Lajmi i fundit

EMRA/ Arrestime në Bashkinë e Tiranës, Këlliçi: Për dosjen ...

Rokada e ndikimit ose ‘Game of Thrones-i’ ballkanik i Donald Tuskut

Rokada e ndikimit ose ‘Game of Thrones-i’ ballkanik i Donald Tuskut

Nga Bled Komini - 05/07/2018

Prej kohe, presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian funksionon si një rotacion ndërmjet tri shteteve që e mbajnë atë për 18 muaj, ku secili prej tyre e mban gjashtë muaj e më pas ja kalon shtetit të Trios.

Kjo mënyrë i ka dhënë frymëmarrje trajtimit të tematikave e çështjeve të ndryshme në varësi të agjendës së përbashkët të Trios si dhe trajtimit të problematikave sipas rajonit ku ata shtrihen e janë të vendosur. Njëherazi kjo gjë ndan në mënyrë të baraspeshuar dhe të drejtë udhëheqjen e Unionit në frekuenca kohore të njëjta për të tëra shtetet anëtare.

Kësaj here (korrik 2017 - dhjetor 2018) i ka takuar që presidenca e Këshillit të BE të ndahet ndërmjet Estonisë, Bullgarisë dhe Austrisë. Sipas periudhave 6 mujore të secilit prej shteteve që mban drejtimin e presidencës, pas Estonisë dhe Bullgarisë është radha e Austrisë që ta drejtojë atë (korrik-dhjetor 2018). Duke qenë se Bullgaria e Austria janë shtete, njëri tërësisht ballkanik e tjetri me një të kaluar e ndikim të theksuar në Ballkan, kjo ka sjellë që koordinimi i tyre të fokusohet gjerësisht, ndër të tjera, në një pikë shumë të rëndësishme siç është ajo e parandalimit të rritjes së ndikimit rus në Ballkan.

Duke mos dashur që ta ekuivalentoj apo përkthej termin “Game of Thrones”, po e lë njësoj siç e përmendi në fjalën e tij në janar të këtij viti, Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, kur paralajmëroi, se BE përmes presidencës gjashtë mujore të Bullgarisë, do punojë që të parandalojë ndërhyrjen e Rusisë dhe vendeve të tjera në punët e brendshme të shteteve ballkanike. Kjo në mënyrë që loja e mbështetjes apo rrëzimit nga “froni” të mos kërcënojë kufijtë e BE-së, si dhe të mos ndali proceset evropianizuese të këtyre vendeve.

Kuptohet se ky mesazh, dhe kjo lojë e përmendur prej tij, thumbon së pari udhëheqësit e shteteve të BE-së, për t’u bërë më syçelë karshi rrezikut në rritje të Moskës tek shtetet kufitare me Unionin, si dhe nga ana tjetër u kujton liderëve ballkanas se koha e vasalitetit ndaj shteteve hegjemoniste ka shkuar e tashmë është një tjetër kohë. Për këtë arsye, ata duhet të zgjedhin ose me BE-në e me reformat e nxitura prej saj, ose jashtë BE-së e nën varësinë e shteteve autoritare.

Megjithatë, dhe pavarësisht frikës për një rritje të ndikimit rus në Ballkan, deri më sot shifrat ekonomike tregojnë se BE është partnerja numër një e Ballkanit Perëndimor në fushën e tregtisë, duke zënë 73% të saj, e duke lënë pas Kinën me 5%, Rusinë me 4,8% si dhe vende të tjera që zënë pjesën e mbetur prej 17,2% të vëllimit tregtar.

Nga ana tjetër, prej vitit 2006 e deri në vitin 2016, tregtia BE-Ballkan Perëndimor është dyfishuar duke shkuar prej 21.4 miliard dollarë në 43.6 miliard dollar. Kjo tregon se lidhjet tregtare mes Ballkanit Perëndimor dhe BE kanë ardhur gjithnjë e rritje, ndërkohë që ato me vendet e tjera, nuk kanë njohur ndonjë lulëzim të rëndësishëm për t’u theksuar.

Në rastin e vendit tonë, BE importon 62.5% dhe eksporton 77.7%, duke e kthyer Shqipërinë në vendin më të varur prej import-eksporteve me BE. Pas saj renditet Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Por teksa Shqipëria është vendi më i varur prej BE-së në vëllim tregtar, ajo gjithashtu tregon se pjesa tjetër e vendeve ka një vëllim tregtar më të madh me Rusinë, Kinën dhe shtete të ndryshme.

Duke qenë kështu, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, janë shtetet që gjithashtu kanë një vëllim tregtar të konsiderueshëm me Rusinë. Për këtë arsye, paralajmërimi i Donald Tusk kuptohet më drejtë sidomos në rastin e këtyre vendeve, ku rreziku i ndikimit ekonomik rus mund të preki edhe aspektin politik përmes financimeve të ndryshme. Për sa kohë në një vend gjenerohen të ardhura që kontrollohen prej biznesit rus, për aq kohë edhe mundësia e ndikimit të këtij tëfundit në çështjet politike nuk mund të mos vihet re ose të kalojë pa u marrë në konsideratë.

Deri pak kohë më parë, fluksin më të madh të investimeve në Ballkanin Perëndimor pas BE-së e zinte Rusia me 4,6%, dhe pas saj vinte Zvicra me 3,7%, Norvegjia 3%, Turqia 2%, Kanadaja me 1,4%, USA 1,1%, dhe në fund Kina me 0,1%. Ky fluks tregon sesa janë investimet që vijnë prej këtyre shteteve drejtpërdrejt në vendet e Ballkanit. Sidoqoftë, BE e udhëheq këtë bilanc investimesh me një përqindje prej 72,5%.

Parë në këndvështrimin ekonomik, rivaliteti i investimeve mes BE-së dhe Rusisë, si dhe shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, është i parëndësishëm, gjithnjë nëse i referohemi shifrave.

Por, pesha specifike e këtyre investimeve, si dhe orientimi i fluksit të tyre mbetet një problem shumë i madh, sidomos në ato vende ku korrupsioni ka një rritje apo përdorim galopant. Në realitet ekzistojnë mundësi që shifra të konsiderueshme financiare të përdoren për të joshur liderët e vendeve ballkanike, që në një të ardhme të shpejtë, t’u krijojnë lehtësira bizneseveruse që të shtrijnë ndikimin e tyre në arteriet kryesore të ekonomisë së këtyre shteteve. Kjo do ndikonte në rritjen e bilanceve tregtare negative mes BE-Ballkanit Perëndimor, si dhe më pas rritjen e ndikimit politik rus në vendet që kërkojnë hapjen e negociatave dhe aderimin e tyre në Union.

Në një mënyrë më diplomatike D. Tusk e përsëriti të njëjtën mendim kur mori pjesë në ceremoninë hapëse të Presidencës Austriake pak ditë më parë, në 30 qershor. Fokusi i tij tek siguria e kufijve të BE-së si dhe stabiliteti i shteteve fqinje me BE-në ishte njëra nga pikat më të rëndësishme në fjalën e tij. Ky adresim, përbën një paralajmërim jo vetëm për Brukselin dhe F. Mogherinin që të jenë më të kujdesshëm, por edhe për vet liderët e shteteve ballkanike, që në një mënyrë apo një tjetër e përdorin rrezikun e jashtëm për t’i treguar BE-së se nëse ajo nuk “tregohet bujare” për të hapur negociatat, atëherë ekziston gjithnjë një alternativë e dytë përtej saj. Të gjitha të dhënat statistikore të përdorura më lartë janë marrë prej (http://www.consilium.europa.eu/en/infographics/western-balkans-economy/), duke dashur që të ruaj saktësinë e informacionit, por njëkohësisht edhe për të treguar se “game of thrones” që Donald Tusk përmendi në janar të këtij viti në Sofje, nuk nënkupton vetëm rritjen e ndikimit politik rus, por edhe atë ekonomik si dhe formave hibride të tij.

Kryesisht rritja e ndikimit ekonomik, është faktori primar për të sjellë e gjeneruar më pas rritjen e influencës politike të kujtdo shteti që e ndjek këtë formulë. Kështu, lipset që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregohen të matur në marrëdhëniet e tyre tregtare, të orientojnë bizneset e mëdha larg tregjeve e bashkëpunimeve problematike duke u krijuar lehtësira dhe avantazhe të tjera, si dhe të kontrollojnë koncensionet e konciensionarët (pa cënuar integritetin moral e financiar të tyre) për kompleksitete të mundshme e mundësi ndikimi prej formave hibride që përmendëm më lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco