Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës

Kur apertivi ideologjik rus kthehet në markë ballkanike

Kur apertivi ideologjik rus kthehet në markë ballkanike

Nga Bled Komini - 02/11/2018

Pothuajse njëqind vjet më parë, mes datave 6-8 nëntor 1917, u zhvillua një prej revolucioneve që do të linte gjurmë të thella në historinë botërore. Ishte Revolucioni Bolshevik i udhëhequr prej Vladimir Iliç Lenin.

Një vit më parë, në 100-vjetorin e këtij revolucioni, i cili u festua me kremtime të shumta dhe u përdor prej Moskës në mënyrë propagandistike, një tjetër Vladimir do deklaronte se Rusia që ai udhëheq do të kthehet edhe njëherë në atë epokë të ‘lavdishme’, si dhe do të mëkëmbë ‘perandorinë sovjetike’. Kuptohet që pas fjalimit të Putinit, fshihen mes rreshtave, idetë dhe mendimet e disa prej figurave më agnostike të Rusisë moderne, përmes së cilëve lëvizin fijet e padukshme të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme ruse.

I njohur ndryshe si ‘Rasputini i Putinit’, Aleksandër Dugin ka ndikuar prej kohe në nxitjen e prirjeve fashiste në Rusi, si dhe në politikat e jashtme të saj. Bashkë me filozofin tjetër Ivan Ilyin, ai ja ka arritur që të ndikojë në ngjyrimet e larmishme të neobolshevizmit fals, duke e lëvizur boshtin ideologjik prej ekstremit të majtë, në atë të autoritar oligarkik, me një fasade të kuqe propagandistike. Si Dugin ashtu dhe Ilyin, e dinin shumë mirë se shkëputja e Rusisë nga e kaluara sovjetike ishte shumë e vështirë. Për këtë arsye ata e përdorën të kaluarën duke i marrë asaj vetëm modelin autoritar të cilin e kamufluan me tiparet fashiste, nga të cilat do të farkëtohej figura mitike e Vladimir Putin.

Ky model, i marrë dhe përdorur kaq tinëz prej të dyve, prej kohe ka filluar të kthehet në një standard, jo vetëm për shumë vende në Evropën Lindore dhe Azi, por edhe për liderët ballkanas. Pushteti i zaptuar me korrupsion, lidhjet me mafien, nepotizëmi dhe bashkëjetesa me figura të shqura të së shkuarës së errët komuniste, përbëjnë vetëm majën e ajsbergut aktual politik në disa prej vendeve të Ballkanit.

Jo vetëm Aleksandër Vuçiç, që i ka shërbyer Millosheviçit si ministër, por edhe shumë figura të tjera në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Kosovë, gjenden në pozicione të rehatshme politike dhe administrative publike, duke mos pasur asnjë shqetësim. Janë pikërisht këta, mbartësit më të mëdhenj të mendësive dhe fabrikimeve që vijnë prej Moskës. Janë këta, përdoruesit më të mëdhenj të apertivit ideologjik rus, i cili prej kohe po përpiqet të turbullojë rajonin.

Me pak fjalë, komunistë dhe të majtë radikalistë, që deri dje i shërbenin qeverive monopartiake në pushtet, sot përmes ‘karrierizmit’ dhe korrupsionit, kanë mbijetuar të vetëm, jo për të rrëfyer të shkuarën e tyre, por për ta vënë atë sërish në shërbim të padronëve fashistë dhe oligarkist. Janë këta çorba e prishur, që u mundëson disa prej liderëve ballkanas që të vijojnë e të zgjerojnë pushtetin e tyre, përtej çdo norme demokratike, në kurriz të zhvillimit dhe përmirësimit të jetës sociale e ekonomike.

Mes shteteve mbi të cilat është shtrirë apetiti rus, ka prej tyre që kanë ndjerë vetëm magnitutën e investimeve në fusha të ndryshe nga manjatë të lidhur me Kremlinin. Në disa shtete të tjera, ka mjaftuar modeli i fabrikuar oligarkist, që serviret me doza neobolshevizmi, për të ndikuar në qëndrimet e tyre pozitive karshi influencës ruse.

Sipas disa raportimeve mediatike ndërkombëtare (‘The Guardian’) në fillim të vitit 2017, deklarohej se ekzistonte një ‘lavatriçe’ shumë e madhe e pastrimit të pareve ruse në Ballkan, e cila në hartën e saj përfshinte disa shtete primare si Serbia, Kroacia dhe Bullgaria, e disa shtete të tjera sekondare, si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Mali i Zi, ku paret e ‘pastruara’ investohen në turizëm, industri ushqimore, minerare, ndërtim, politikë dhe fusha të tjera. Bëhet fjalë për pastrimin e mbi 20 miliardë dollarëve që kanë lëvizur prej bankave ruse drejt këtyre vendeve. Në fakt kjo skemë është zbuluar shumë vonë. Ajo daton që nga viti 2010 dhe vetëm para pak kohe u arrit që të gjurmohej me ndihmën e ‘Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit’ (OCCRP) që në bashkëpunim me disa gazetarë investigativë rusë, arritën të zbulojnë rrugëtimin e këtij fluksi parash.

Janë pikërisht këto forma investimi dhe ndikimi, prej të cilave ka marrë jetë dhe ka gjetur mbështetje përhapja e ndikimit rus në Ballkan.

Por si nisi, dhe mbi ç’baza propagandistike u përhap ‘apertivi’ ideologjik rus?

Sipas Anton Barbashin dhe Hannah Thoburn, Ivan Ilyin, ‘filozofi i Putinit’, është figura që ka pasur më së shumti një ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e jashtme ruse. Në të shkuarën e tij, Ilyin ishte ‘një publicist, një teoricist i konspiracionit dhe një nacionalist rus me prirje fashiste’. David Brooks e identifikon Ilyin si një nga tri filozofët nacionalistë që citon dhe rekomandon herë pas here Putin.

Nga ana tjetër, bashkimi i Dugin-it me idetë e postmodernizmin haidegerian dhe misticizmin apokaliptik, luajtën një rol të rëndësishëm në ideologjinë e re të Rusisë post-sovjetike. Ndërsa filozofia e Ilyin për ta shndërruar Rusinë në një qendër botërore ndikoi në politikën e jashtme, e cila përmes sponsorizimeve dhe mbështetjes së elementëve filorus, krijoi një imazh sipas të cilit Rusia synon sërish të kthehet në kohën e saj më të artë.

Sipas historianit të Yale, Timothy Snyder, i cili ka shkruar gjerësisht mbi Rusinë dhe Gjermaninë naziste, ndikimin më të madh filozofik, prej të dyve mbi Putinin, e ka pasur Ivan Ilyin.

Shkurtimisht, veprat teorike të Ilyinit argumentojnë se ‘Bota është e korruptuar; prandaj duhet një komb shumë i madh që ta nxjerrë atë nga ky batak, dhe ky komb është Rusia.’ Nacionalizmi rus i Putinit i ndikuar prej mendimeve të Ivan Ilyin, ka pasur një ndikim global tek një brez i madh partish dhe levizjesh të së djathtës ekstreme në të gjithë Perëndimin, shkruan Timothy Snyder në librin e tij të fundit ‘Rruga drejt robërisë: Rusia, Evropa, Amerika.

Po sipas tij, në të njëjtin libër, me përfundimin e Luftës së Ftohtë, fitorja e demokracisë liberale dukej se s’do të kishte rivalitet për një kohë të gjatë. Vëzhguesit e saj deklaruan fundin e historisë, të sigurt në një të ardhme paqësore dhe të globalizuar. Ky besim ishte i pavend. Autoritarizmi u kthye në Rusi, pasi Putini gjeti ide fashiste-oligarkiste që mund të përdoreshin për të justifikuar sundimin e të pasurve. Në vitet 2010, ajo është përhapur nga lindja në perëndim, me ndihmën e luftës ruse në Ukrainë dhe luftës kibernetike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Rusia gjeti aleatë midis nacionalistëve, oligarkëve dhe radikalëve kudo, dhe përpjekjet e saj për të shpërbërë institucionet, shtetet dhe vlerat perëndimore gjetën rezonancë brenda vetë Perëndimit. Rritja e populizmit, votimi britanik kundër BE dhe ndikimi mbi zgjedhjet në SHBA, ishin të gjitha synimet ruse, por arritja e tyre, më së shumti zbulon dobësinë e shoqërive perëndimore sesa forcën e ndikimit rus.

Mbi këtë spektër shpjegimi, Snyder shkon përtej përfundimeve, duke na ekspozuar natyrën e vërtetë të kërcënimit ndaj demokracisë dhe ligjit. Ai duke na këshilluar, shprehet se demokracia liberale duhet që të kuptoj sfidën, të jetë vëzhguese ndaj fenomeneve që në dukej janë pa rëndësi, si dhe të përtërijë virtytet themelore politike të ofruara nga tradita dhe të kërkuara nga e ardhmja. Duke e çjerrë maskën e tiranisë dhe zbuluar alternativat e errëta para nesh - midis barazisë ose oligarkisë, individualitetit apo totalitetit, të vërtetës dhe të pavërtetës - Snyder rikthen kuptimin mbi bazën e mënyrës sonë të jetës, duke ofruar një rrugë përpara në një kohë të pasigurisë së tmerrshme.

Në një shkrim të tijin për The Economist, Snyder thotë se: ‘Këto mënyra të të menduarit kanë të përbashkët një besim thuajse mistik në fatin e kombeve dhe sundimtarëve, i cili heq mënjanë nevojën për të respektuar ligjet ose procedurat dhe i shkërmoq ato nën thundrën e tiranisë.

Kështu mund të thuhet se Rusia prej kohësh është kthyer në Ballkan për të fituar pikë kundër Perëndimit duke shfrytëzuar zbrazëtirat dhe ‘zonat gri’ të krijuara prej BE apo NATO-s. Ajo po përpiqet që të ndikojë në të gjitha ato vende që janë në proces aderimi për në NATO ose BE, në mënyrë që përmes modeleve ideologjike, atyre autoritare-oligarkike dhe destabilitetit, t’u krijojë vështirësi në anëtarësim dhe proceset integruese.

Rusia mund të mos ketë një vizion afatgjatë, por ajo përdor një taktikë ndryshe nga konkurrentët e saj. Ajo merr vendime të shpejta dhe vepron në mënyrë fleksibile. Kremlini nuk beson në elitat lokale, por përmes politikave monetare dhe korrupsionit ajo merr gjithnjë atë çfarë kërkon. Në një Ballkan të goditur nga kriza, i mbushur me klientelizëm, kapja e shtetit kryesisht përmes blerjes së elementëve politikë me para, është një mundësi gjithnjë për ndikim në çdo situatë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco