SHBA-të si reflektim i politikave konservatore në gjyqësor

SHBA-të si reflektim i politikave konservatore në gjyqësor

Nga Bled Komini - 10/07/2018

Prej kohësh është diskutuar dhe ende vijon të diskutohet sesi mund të ndikojnë politikat e brendshme të një shteti si ShBA-të në politikat e brendshme të vendeve të tjera. Është e kuptueshme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë lider në politikën ndërkombëtare dhe kjo bën që çdo gjë që ndodh atje, të ndiqet me kujdes, si dhe të reflektohet në konsumin e përditshëm gazetaresk, politik, diplomatik, kulturor etj., të shteteve që synojnë jo vetëm të njohin e kuptojnë jetën amerikane por edhe të ndjekin trendet e saj.

Sado imune që të duken kryeqendrat e shteteve të tjera ndaj “trendit amerikan” të jetës, politikës, kulturës dhe zhvillimeve ekonomike, ato e kanë të pamundur t’i shpëtojnë këtij ndikimi. Ngjashëm, siç thoshte Eduard Gibbon, se një teshtimë e perandorit romak në Romë, do ndjehej gjer në provincat më të largëta të perandorisë. Kështu që, pavarësisht kohës dhe ndryshimeve, politika amerikane, ashtu si dhe jeta që bëhet atje në tërësi, janë modele që kopjohen, ndiqen dhe kritikohen; tek-tuk edhe mund të nënçmohet në ndonjë vend. Këtij faktori imponues nuk mund t’i shpëtoj askush, fundja është kjo kosto e të qenurit vend udhëheqës e lider ndërkombëtar.

Sot për sot çështja më e debatueshme në politikën e brendshme të SHBA-ve dhe më e rëndësishmja është ajo e zëvendësimit të gjykatësit të Gjykatës Supreme (të Lartë), Anthony Kennedy, i cili ka kërkuar daljen në pension, duke i dhënë mundësinë presidentit Donald Trump të çimentojë shumicën konservatore në gjykatën më të rëndësishme të vendit të tij.

A. Kennedy është gjykatësi i dytë më i vjetër në mesin e nëntë anëtarëve të Gjykatës Supreme të SHBA-ve, e duke qenë kështu, ai kërkoi para pak kohe që të pensionohet më 31 korrik të këtij viti.Ky lajm ngjalli debate të shumta mes republikanëve dhe demokratëve, pasi mund t’i japi, dhe me shumë gjasa do t’i jap Trumpit mundësinë për të rritur ndikimin e gjykatësve me prirje konservatore në Gjykatën Supreme të vendit të tij.

Është hera e dytë që Presidentit D. Trump i jepet mundësia që të propozojë një kandidaturë për gjykatës në Gjykatën Supreme të SHBA-ve. Në janar të vitit 2017, pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia disa muaj më parë, Presidenti në ikje B. Obama, kërkoi që të caktonte Merrick Garlandin si zëvendësues të Scalias. Por Senati nuk e aprovoi duke qenë se tashmë një president tjetër ishte zgjedhur dhe priste të merrte mandatin. Në 31 janar të2017, presidenti i sapo mandatuar, propozoi si kandidat për të plotësuar vendin e lënë vakant, juristin Neil Gorsuch. Pranimi i tij u bë në Senat me 54 vota, ku pro tij votuan edhe tre senator demokratë. Neil Gorsuch është gjykatësi me moshën më të re i zgjedhur në dekadat e fundit (pas Clarence Thomas) në Gjykatën Supreme.

Nga pikëpamja e opinioneve, A. Kennedy konsiderohej si anëtar me mendime herë të moderuara e herë konservatore në institucionin më të lartë gjyqësor të vendit që ka për detyrë të interpretojë ligjet federale, përfshirë edhe respektimin e Kushtetutës. Ai u bë i njohur për vendimin historik të Gjykatës, se çiftet homoseksuale kanë të drejtën të martohen kudo në Shtetet e Bashkuara. Vendimi ishte një triumf historik për lëvizjen amerikane të të drejtave të homoseksualëve. A. Kennedy ishte njëri prej 5 anëtarëve nga 9 që ka Gjykata Supreme (e Lartë), që votuan pro martesave gay dhe se shtetet nuk mund të ndalojnë martesat mes homoseksualëve.

Në realitet A. Kennedy është emëruar 30 vjet më parë prej Presidentit republikan Ronald Regan. Opinioni i tij, pavarësisht faktit të mundimshëm për të qenë objektiv nuk ja ka dalë të jetë i tillë, sidomos për vendime të rëndësishme si ato që përfshijnë abortin dhe martesat e homoseksualëve. Por ndryshe mendon profesori i njohur i jurisprudencës David Abraham, i cili thekson se vota e tij (Anthony Kennedy)është parë gjithnjë si pro-republikane, gjë të cilën ai e përmend kur thote se: “Fakti që Gjykatësi Kennedy u tregua progresist me të drejtat e homoseksualëve ka krijuar përshtypjen se ai është i moderuar. Pa diskutim që në krahasim me Samuel Aliton dhe Clarence Thomas ai është i moderuar. Por në temat kyçe të brezit të mëparshëm, Kennedy ka qenë vota e pestë që ka mbështetur qëndrimet konservatore”.

Brenda Gjykatës Supreme, herë pas here, e në kundërshti ndaj opinioneve (për çështjet në fjalë) të Anthony Kennedy dhe gjykatësve liberalë të tjerë, për shumë vite kanë qendruar disa figura të rëndësishme e me peshë, siç është ajo e kreut të gjykatës John Roberts, apo Antonin Scalia, duke mos lënë pas edhe Samuel Aliton dhe C. Thomas.

Rasti për martesat në mes të homoseksualëve erdhi deri në Gjykatën Supreme, pasi disa gjykata të ulëta e kishin përmbysur atë. Kjo çështje u konsiderua si një ndër fitoret më të mëdha të lëvizjeve liberale që nga koha e lejimit të abortit në fillim të viteve ’70 në SHBA. Për këtë arsye, vitet e fundit doli sërish në pah roli i kësaj gjykate dhe rëndësia që kishte për opinionin dhe jetën publike lëshimi i verdikteve prej saj.

Nga ky këndvështrim, kjo e bën atë një nyje gordiane për konservatorët dhe momentalisht është krijuar mundësia që ata të shtrijnë ndikimin e tyre mbi këtë institucion, i cili në dekadat e fundit ka qenë mbështetës i pothuajse pjesës më të madhe të nismave e politikave liberale kur ka qenë puna që ajo të thoshte fjalën e fundit. Pra siç shihet, roli kyç që ka Gjykata Supreme në SHBA, e kthen atë në një momentum përplasjesh politike, sidomos kur në tavolinë shtrohen vendime që mund të ndikojnë të ardhmen e vendit për dekada të tëra.

Disa ditë më parë, Presidenti Trump deklaroi se kandidatura e përzgjedhur prej tij, për të zëvendësuar gjykatësin Kennedy, do të ishte ajo e Brett Kavanaught, i cili përveç gjykatësit ka mbajtur edhe postin e sekretarit të stafit në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të George Ë. Bushit. Kavanaught njihet si njeri me pikëpamje konservatore. Gjatë kohës që ai punonte për Zyrën Ligjore Ken Starr, ai luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë kërkesës për impeachment ndaj Presidentit Bill Clinton për skandalin me Monica Leëinsky.

I njohur për mbështetjen që i ka dhënë ndalimit të abortit në SHBA, si dhe për disa vendime të tjera me sfond konservator, në studimin e disa akademikëve për shkallën e konservatorizmit brenda Gjykatës Supreme, ai ka zënë vendin e pestë nga 11 gjykatës të tjerë të marrë në shqyrtim (me sfond po konservator).

Përsa i përket reflektimit të këtij debati përtej SHBA-ve, një rëndësi themelore merr kthesa historike brenda kësaj gjykate. Një numër i madh çështjesh mund të rishikohen nëse mbërrijnë gjer atje, gjë e cila mund të përkthehet më pas në një trendizëm për t’u ndjekur nga shumë shtete të tjera përtej oqeanit. Pranohet gjerësisht se një shtysë të madhe idetë liberale të shekullit të kaluar, sidomos ato në lidhje me homoseksualizmin, abortin, ekonominë, ndryshimet kulturore si dhe lëvizjen e lirë, e kanë pasur drejtpërdrejt nga vendi i lirive dhe demokracisë më të madhe në botë, SHBA-ve. Pikërisht, për këtë arsye, ka lindur dhe frika se kthesa e timonit prej Uashingtonit në drejtim të konservatorizmit, do sjellë mungesë mbështetje për përkrahësit e këtyre lëvizjeve në rrafshin ndërkombëtar.

Megjithatë, në pjesën më të madhe tëEvropës ende nuk ka zbarkuar një frymë e tillë. Ndikimi liberal vijon të mbetet në axhendën e ditës të qeverive evropiane. Teksa në shtetet e vogla, tek ato ku politika amerikane mban një peshë të madhe orientimi e balancash, frika për bjerrjen e terrenit të lëvizjeve liberale ka nisur të dal mbi sipërfaqe. Sigurisht që do duhet ende kohë për t’u qartësuar nëse politikisht, d.m.th., diplomatikisht përfaqësuesit amerikanë në këto vende do luajnë ndonjë rol kyç për mbështetjen e politikave konservatore, apo ata thjesht do përcjellin direktivat që vijnë nga Uashingtoni duke ja lënë në dorë qeverive të ndërmarrin hapat e duhura ose jo.

Njëtrajtësisht me vendet e tjera, pritet që reflektime të ndryshimeve të fundit të nxiten edhe në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë e tërë rajonin Ballkanik. Në të gjitha këto shtete, axhendat liberale e kanë shtrirë influencën dhe ndikimin tyre, si mbi kuadrin ligjor, ashtu dhe mbi atë rregullator nënligjor me kërkesën për përafrimin sipas “acquis communautaire” (akteve komunitare), për t’u anëtarësuar në BE. Madje këtyre përpjekjeve i janë bashkuar edhe ambasadorët e SHBA-ve. Ndryshimet e fundit mund të sjellin që ambasadorët e rinj amerikanë të propozuar së fundmi prej presidentit Trump për Kosovën dhe Shqipërinë, të vijnë me ide të tjera, që kuptohet, s’do jenë të njëjta me ato që janë ndjekur gjer tani.

Një element tjetër që mund të merret si model prej SHBA-ve është edhe debati mes mbështetësve të konservatorizmit dhe atyre të liberalizmit. Gjer më sot mendimtarët, studiuesit si dhe filozofët e ndryshëm, kanë parë tek liberalizmi forcën eksplicite që i kanë dhënë shtysë shoqërisë për të ecur para dhe ndryshuar. Por, disa ndryshime kanë shkuar shumë larg, saqë tashmë nevojitet ndërhyrja e disa forca frenuese për t’i përmbajtur ato.

E tërë situata i ngjan asaj të një skizme të madhe, e cila pasi ka qenë latente, fillon dhe lëshon shkëndija përplasjesh. Nga këto shkëndija lindin dhe debatet e diskutimet e shumta mes përkrahësve të këndvështrimit liberal e atyre të atij konservator për shoqërinë, kulturën, zhvillimet politike dhe qasjen ekonomike.

Një përplasje dhe partitizëm kaq të theksuar, ishte kohë që nuk ishte shfaqur. Hera e fundit kur këto pllaka tektonike u përplasën në nivelin kulturor, ideologjik, politik e ekonomik ishte ajo e fillimit të viteve ’80, teksa Regan e Theçer përvijonin lindjen e neo-konservatorizmit anglosakson. Tashmë kjo qasje, mes përkrahësve të ideve konservatore e atyre liberale, po rikthehet ethshëm në ShBA dhe Evropë.

Në fillim ishte Greqia, e cila e gjendur përball një krize ekonomike pa të ngrihet brenda saj ekstremi i djathtë fashist. Njëkohësisht me Greqinë, në Hungari në vitin 2010 erdhi në pushtet lideri nacionalist Viktor Urban. Ndërkohë që pak muaj më parë, zgjedhjet elektorale në Itali sollën një surprizë të madhe, fituese të tyre dolën partitë e djathta e ato të ekstremit të djathtë, ku spikati “La Lega” e Matteo Salvinit që u rendit parti e tretë.

Nëse do merrnim në konsideratë zgjedhjet e ardhshme parlamentare (2019) të BE-së, ku një pjesë e konsiderueshme e ulëseve mund të fitohen prej partive të djathta e atyre të ekstremit të djathtë, atëherë mund të shprehemi se një “epokë konservatore” po troket edhe për Evropën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco