Për shqiptarët nuk është thjesht një shqiponjë

Për shqiptarët nuk është thjesht një shqiponjë

Nga Ani Kokobobo - 03/07/2018

Kur Zvicra të ndeshet me Suedinë sot në Kupën e Botës, asnjë lojtar nuk do të festojë me gjestin e shqiponjës. Në një ndeshje të 20 qershorit u bë zhurmë e madhe për gjestin e lojtarëve shqiptarë të skuadrës zvicerane.

Pse shqiponja? Dhe pse pati masa nga FIFA?

Pas shënuan dy golat kundër Serbisë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, dy lojtarët kosovarë të kombëtares zvicerane, festuan duke bërë me duar shqiponjën shqiptare. FIFA bëri të ditur se do të gjobiste dy lojtarët shqiptarë dhe kapitenin e tyre zviceran me 10 mijë franga për gjeste festimi që ajo i cilëson si sjellje josportive.

Gjatë së njëjtës ndeshje, tifozët serbë thirrën kundër lojtarëve shqiptarë dhe veshën bluza me foton e Ratko Mladiç, “kasapi i Bosnjës”, i cili u dënua për gjenocid nga gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës. FIFA gjobiti edhe federatën serbe me 54 mijë franga për “shfaqje mesazhe dhe parullash diskriminuese” nga tifozët e saj.

Ndërsa pamja e Mladiçit flet vetë, gjesti me duar i shqiponjës shqiptare, e cila gjendet në flamurin e Shqipërisë dhe nënkupton Shqipërinë si gjuhë shenjash ndërkombëtare, kërkon më tepër shpjegim.

Vendimi i FIFA-s mund të duket një çështje tipike ballkanike. Më 2014, pati revoltë në ndeshjen midis Serbisë e Shqipërisë kur një tifoz komandoi një dron mbi stadium, me hartën e Shqipërisë së Madhe, përfshirë edhe shqiponjën. Siç e ka shpjeguar gazetari Aleks Eror në një diskutim të kohëve të fundit për një ndeshje të Zvicrës, ka shumë realitete historike në lojë për këdo në atë ndeshje të Kupës së Botës.

Serbët e shqiptarët, pa dyshim edhe Serbët e shqiptarët e Kosovës, kanë një marrëdhënie të ndërlikuar dhe histori të gjatë konflikti, sidomos për Kosovën, të cilët serbët e shohin si djepin e qytetërimit serb. Që nga Beteja e Kosovës më 1389, midis Perandorisë Otomane dhe popujve të Ballkanit, provinca mori një rol të rëndësishëm në ndërtimin e identitetit kombëtar serb, përmes eposit të treguar e më pas të shkruar.

Kjo histori e gjatë ringriti krye në konfliktet etnike të Jugosllavisë në vitet ’80 pas vitesh bashkëekzitencë paqësore nën regjimin e Josip Broz Titos. Slobodan Milosheviç e nisi karrierën përmes platformës nacionaliste që instrumentalizoi mitologjinë e betejës për t’i hequr statusin e autonomisë Kosovës së dominuar nga shqiptarët.

Pasi Jugosllavia u shpërbë, humbje të shumta në njerëz nga të dyja anët në fund të viteve ’90 e në fillim të viteve 2000 e çuan konfliktin në pikën e vlimit. Serbia ende nuk e njehj zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndonëse Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte një hap në normalizimin e marrëdhënieve.

Nga kjo perspektivë, ndeshja midis Serbisë e Zvicrës, skuadër me tre Shqiptarë (nga Kosova, pasi është edhe Mehmedi i lindur në Gostivar, Maqedoni – Syri.net), u shenjua nga historia e gjatë dhe e komplikuar e tensioneve etnike. Historia e traumave dhe dhunës është e dhimbshme për të dyja palët, por gjesti i shqiponjës nuk është aq i rëndë sa ai i tifozëve për të veshur bluzat me foton e Mladiçit.

Shqipëria, një vend i vogël me mbi tre milionë banorë, ka ekzistuar si njësi politike për pak më tepër se 100 vjet. Gjatë 500 vjetëve të sundimit turk dhe edhe tani, shqiponja nuk ka qenë simbol i dhunshëm apo agresiv. Ndoshta për një pakicë shqiponja përfaqëson nacionalizmin radikal dhe nocionin e Shqipërisë së Madhe. Gjatë incidentit me dronin më 2014, shqiponja ishte vendosur mbi një hartë të madhe të ndryshuar që tregonte Shqipërinë e Madhe.

Por për shumicën e shqiptarëve, shqiponja tregon thjeht identitetin dhe flamurin e tyre kombëtar, dhe Shqipëri do të thotë “vendi i shqiponjave”. Ndonëse lidhjet gjuhësore mund të jenë rastësore, shqiptarët e shohin lidhjen si të mirëfilltë dhe e konsiderojnë shqiponjën si simbol që përfaqëson popullin shqiptar, duke datuar që në shekullin e 11-të.

Ja një shembull. Kur heroi kombëtar Skënderbeu luftoi kundër turqve gjatë shekullit të 15-të, ai mbante shqiponjën dykrenore për bashkimin e poppullit. Shqiponja, me dy kokat e saj, shërben si ai simbol gjithpërfshirës për të përfaqësuar një popullsi që ka muslimanë, ortodoksë e katolikë.

Duke konsideruar demografinë shumëfetare të vendit, jo shumë simbole të tjerë mund të shërbejnë si identifikues bashkues. Për shqiptarët, shqiponja tregon heroizmin, fuqinë dhe aftësinë si popull për t’u rezistuar katastrofave historike, të cilat kanë qenë me shumicë.

Regjime të ndryshëm politikë kanë kërkuar ta përshtatin shqiponjën, zakonisht duke imponuar simbole mbi dy kokat e saj. Kur Italia pushtoi Shqipërinë gjatë Luftës II Botërore, regjimi i Benito Mussolinit vendosi një kurorë mbi shqiponjën.

Në 40 vitet e pasluftës, regjimi komunist i Enver Hoxhës e zbukuroi shqiponjën me një yll mbi krye. E megjithatë këto simbole politike gjithmonë kanë rënë, të parë nga shqiptarët si përpjekje qorre për të ndryshuar identitetin e tyre.

Pastabiliteti politik dhe ekonomik, nisur më 1990, çoi në një shkallë të lartë emigracioni. Rreth 20 përqind e popullsisë shqiptare e la vendin dhe shumë u drejtuan nga Zvicra, Gjermania e destinacione të tjera, përfshirë SHBA. Qindra mijëra shqiptarë etnikë lanë Kosovën më 1999 për t’i shpërtuar konfliktit, pasuar nga valët e emigrantëve që kërkonin t’i iknin varfërisë.

Për ata jashtë vendit, si Xhaka e Shaqiri, të cilët përballen me humbje kulturore në procesin e integrimit në vendet e adoptimit, shqiponja shpesh mbetet e vetmja gjë e prekshme e identitetit të tyre shqiptar. Me uniformën zvicerane, teksa festonin me shqiponjën shqiptare, dy lojtarët mishërojnë identitetin e imigrantit dhe shprehjen e vetvetes, me hibriditetin e saj, referencat historike dhe mishmashin e besnikërive.

Marrë Washington Post-Përgatiti: SYRI.net

Ani Kokobobo është asistent profesore në Departamentit Slavik në Universitetin e Kansasit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco