Bumi në turizmin e akullnajave po vjen me një kosto për ekosistemet e ndjeshme dhe po përshpejton proceset klimatike, duke shkaktuar zhdukjen e këtyre monumenteve të ngrira, thonë studiuesit në një paralajmërim për 14 milionë njerëzit që shkojnë në turne akullnajash çdo vit.
Këto fusha të trasha dhe kilometra të gjata akulli, që duken të palëvizshme në natyrë, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, shkruajnë në revistën Nature Climate Change, studiues nga Universiteti i Lozanës në Zvicër dhe Universiteti Rice në Hjuston të Teksasit.
Turistët duan të shohin një botë në zhdukje për sa kohë që janë ende në gjendje, si pjesë e një trendi të njohur si "turizmi i shansit të fundit". Por, duke udhëtuar atje në mënyra të dëmshme për mjedisin, ata vetëm sa përshpejtojnë rënien e botës që admirojnë, thotë gjeografi Emmanuel Salim nga Lozana.
Disa turistë madje rezervojnë fluturime me helikopter mbi akullnaja, duke çuar në më shumë emetime të CO2, thotë ai. Ndërkohë, në zonat e akullnajave po hapen shtigje posaçërisht për ecje në natyrë.
"Të jesh pranë këtyre trupave gjigantë akulli është një përvojë e fuqishme sepse ato janë mrekulli unike natyrore që lëvizin, kërcasin, pëshpërisin dhe ftojnë për reflektim", shkruan antropologu Cymene Howe i Universitetit Rice në studimin e publikuar më 9 shkurt.
Ata thonë gjithashtu se popullsia vendase në vende si Alaska ose Groenlanda, shpesh përfiton pak nga vizitorët, pasi të ardhurat mbeten kryesisht tek operatorët turistikë. Vizitorët gjithashtu shpesh mësojnë pak, rreth shqetësimeve të njerëzve vendas.
Shumë turistë thjesht do të kalojnë në destinacionin tjetër të njohur, pasi akullnajat të jenë zhdukur, thotë Salim.
Ai argumenton se çfarë do të thotë turizmi për ekosistemet, duhet të analizohet më mirë. Ai gjithashtu thotë se popullsia lokale duhet të marrë pjesë në të ardhurat nga turizmi i akullnajave. Për më tepër, duhen bërë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e vizitorëve për çështjet mjedisore./ DPA News.
© SYRI.net