Dënimi është dhënë

Dënimi është dhënë

Nga Agim Xhafka - 03/04/2018

Tasimi ka tre ditë që fle para drejtorisë së policisë në Tiranë. Ja te ajo lulishtja atje. Hedh kapotën sipër e pret mëngjesin. I kanë arrestuar djalin e vogël. Ka qëlluar me një gur që mbase mund të ketë thyer një xham,është akuza për të.

Ka lënë në Kukës plot gjashtë frymë. Fëmijët, gruan dhe pleqtë e tij. Jemi më shumë, por dy djem, më të rriturit, i kam në Angli. Ikën me një makinë frigorifer nga Franca e deri sa mbërritën i thyen dhëmbët e tyre nga e ftohta.

Po të ishte rruga gjysmë ore më e gjatë do m’i sillnin xhenaze. Por zoti është i madh, i mbrojti dhe ata si ëngjëj na dërgojnë ca para, sa mos vdesim.

Kur e pyes Tasimin se sa vjet mund ta burgosin çunin, thotë:

-Eh, dënimi ynë është dhënë me kohë. Me burgim të përjetshëm, e kemi si familje, si fshat dhe si zonë. Që kur na përmbytën tokat e nuk na dhanë një lek, që kur u mbyllën minierat e nuk u hap një punë, që kur rinia rri rrugëve pa shkollë e pa zanat,që kur qyteti mori vrapin drejt Evropës, që kur zihemi e grindemi mes vedi, që kur na ndodh që flemë dhe pa ngrënë. Nuk kemi ndryshim nga ata që janë brenda në qeli.

-Po pse ke ardhur deri në Tiranë atëherë?

-Deri në Afrikë do shkoja, po ta çonin birin tim atje. Nuk erdha për gjyqin dhe dënimin. Erdha që djali të shohë se babai është me të, babai nuk është si qeveria. Babai ka zemër e dashuri, babai ka krahë të ngrohtë që kur ta përqafoj t’i ngrohet qelia. Erdha se ai është njeri, është zemra ime. Do ndërresa, ushqim, shikim e dy lot që na lidhin më fort. Sa për dënimin, kot lodhen prokurorët e gjykatësit. Dënimin me burgim të përjetshëm ka vite e vite që na e kanë lexuar. Më mirë të heshtin tani që mos bëhen të mërzitshëm...

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco