‘Çekuilibrimi rajonal’ si alternativë anti euro-atlantike

‘Çekuilibrimi rajonal’ si alternativë anti euro-atlantike

Nga Bled Komini - 13/10/2018

Prej kohe një ‘Quid pro Quo’ (më jep t’jap/favor për favor) në formë marrëveshje mes Serbisë dhe Rusisë ka përcaktuar rrugën diplomatike që do ndjekin këto vende ndaj BE-së, NATO-s, çështjes së Kosovës dhe interesave të tjera në rajonin e Ballkanit. Kjo marrëveshje e cila pavarësisht se nuk serviret e shkruar, – pasi ka gjasa të jetë edhe e tillë, – sanksionon mes dy aleatëve, se interesat e tyre janë shumë herë më të mëdha mes njërit-tjetrit se ato që ka Serbia me institucionet e lartpërmendura.

Nga ana tjetër, Rusia ka kohë që përpiqet që të gjej shtigje ndikimi në Ballkan dhe shtegu më i sigurtë për momentin është ai që i ofron Beogradi. Kjo lloj marrëdhënie e cila shprehet më së miri prej shprehjes latine “quid pro quo” (më jep t’jap), shfaq natyrën e vërtet të lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet boshtit Beograd-Moskë. Këto lidhje ngërthejnë disa sfera shumë të rëndësishme, duke filluar që nga çështjet e sigurisë rajonale dhe rritjes së ndikimit rus në Ballkan, tek armatimi i Serbisë me teknologji ushtarake ruse, bashkëpunimi në çështjet e sigurisë dhe shkëmbimit të informacionit mes tyre, pjesë e së cilës është edhe baza ruse në Nish etj.

Përsa i përket sferës politike, interesat e tyre ndahen në mënyrë të barabartë, ngjashëm siç mund të përfitonin dy vëllezër siamezë prej njëri-tjetrit. Serbia përfiton prej Rusisë mbështetjen ndërkombëtare për mos njohjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB, ashtu si dhe lobimin e saj që as Kina të mos e njoh (pavarësisht kushteve dhe arsyetimeve të tjera që përdor kjo e fundit), ndërsa Serbia i ofron Rusisë, resurse të mjaftueshme rajonale për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkan, e më konkretisht në ato vende ku ka prani të theksuar serbe, qoftë në aspektin etnik, ashtu dhe në atë social-kulturor.

Duke analizuar vizitën e dytë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Rusi brenda këtij viti, vërehet një angazhim shumë herë më i madh i Serbisë ndaj aleatit të vjetër, sesa përpjekjet e saj për të ndjekur një kurs euro-atlantik dhe integrues në BE. Kuptohet fare mirë se Serbia dëshiron dhe e ka shprehur hapur që do që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër ekzistojnë disa faktorë që nuk ja lehtësojnë asaj rrugën.

Një ndër faktorët që është kthyer me të drejtë në pengesë për Serbinë për t’u anëtarësuar në BE është çështja e njohjes së Kosovës. Që prej vitit 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njohu pavarësinë e Kosovës, Serbia u detyrua që të ulet në tryezën e bisedimeve me Kosovën, me ndërmjetësimin e Brukselit. Megjithatë, shumë më herët se kjo ngjarje, si Serbia ashtu edhe Rusia, janë shprehur se njohin vetëm Rezolutën 1244 (qershor 1999) mbi Kosovën dhe asnjë ndryshim tjetër të bërë e shpallur pas saj.

Në vizitën e fundit të A. Vuçiç në Rusi, ai theksoi edhe njëherë se Beogradi kërkon të gjejë alternativa të reja për të zgjidhur çështjen e Kosovës, pa arritjen e së cilës, BE-ja ka deklaruar se nuk do përshpejtojë pranimin e Serbisë brenda saj. Gjithashtu ai i premtoi presidentit Putin se Beogradi do vazhdojë të ruajë neutralitetin e deklaruar ushtarak, duke mos u anëtarësuar në NATO, deklaratë të cilën ai e ka shprehur edhe para Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Por sa i vërtet është ky neutralitet ushtarak i presupozuar prej Serbisë?

Të pranosh se ekziston sot një neutralitet serb karshi NATO-s dhe Rusisë në anën tjetër, apo kujtdo formacioni ushtarak në botë, është njësoj sikur të pranosh hipotetikisht se Serbia gjendet në Hënë dhe nuk ndodhet në Tokë. Sesa fals është ky pohim, mjafton të lexohen deklaratat e zyrtarëve të lartë në Uashington e Bruksel dhe kuptohet që Serbia pothuajse pjesën më të madhe të marrëdhënieve të saj e ka me Moskën. Varësia e saj ndaj blerjeve të pajimeve dhe armatimeve ruse është katërçipërisht e vërtetuar, në të njëjtën linjë siç qe edhe rrefuzimi i saj për t’ju bashkuar sanksioneve ndaj diplomatëve rus.

Po ashtu ndikimin që ka biznesi rus në Serbi tashmë e kanë deklaruar jo vetëm zyrtarë amerikanë dhe evropiane, por edhe ata ballkanas. Shitja e `Telekom Albania` e cila aktualisht posedohet nga të ‘Deutsche Telekom’, u kthye në një çështje të sigurisë nga partnerët strategjik të Shqipërisë, SHBA dhe NATO, sidomos pas kërkesës së ‘Telekom Serbia’ për ta blerë atë. Nisur prej kësaj kërkese, por si duket edhe me shtytjen e partnerëve strategjik të vendit tonë, në një deklaratë të fundit të qeverisë shqiptare, theksohej se Shqipëria i mirëpret bizneset serbe, por jo në sektorin e telekomunikacionit.

Gjasat tregojnë se pas kësaj deklarate qendron informacioni se ‘Telekom Serbia’ zotërohet në një pjesë të mirë të saj nga investime (të drejtpërdrejta ose jo) ruse. Ndaj duke qenë se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, nuk mund të lejojë që një pjesë e të dhënave të qytetarëve të saj, ashtu si dhe zyrtarëve të ndryshëm brenda vendit të kalojnë përmes këtyre investimeve.

Nëse do e analizonim më hollësisht marrëdhënien simbiotike ruso-serbe, do shihnim se ngritja dhe mbështetja e sistemit të çekuilibrimit rajonal prej tyre, formon një strategji të qartë prej së cilës ato kanë krijuar boshtin Moskë-Beograd. Ky bosht që ka kohë që funksionon rregullisht, ka si synim të tij të mbështes ato grupime politike, ose etnike, që janë opozitare ndaj proceseve të integrimit rajonal në BE dhe NATO.

Duke qenë se institucionet euro-atlantike që veprojnë në rajonin e Ballkanit synojnë të harmonizojnë objektivat e tyre me zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e rajonit, si kundërpeshë ndaj tyre, Rusia dhe indirekt Serbia, balancojnë këtë formacion duke stimuluar dhe mbështetur çekuilibrimin e sistemit të anëtarësimit në NATO dhe deri diku edhe në BE tek vendet e rajonit.

Interesat e Serbisë përmblidhen në katër pika: 1) Të mos njohi Kosovën si shtet dhe të luftojë që ajo të mos pranohet në OKB dhe organizmat e tjerë euro-atlantikë. 2) Serbët e Bosnjes të bashkohen me Serbinë. 3) Të ruaj ndikimin e saj në Maqedoni. 4) Të mos lejojë formimin e Shqipërisë etnike.

Për të gjitha këto synime, Serbia e gjen mbështetjen e saj tek Rusia, e cila edhe pse nuk ka ndonjë interes të drejtpërdrejtë, e mbështet Beogradin për të pasur një aleat të zellshëm në rajon, i cili do të ndihmojë në realizimin e politikës së çekuilibrimit rajonal. Nga ky çekuilibrim, e fituara më e madhe është Rusia, e cila dobëson rivalët e saj në Ballkan si dhe zgjon tek popujt sllav (kryesisht) ndjenjat e vllazërisë dhe bashkëpunimit me “ariun e madh”.

Nga ana tjetër, stanjacioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mungesa e progresit (për disa prej tyre) për t’u anëtarësuar në NATO, ngjall pasiguri në masën e popullsisë, krijon pështjellim tek politikanët vendas dhe asfikson qartësinë e tyre për të arritur objektivat madhor kombëtar siç janë ato për hapjen e negociatave me BE-në apo anëtarësimit në Paktin e Atlantikut Verior.

Për çdo fitore të Rusisë në rajon, sakrifikohet një objektiv real i këtyre vendeve drejt zhvillimit dhe stabilitetit euro-atlantik. Për çdo shans të humbur të vendeve të Ballkanit, një ofertë ruse jepet “falas” si këmbim për të plotësuar vakuumin e lënë bosh. Rusia përpiqet prej kohësh t’i rezistojë zgjerimit të NATO-s në ish-zonën e saj të influencës, përfshirë Ballkanin, ndërsa shtete të tjera të ish-Jugosllavisë, si Kroacia e Sllovenia, kanë hyrë në BE dhe NATO. Shtetet e mbetura si Serbia, Kosova e Bosnja qëndrojnë ende pezull teksa fuqitë botërore përplasen për influencë.

Dalëngadalë sistemi i ngritur i stabilitetit rajonal me faktorë politiko-ekonomik BE-në, dhe faktorë ushtarakë NATO-n, kërkohet që të kthehet – prej dyshes Moskë-Beograd, – në një situatë destabiliteti, ngjashëm me atë që pamë të ndodhte në Maqedoni, edhe pse është shumë e vështirë të gjehet fija e hollë që ndan ndikimin rus në Shkup, me nacionalizmin maqedonas. Por një gjë është e sigurtë, se dështimi i referendumit konsultativ në Maqedoni, nëse nuk zgjidhet brenda muajit tetor, do prodhojë një model reaksionar që mund të përdoret prej Rusisë më pas edhe në Bosnje e Kosovë.

Tek e para probabiliteti për sukses është shumë i madh sidomos pas situatës së krijuar në zgjedhjet e së dielës, ku lideri radikal serb i partisë SNSD, Milorad Dodik, arriti të fitojë garën në Republikën Serbe (Republika Serpska) për të qenë brenda presidencës treshe të Bosnje-Hercegovinës. Ndërsa tek e dyta, në ujërat e turbullta të diskutimit mbi korrigjimin e kufijëve dhe asaj çfarë mund të ndodh më pas, shancet për një çekuilibrim të stabilitetit sa vijnë e rriten.

Sa më shpejt të zgjidhet ngërçi i krijuar në Maqedoni, qoftë përmes votimit të ndryshimeve kushtetuese me 2/3 në parlament, apo përmes zgjedhjeve të reja, aq më shpejt bateritë e liderëve perëndimore do të përqendorhen tek Kosova dhe Bosnja, të cilat jo pak, por vijueshmërisht, po vuajnë përplasjet dhe presionin serbo-rus ndaj tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco