Tri marrëveshjet që po mbajnë 'peng' shqiptarët në Ballkan

Tri marrëveshjet që po mbajnë 'peng' shqiptarët në Ballkan

Nga Bled Komini - 29/09/2018

Pothuajse njëqind vjet pas ndarjes dhe cungmit të trojeve shqiptare prej vendimeve të marra në Konferencën e Londrës 1912-1913, gjendja në Ballkan, e konkretisht ajo në trojet shqiptare shfaq paqartësi për të ardhmen.

Edhe pse fillimi i këtij shekulli ka rezultuar mëse i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën, e para me futjen në NATO (2009) dhe liberalizimin e vizave (2010); ndërsa e dyta me shpalljen e pavarësisë (2008) dhe njohjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (2010), përsëri hijet e së shkuarës nuk portretizojnë një horizont të qartë, as për shqiptarët brenda këtyre dy vendeve, dhe as për ata në shtetet e tjera fqinje.

Tri janë marrëvëshjet më të diskutuara të hedhura në tryezën e bisedimeve për të cilat po flitet shumë në Ballkan kohët e fundit:

E para, mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen e ndërsjelltë; tjetra, mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të kësaj të fundit; dhe treta mes Shqipërisë dhe Greqisë për delimitimin e vijës kufitare detare.

Dy nga këto “konflikte” për të cilat po diskutohen marrëveshjet, burojnë nga pasojat apo rrjedhojat e shpërbërjes së Ish Jugosllavisë.

E para prej tyre është ajo mes Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) dhe Greqisë, mbi çështjen e rrefuzimit të njohjes së përdorimit të emrit Maqedoni në emërtimin më sipër prej Athinës. Mosmarrëveshja për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë daton që nga viti 1991, kur Maqedonia u nda në mënyrë paqësore nga Jugosllavia. Gjatë kësaj kohe Greqia ka mbështetur idenë se emri Maqedoni frymëzon dhe tregon se fqinji i saj ka pretendime territoriale dhe kulturore ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër. Greqia, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, e ka shfrytëzuar këtë pozitë për t’i vënë veto përpjekjeve të Maqedonisë për t’iu bashkuar këtyre dy organizatave.

Ironia e bisedimeve greko-maqedonase ashtu si dhe atyre shqiptaro-greke shfaqet dukshëm në Samitin e Selanikut të vitit 2003, ku Greqia u propozoi liderëve evropianë një iniciativë të re, një vizion të ri, sipas të cilit, objektivi simbolik i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor do të ishte anëtarësimi i këtyre shteteve brenda vitit 2014 në BE. Prej vitit 2003 e në vazhdim, ka qenë Athina ajo që ka penguar ose ngadalësuar proceset evropianizuese si në rastin e Shqipërisë, ashtu dhe në atë të Maqedonisë, duke kushtëzuar këtë objektiv me kërkesa nacionaliste.

Shtetit shqiptar Greqia i’u imponua fillimisht përmes kërkesave që kishin të bënin mbi të drejtat e minoritetit grek, shkollave greke, varrezave të ushtarëve grekë si dhe përdorimit të gjuhës greke si gjuhë kryesore në zonat me shumicë minoritare. Po ashtu në atë kohë – vitin 2008, – ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, kërkoi edhe delimitimin e kufirit detar Shqipëri-Greqi. Këto kërkesa kryesisht u realizuan prej palës shqiptare, ndërsa projekt-marrëveshja e nënshkruar (më 27 prill 2009) mbi delimitimin e Shelfit Kontinental mes dy vendeve, u rrëzua prej Gjykatës Kushtetuese shqiptare në prill të vitit 2010.

Ndërkohë që në rastin e Maqedonisë (IRJM), kërkesa e Athinës ishte një e vetme: ndryshimi i emrit dhe rënia dakord për një emër të ri, ku Greqia do të shprehej e fundit mbi pranimin apo jo të këtij ndryshimi.

Situatat sollën që të ndryshojnë qeveritë e atyre që nisën bisedimet si në Maqedoni ashtu dhe në Greqi. Por, pavarësisht ndryshimeve politike, tashmë kryeministrat Tsipras-Zaev, arritën të bien dakord në Prespë mbi çështjen e emrit. Në marrëveshjen e qershorit të këtij viti, emri i Republikës së Maqedonisë Veriore u pa si i vetmi opsion i mundshëm dhe palët u dakorduan edhe me Uashingtonin e Brukselin, të cilët bekuan marrëveshjen. Me gjithë arritjet në këtë drejtim, ratifikimi i marrëveshjes duket se do të kalojë disa peripeci në Maqedoni, ku fillimisht duhet të marrë Po-në referendare më 30 shtator, e më pas parlamenti duhet të amendojë Kushtetutën. Ndërsa në Greqi ratifikimi i saj, edhe pas kundërshtisë së shfaqur prej partive politike dhe grupeve nacionaliste, duket më i lehtë.

Pas kësaj faze, Maqedonia (e cila do të ftohet sërish) do të jetë shteti i 30-të anëtar i NATO-s dhe së shpejti do mund të hap edhe negociatat me BE-në. Përfitimet e popullsisë shqiptare prej këtyre arritjeve do jenë shumë të mëdha. Mundësia për të siguruar të drejtat e kërkuara prej popullsisë shqiptare që prej vitit 2001, do të jetë një realitet tashmë i garantuar prej Brukselit dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Roli i shqiptarëve do të vijë në rritje brenda një Maqedonie evropiane më shumë sesa brenda asaj në të cilën ata po jetojnë tani.

Së dyti, një marrëveshje tjetër po kaq e rëndësishme është ajo ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Beogradi, ashtu si më parë, nuk pranoi ta njihte asnjëherë këtë akt të “njëanshëm” – sipas tij e Moskës, – të realizuar përmes mbështetjes së NATO-s dhe shumicës së shteteve evropiane.

Serbia deri më tani ka pranuar vetëm Rezolutën 1244 (të 10 qershorit 1999) të Këshillit të Sigurimit, e cila sanksionoi gjendjen e pasluftës, mes NATO-s e Rusisë nga njëra anë, dhe palëve në konflikt, Serbisë e Kosovës nga ana tjetër. Rezoluta e vendoste Kosovën nën protektoratin dhe administrimin e OKB-së, ndërsa NATO do garantonte sigurinë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës, njohja e saj prej mbi njëqind vendeve anëtare të OKB-së, dhe vendimi i GJND, e detyruan Beogradin që të ulet në vitin 2011 në tryezën e bisedimeve me udhëheqësit kosovarë. Drejtimin e bisedimeve e mori përsipër Brukseli. Bisedimet u drejtuan fillimisht prej baroneshës Catherine Ashton, drejtueses më të lartë të Brukselit për Politikat e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, ndërsa kohët e fundit ato janë drejtuar prej zëvendësueses së saj, italianes Frederica Mogherini.

Pavarësisht zhvillimit të takimeve, mospasja produktivitet dhe mosarritja e ndonjë suksesi për sheshimin e kundërshtive, e detyroi Brukselin që t’i vendos si afat përfundimtar muajin maj 2019 bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit. Qëllimi kryesor i politikanëve kosovarë gjatë këtyre takimeve në Bruksel ka qenë njohja e shtetit të Kosovës prej Serbisë, gjë e cila do ti hap rrugë Prishtinës për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe do lehtësojë njohjen e saj prej 5 shteteve evropiane që nuk e kanë njohur ende. Kjo automatikisht do të thotë një perspektivë e sigurtë euro-atlantike brenda disa vitesh. Ndërsa Serbia do mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një periudhë shumë të shkurtër ose siç kanë deklaruar zyrtarë të lartë të BE-së, brenda vitit 2022.

Deklaratat e fundit për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës, si një zgjidhje e mundshme për palët sollën një valë reagimesh të cilat kundërshtuan hapur idenë e shkëmbimit, korrigjimit apo korrektimit, shprehur sipas termave të përdorur. Gjermania dhe Britania e Madhe janë shtetet që janë shprehur më shumë kundër shkëmbimit të popullsive dhe ndryshimit të territoreve. Megjithatë presidenti H. Thaçi mendon se ky korrigjim mund t’i japi Kosovës njohjen e kërkuar prej Serbisë dhe t’i hapë rrugën për t’u anëtarësuar në OKB.

Në anën tjetër, disa alternativa të mundshme janë dhënë si kundërpeshë e propozimit të presidentit Thaçi. Në fillim është parashtruar si model për arritjen e njohjes mes dy vendeve, mënyra e “bashkëjetesës” së dy Gjermanive gjatë Luftës së Ftohtë, ku Gjermania Lindore edhe pse u pranua në OKB, vijoi të mos njihej prej Perëndimit. Alternativa të tjera të ofruara në tryezë, kanë qenë edhe modelet si janë zgjidhur çështjet Angli-Irlandë e Veriut dhe Itali-Tirol.

Arritja e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë mund të jetë historike, jo vetëm për stabilizimin e gjendjes në Ballkan, por edhe për të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës dhe pranimin e tyre bashkë me serbët në BE. Pavarësisht aspiratave, marrëveshja duket shumë larg. Rusia është angazhuar tërësisht që palët të mos bien në ujdi.

Stabilizimi i Ballkanit do të thotë për Moskën, humbje e një fushëbeteje ku ajo ka investuar shumë, së pari tek Serbia dhe disa shtete sllave në rajon dhe së dyti ndërkombtarisht duke penguar të ardhmen euro-atlantike të vendeve të Ballkanit. Prandaj sa më parë të arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, aq më shpejt Ballkani do shpëtojë prej ndërhyrjes ruse. Edhe pse duhet thënë se marrëveshja nuk do i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes së Kosovës, sepse një rrugë e gjatë e me vështirësi e pret atë në OKB, ku Rusia ka vënë veton disa herë në Këshillin e Sigurimit, duke kundërshtuar çdo inisiativë mbështetëse për popullin shqiptar të Kosovës.

Marrëveshja e tretë e cila pritet që të mbyllë ciklin aktual të stabilizimit dhe normalizimit të problematikave që kanë shqiptarët në Ballkan me vendet fqinje, është ajo mes Shqipërisë dhe Greqisë. Që prej vitit 2007-2008 kur Athina kërkoi zyrtarisht delimitimin e vijës kufitare detare me Shqipërinë, kanë rrjedhur shumë ujëra. Të thëna e të pathëna (të vërteta ose jo) kanë dalë në sipërfaqë, sidomos për mënyrën sesi u trajtua projekt-marrëveshja e parë mes Tiranës dhe Athinës, e cila u rrezua prej Gjykatës Kushtetuese shqiptare në prill të vitit 2010.

Menjëherë pas shpalljes së Turqisë si partner strategjik prej qeverisë shqiptare në vitin 2014, për të balancuar e ruajtur ekuilibrat diplomatikë, Tirana e Athina arritën të ulën në bisedime për t’i dhënë zgjidhje çështjes së delimitimit të vijës kufitare detare.

Frika e krijuar mbi “shitjen e detit” i shoqëroi edhe këto bisedime, të cilat fillimisht nisën në Kretë, për t’u ndjekur nga takimi në Korçë. Të dy ministrat e Punëve të Jashtme, Bushati-Kotzias, pas deklaratave të para vitin e kaluar, e disave në fillim të këtij viti, tashmë nuk po prodhojnë më lajm. Asnjë informacion nuk po qarkullon mbi atë se në çfarë niveli janë bisedimet dhe se a janë të vërteta deklaratat e palës greke se po punohet edhe për një Traktat të ri Miqësie me Tiranën, nga i cili do të përjashtohen termat Çamëri dhe Epir i Veriut.

Sidoqoftë, shikuar në një plan më të gjerë, dy marrëveshjet e para kanë mundësinë që t’i japin drejtim njohjes së Kosovës si dhe zgjidhjes së kontestimit të emrit të Maqedonisë prej Greqisë. Nga ato do përfitojnë shqiptarët e këtyre vendeve të cilët do kenë një rrugëtim të sigurt euro-atlantik. Ndërkohë marrëveshja e fundit (Shqipëri-Greqi), duket se më shumë se zgjidhje, do të ofrojë një përplasje boshtesh, ku ekstremet do jenë njëri në Greqi e tjetri në Turqi, ndërsa pika e rëndesës do bjerë mbi Shqipërinë. 

Sesa do e mbajë kjo pikë rëndesën, dhe sesa mund të kthehet në momentum ekuilibri është shumë e vështirë të parashikohet apo thuhet konkretisht. Ajo që dihet me siguri është vetëm një gjë: nga përplasjet askush nuk fiton, aq më tepër ai që qendron në mes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco