Treni i mbetjeve për Kosovë…

Treni i mbetjeve për Kosovë…

Nga Bled Komini - 24/05/2018

Për të kuptuar të sotshmen e një populli duhet të shkojmë thellë, të kryejmë një “gërmim arkeologjik” në shtresat e të shkuarës së tij, kështu shprehej Mishel Fuko, kur mbante ciklet e leksioneve mbi dijen dhe pushtetin në Akademinë e Parisit. Disa popuj kanë një të kaluar të lavdishme për të cilën krenohen se të parët e tyre u kanë lënë trashëgimi vepra monumentale, zbulime shkencore, histori lavdish, e kryevepra botërore. Ndërkaq popuj të tjerë që nuk kanë një të shkuar kaq të lavdishme, mundohen të krijojnë një të tashme të suksesshme. Një zgjedhje e zgjuar kjo për t’u bërë pjesë e botës ku jetojmë. Por, përveç këtyre, ekzistojnë edhe popuj të tjerë që kanë një të kaluar të errët, pavarësisht faktit që ata mundohen ta shtrembërojnë dhe ta paraqesin si një “triumf historik” atë pjesë të së shkuarës që ngjet me “mesjetën e errët”.

E shkuara, e tashmja, dhe e ardhmja e njerëzimit nuk ecin në vijë lineare. Gjithnjë ekziston një mundësi për të ndryshuar diçka. E në këtë aspekt Ballkani, bashkë me shtetet e popullsitë që jetojnë në të, kanë përpara vetes një të ardhme më të mirë se ajo e para njëzetë apo tridhjetë viteve më parë. Anëtarësimi në BE, apo NATO (i atyre vendeve që nuk e kanë arritur këtë gjë), si dhe mundësia për t’u bërë pjesë e një zhvillimi jo vetëm kontekstual, por edhe material, u shfaqet përpara si një alternativë madhore, të cilën duhet ta kapin dhe pranojnë; si një pikë ku e ardhmja e tyre duhet afruar me atë të vendeve më të zhvilluara të Evropës e botës.

E shkuara nuk mund të ndryshohet… Por mund të ndryshojmë të tashmen! Të ardhmen! Kështu do të shprehej F. Fukujama në kryeveprën e tij “Fundi i Historisë” teksa parashihte rrëzimin e Bashkimit Sovjetik dhe një të ardhme të shkëlqyer për Perëndimin. Nga ana tjetër, ndërsa të gjithë jemi dëshmitarë të shpërbërjes së Ish Federatës Jugosllave përgjatë viteve ’90, askush nga ne s’mund të thoshte me siguri që e ardhmja e disa popujve të Ballkanit qe e ndritshme. Si Sllovenia, ashtu dhe Kroacia e Bosnje-Hercegovia u shkëputën me luftë, e kjo e fundit pësoi edhe gjenocidet më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore. Të njëjtin fat e pësoi edhe Kosova disa vite më pas. Tash, teksa po futemi në njëzetë vjetorin e ngjarjeve në Kosovë, Serbia, ky xhelat ballkanik, vazhdon të eksportojë mbetje toksike kulturore dhe diplomatike në Ballkan.

A do ta lejojë Perëndimi Kosovën të kthehet në një fushë-mbledhje të toksinave helmatisëse kulturore dhe diplomatike të Serbisë? Kuptohet që një përgjigje i është dhënë qartazi dhe prerazi Beogradit, kur SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s e bombarduan për nëntëdhjetë ditë, gjersa Milosheviçi kapitulloi. E megjithatë në Beograd ka ende shpresë…ata ende provokojnë! Ata ende vazhdojnë të dërgojnë mesazhe…

Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë administratës Obama e panë Ballkanin nën këndvështrimin e konceptit “çfarë nuk lëviz, nuk ndryshon” – që për të thënë të drejtën ishte tërësisht e gabuar, – për aq kohë në nëntokën e mafies ballkanike, korrupsionit dhe “lidhjeve të vjetra” u shfaq fantazma ruse. Tashmë kjo fantazmë filloi të endej e lirë mbi Ballkan. Kompani të mëdha të financuara prej botës së errët ruse filluan të hedhin kapitale gjigante në ekonomitë e brishta ballkanike. Marrëveshjet bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Rusisë kaluan nga një fazë latente, të heshtur, në një fazë aktive, ku dominuan blerjet e armatimeve dhe bashkëpunimeve ushtarake. E tëra kjo në sytë e SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s. Haptazi! E nga ana tjetër, bisedimet ndërmjet Beogradit e Kosovës vazhdonin të endeshin dyerve të burokracisë evropiane. Nën presionin serb, Mitrovica Veriore u kthye në një parajsë kriminelësh, e megjithatë burokracia evropiane vijonte të bënte (dhe të bëj) thirrje për dialog.

A nuk rrezikon Kosova të kthehet kështu në një fushë-mbetje, në një “landfill”, ku diplomacia mesjetare serbe të shprazi tërë arsenalin e saj për të ekzekutuar ose për të ngadalësuar ecurinë e shqiptarëve drejt botës përparuar? Sigurisht që rreziku do mbes i madh, për aq kohë sa SHBA-të të jenë të pavendosura për ta çuar gjer në fund atë që nisën njëzet vjet më parë. Për aq kohë sa Evropa të vazhdojë e të luaj me Rusinë lojën e matriushkave, Kosova do vuaj pasojat e një loje, ku treni i mbetjeve serbe, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, do qëndrojë gjithnjë gati për të kaluar Rashkën dhe për t’u futur në Kosovë. Por kjo, të paktën në këndvështrimin e drejtuesve të rinj në Uashington, nuk ka gjasa të zgjasi edhe për shumë kohë. Një plan i ri do vihet në punë, në mos është vënë.

Po bëhen pothuajse njëzet vjet dhe Kosova vijon të eci ngadalë drejt një rruge të pandalshme, por të vështirë. Dy dekada që Kosova ka shënuar triumfe, por dhe dështime. Të gjitha triumfet e Kosovës kanë qenë fatale për Serbinë, ashtu siç dhe dështimet e Prishtinës kanë shërbyer si një rreze drite për Beogradin. Të gjithë në Beograd shpresojnë për një mrekulli, edhe pse mesjeta e mrekullive ka shkuar, por Beogradi vijon të mbaj gjallë “urën mbi Ibër”. Ndaj, për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, duhet punuar e bashkëpunuar për çmontimin e “urës mbi Ibër”, duhen prerë të gjitha mundësitë për rritjen e ndikimit serb në Kosovë.

‘Novosti’ shkruante para disa ditësh se Amerika ka një plan tëri me katër pika për raportet Kosovë-Serbi. Sipas burimeve të tyre, Amerika ishte e pakënaqur me Brukselin, dhe mënyrën se si ata po e monitorojnë dialogun ndërmjet dy vendeve. Kështu që nëse Beogradi do refuzojë planin e Uashingtonit, atëherë Serbisë do t’i mohohet qasja në BE dhe do të humbasë investimet e drejtpërdrejta të vendeve të BE-së. SHBA-të e kanë kuptuar se të gjitha “urat mbi Ibër” duhen rrënuar. Se mundësitë e mrekullisë serbe po mbahen gjallë prej burokracisë evropiane, e cila në fund të fundit nuk fiton asgjë nga mbajtja e Kosovës në paradhomat e kancelarive të veta. Përkundrazi mbajtja gjallë e një dialogu që vijon pambarimisht ecejaket në hollet, dhomat e paradhomat e Brukselit, është një mundësi e artë për Serbinë, e më tej me Rusinë që të ndikojë në Ballkan e më gjerë.

Fatkeqësisht, Evropa e Vjetër po e kupton se SHBA-të nuk kanë më në plan të investojnë për sigurinë e këtij kontinenti. Plani i ri i presidentit Trump, i cili u shpalos që në fillim të presidencës së tij qe ai i një rendi të ri botëror. SHBA-të do kthehen fuqishëm në arenën ndërkombëtare, por nuk duan të tërheqin rimorkion evropiane. Nëse kjo e fundit do të meremetohet, atëherë duhet ta bëj vetë. Ky mesazh i shprehur pa dorashka, amerikançe, iu përsërit edhe në takimet që presidenti Trump pati me Macron dhe kancelaren Merkel në lidhje me marrëveshjen për Iranin.

Gjeopolitikisht nëse SHBA-të kanë vendosur që të angazhohen personalisht dhe drejtpërdrejt në Kosovë e Ballkan, ndryshe nga çfarë ndodhi gjatë presidencës së Obamës, atëherë konfigurime të reja ballkanike do shfaqen në horizont. Treni i mbetjeve serbe që ka kohë që pret të futet në Kosovë, nuk do ketë mundësi t’i afrohet Rashkës. Edhe të gjitha “urat mbi Ibër” nuk do jenë më simbol i diplomacisë serbe, por i një triumfi shqiptar. Në këtë pikë, politika shqiptare duhet ta kuptojë se SHBA janë horizonti, aleati i vetëm ku duhet të mbështetmi për të arritur që pas një shekulli të jemi të tërë bashkë, ashtu siç në fakt nuk ishim asnjëherë gjatë të shkuarës sonë. Çfarëdo luhatje që pëson busulla, do ishte katastrofike në raport me të ardhmen e shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por dhe më tej.

Një shekull e ca më parë, Edith Durham i hidhte kujtimet e udhëtimeve të saj në trojet shqiptare(ndër shumë të tjera) nëdy libra, “Brenga e Ballkanit” dhe “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”. Në të dy botimet ajo tregonte për mizoritë serbe në Ballkan, e veçanërisht ato ndaj popullsisë shqiptare. E tash pas një shekulli; tash që gjendemi të rreshtuar nga ana tjetër e medaljes, kur për fatin tonë jemi në krah me ata që udhëheqin politikat botërore; tash që kemi njëzet vjet që rrota e historisë po punon për ne; tash s’duhet ta humbim drejtimin. Tash “tuneli” dhe “ura” nga ku kalonte treni i mbetjeve kulturore dhe diplomatike serbe po rrënohen, e mbase mund të fillojë “shekulli i shqiptarëve”.

Megjithatë në virulencat që po kalon Ballkani, rreshtimi përkrah SHBA-ve kërkon vizion, qartësi diplomatike dhe përkushtim. Kuptohet që të gjitha këto kanë kostot e tyre, për më tepër kur në Ballkan qarkullojnë edhe rryma të tjera, të cilat diku dallohen qartë e diku lëvizin nëntokazi. Në Samitin e mbajtur në Sofje javën e shkuar, u bë e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të presin një biletë të shpejtë për anëtarësim në BE. Prandaj të gjitha këto vonesa kanë bërë që Ballkani Perëndimor të kthehet në një fushë loje për pushtet ndërmjet Rusisë, Kinës dhe vet SHBA-ve.

Nga të gjitha ndryshimet që mund të ndodhin, si dhe skemat që mund të aplikohen, hallka më e dobët në Ballkan vazhdon të mbetet Kosova. Për këtë arsye një cedim sado i vogël i politikës shqiptare në drejtim të gabuar, mund të sjellë pasoja të parikuperueshme për Kosovën si dhe vet Shqipërinë. Njëherazi aleancat strategjike nuk kërkojnë vetëm angazhim, por edhe drejtpeshim të politikave, planeve dhe strategjive. E nëse do ndodhi që Shqipëria do vazhdojë të shfaqet e paqartë, ashtu siç ndodhi në OKB pak kohë më parë, kjo mund t’i sjellë asaj përfitime momentale e afatshkurtra, e aspak përfitime afatgjata. Në këtë rrafsh do gjendemi përballë, jo vetëm me Serbinë dhe aleatët e vet, por edhe përballë njëri-tjetrit. Ku Kosova do vazhdojë rrugën e saj duke u mbështetur tek SHBA-të, ndërsa Shqipëria do mbesë në një aks të paqartë, që edhe mund t’i kushtoj shtrenjtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco