Festa dhe suksesi i dështimeve të Rilindjes

Festa dhe suksesi i dështimeve të Rilindjes

Nga Enver Bytyçi - 28/06/2018

Në vjeshtën e vitit 2014 kombëtarja jonë luajti me kombëtaren e Serbisë në Elbasan. Ne humbëm asokohe e ndërkohë humbja u bë festë në oborrin kryeministror të Tiranës. Festuam një humbje!
Ndoshta ishte fitore politike e kryeministrit, me qëllim që humbja e dhuruar t'i bëhej shëndet politik kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ndoshta kryeministri ynë donte t'i jepte homologut të tij serb një mesazh, atë se shqiptarët janë "mikpritës" dhe në shenjë "mikpritjeje" ta dhurojnë edhe një ndeshje futbolli! Por ama u krijua ndjesia se Shqipëria po aplikonte një traditë serbe: Festën e humbjes! Serbët e festojnë edhe sot pas 630 vitesh humbjen e Betejës së Fushë Kosovës! Ata festojnë madje çdo humbje dhe një ditë do ta festojnë edhe humbjen përfundimtare të Kosovës?!

Po Shqipëria çfarë kishte për të festuar me vendimin e Brukselit të datës 25 qershor, kur ministrat e Jashtëm të BE-së, të mbledhur në Luxemburg vendosën shtyrjen e afatit të çeljes së negociatave për pranimin e vendit tonë në Union?! "Ia arritëm.....", thotë kryeministri! Por çfarë arriti? Të shtyjë hapjen e negociatave?! Arritje është kjo? Si mund të festosh e të mburresh me një vendim të tillë, i cili vuri kushte të reja për çeljen e këtyre negociatave në të ardhmen?! Madje kushte fondamentale, të cilat tingëllojnë si për një vend që sapo ka filluar pluralizmin dhe ndërtimin e shtetit juridik të së drejtës. Psh kushte për zgjedhje të lira!!! Kushte për luftën kundër kriminialitetit të organizuar dhe shkëputjen e lidhjeve të politikës me organizatat kriminale!!! Kushte për luftën kundër korrupsionit!!! Të gjitha këto na kujtojnë periudhat e zhvillimeve postdiktatoriale ose postanarkike!

Megjithatë mazhoranca politike vazhdon festën, vijon edhe më tej që humbjet dhe dështimet e saj t'i propagandojë si "fitore"! Shqetësimi im është se kjo mazhorancë politike nuk po aplikon thjesht një lloj standardi të trashëguar nga diktatura, kur pas çdo dështimi shpallej "fitorja e lavdishme"! Apo standardi që "fitoret në diktaturë ishin epokale, sepse sistemi diktatorial "për arritjen e sukseseve" përballej me armikun e brendshëm e të jashtëm"!!! Kjo është njëra anë: Mazhoranca e sotme dhe kryeministri ynë kanë shpallur një fitore, të cilën "armiku i brendshëm" (opozita) në bashkëpunim me "armikun e jashtëm, (Hollanda e Gjermania - Kirchbaum e co) bënë çmos që ta "sabotonin"! Me këtë arësyetim rriten dimensionet e "heroizmit të pashoq" të kryeministrit tonë!

Po festa e humbjes pse? Sepse "vëllezërve" serbë u duhet pranuar dhe tradita, me qëllim që të "forcohen lidhjet vëllazërore" me ta! Njëkohësisht bëhet parapritë për kundërshtërët politikë! Nuk janë të paktë ata që besojnë te suksesi i humbjes! Festa e dështimit na shfaqet si sukses i humbjes! Kështu fack neës-et qeveritare bëjnë efekte elektorale! Njerëzve u duket se përmes humbjeve shkojnë drejt fitorjeve! Jëtojnë ëndërrën e fitores, ndërkohë që përjetimi i humbjes bëhet më i lehtë, më i pranueshëm, sipas konceptit "jetoje jetën, ashtu siç të vjen"!

Festa e humbjes në modelin serb është zbulimi më i ri që na solli Rilindja në këto 5-6 vite qeverisjeje! Bashkë me këtë zbulim ajo na dhuroi shumëçka tjetër: Na bëri refugjatë. Na ngopi me kanabis, kokainë e heroinë! Zhvleftësoi monedhën europiane me paratë e zeza në qarkullim! Po na bën me kulla 50 katëshe, të cilat ndërtohen me paratë e pista të drogës! Na rriti çmimet dhe na uli pagat!

Tani po na poshtron dhe po tallet me ne me festat e humbjes! Sa më shumë që Rilindja qëndron në pushtet, aq më shumë e përditë shtohen paradokset shqiptare në këtë vend! Ndërkohë opozita vazhdon të jetë pa alternativë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco