Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Pse Edi Rama është tërbuar me RAI 3?

Dy standardet e një hetimi

Dy standardet e një hetimi

Nga Patrik Sadikaj - 12/04/2018

Ka më shumë se dhjetë ditë që këshilltarët bashkiakë të Kukësit, paditën zyrtarisht policinë dhe prokurorinë për ‘arrestimet e paligjshme të 23 qytetarëve kuksianë’ që protestuan në rrugën e Kombit 31 marsin e shkuar. Megjithë kohën e kaluar, deri më tani organi hetimor nuk ka kryer asnjë veprim, për një çështje që kërkon hetim të shpejtë. Mjafton të kujtojmë se 11 nga të arrestuarit janë ende në qeli, duke pretenduar se arrestimi i tyre është bërë në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të ligjit.

“Nxjerrja pa kryer asnjë verifikim apo hetim e urdhrave të ndalimit, është bërë me qëllimin kriminal të frikësimit të banorëve dhe intimidimit të tyre për të mos ushtruar të drejtën kushtetuese të tubimit dhe lirisë së shprehjes”. Ky është një fragment nga padia e këshilltarëve të Kukësit dhe në mënyrën e formulimit, është një akuzë shumë e rëndë për të cilën Prokuroria duhet të bëjë transparencë. Kjo bëhet me një hetim të shpejtë dhe të paanshëm. Në këtë rast, mungon edhe shpejtësia edhe paanësia.

Mjafton të përmendim disa fakte. Për veprimet e qytetarëve, ndërsa protesta e tyre në rrugën e Kombit ende nuk kishte përfunduar, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, nxitoi të porosiste prokurorinë e Kukësit që të hetonin shpejt dhe për këtë bëri shumë mirë. (“Kryeprokurorja znj. Arta Marku kërkon, mbështet dhe vë në dispozicion të Prokurorisë së Kukësit të gjitha burimet logjistike dhe njerëzore për zhvillimin me intensitet dhe rezultativ të hetimeve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë penale të cilitdo që ka shkelur ligjin”). Por një gjë të tillë nuk e bëri aspak, qoftë edhe si inkurajim publik, të nesërmen kur ndaj institucionit të drejtuar prej saj pati një padi nga këshilltarë të zgjedhur me votën e qytetarëve. Pra, dy standard brenda 48 orësh nga ana e prokurorisë e cila nuk mundi të na provojë të paktën deri tani paanësinë e saj në këtë hetim delikat.

Po sjell edhe një fakt tjetër. Nga ana e organit të akuzës ka nisur një hetim kryesisht për akuzat politike ndaj Partisë Demokratike për lobimin në SHBA. Mjaftuan deklaratat politike të bëra në media që organi i akuzës të vrapojë e të nisë hetimin, madje ka nisur edhe marrja e personave (zyrtarë të PD) në pyetje. Edhe në këtë rast, prokuroria bën shumë mirë, por të njëjtën shpejtësi e paanësi duhet të tregojë edhe me qytetarët e thjeshtë e të zgjedhurit e tyre që ndryshe nga rasti I parë nuk kanë akuzuar askënd nëpër mediume politike, por me padi zyrtare në prokurorinë e Tropojës.

Këto veprime apo mosveprime (si në rastin e deputetit socialist A.Hyseni), Prokuroria tashmë e “çliruar” politikisht na ngre një re të madhe skepticizmi në veprimin e saj profesional dhe të paanshëm. Qytetarët e Kukësit dhe këshilltarët e tyre bashkiakë, fort mirë kanë sot të drejtën të dyshojnë për veprime politikisht të mbështetura ndaj tyre dhe po ashtu politikisht mosveprimet ndaj padisë së tyre.

Është në dorën e organit të akuzës që të provojë të kundërtën. Padia e këshilltarëve kuksianë mund të mos ketë asnjë bazë apo provë ligjore, por këtë duhet të na e thotë Prokuroria pas një hetimi të paanshëm e transparent. Nxitimi për të hetuar çdo gjë që ka emrin “opozitë”, dhe për të mbyllur sytë kur kjo gjë ka emrin “qeveri” nuk i shërben aspak qëllimit për të cilën biem dakord dhe e mbështesim të gjithë: drejtësi realisht e reformuar dhe e paanshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco