, karakteret dhe planet qoftë nga enterieri, qoftë eksterieri, dialogjet, fotografia etj., njeriu ka mundësi të mësojë historinë e shqiptarëve prej kohërave më të hershme e deri te kjo e ditëve tona. Mëson për urtinë e trimërinë, për lavdinë e tragjedinë, mëson për armiqësitë e tradhtitë, për besën e pabesinë, për dashurinë e ligësitë e natyrës njerëzore, të njerëzve të Evropës së kohës dhe reflektimi në këtë të sotshmen. Ashtu siç ishin dje këto virtyte e vese (karaktere) të njerëzve të kohës, sot janë të pranishme më shumë se kurrë.

Gjithsesi kohës sonë, momentumit, më shumë se kurrë i duhet virtyti skënderbegian për të cilin ka folur dhe e ka kërkuar aq shumë vetë kryeheroi ynë nga bashkëkohësit e vet dhe rrjedhimisht edhe pasardhësit, popullin shqiptar!

Për virtytin, sipas Barletit, Skënderbeu thoshte:

“Virtyti më i lartë dhe besa e vërtetë, o princër fort bujarë dhe ju, o bashkëluftëtarë të mi shumë të dashur, kujtoj se është së pari të adhurosh, të kesh kujdes e të nderosh si duhet, me shpirt të pastër e me frikë perëndie në zemër, Zotin e madh e të vërtetë. Së dyti, jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur e është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe me gjak”.

Nga kjo del se vetëm njerëzit e virtytshëm e me integritet, si dje edhe sot e kanë guximin atdheut t’i dalin zot sa herë që kërkohet.

Shkurt, e gjithë historia e lavdishme e kombit tonë tregon se nuk mund të ketë dashuri shenjtërore aty ku mungon virtyti (dija thoshte Sokrati), mungon dinjiteti, integriteti e guximi për t’i hapur shtigjet e Lirisë e jetësuar lirinë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco