Miliona fëmijë rrezikojnë të përjetojnë rritje të ngadaltë, nëse emetimet që bllokojnë nxehtësinë, vazhdojnë të djegin planetin.
Rreziqet e nxehtësisë ekstreme janë tashmë të përcaktuara mirë, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që paralajmëron se ekspozimi ndaj temperaturave të larta, përkeqëson sëmundjet themelore si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe astma.
Këtë verë, rreth 24,400 njerëz vdiqën si pasojë e valëve të të nxehtit, që përvëluan pjesë të mëdha të Evropës. Pa ngrohjen e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, shkencëtarët thonë se 16,500 prej këtyre vdekjeve mund të ishin shmangur, që do të thotë se ndryshimi i klimës ishte përgjegjës për trefishimin e numrit të vdekjeve.
Tani, studiuesit në UC Santa Barbara kanë paralajmëruar se rreziqet e motit ekstrem janë nënvlerësuar prej kohësh, dhe shtrihen shumë më tej nga sa e kuptojnë shkencëtarët dhe mjekët.
Si lagështia përkeqëson ndikimin e nxehtësisë ekstreme
Raporti i ri, i botuar në Science Advances, zbuloi se lagështia e përkeqëson rezultatin e nxehtësisë ekstreme, krahasuar me temperaturat e larta vetëm. Kjo ndodh kryesisht sepse njerëzit ftohen nga djersitja, por avullimi ngadalësohet kur ajri është i lagësht.
“E gjithë ajo nxehtësi grumbullohet në trupin tonë, duke shkaktuar stres nga nxehtësia”, paralajmëron autorja kryesore Katie McMahon, duke shpjeguar se kjo mund të ndodhë edhe kur temperaturat janë të ulëta, por lagështia është e lartë.
Gratë shtatzëna janë veçanërisht të ndjeshme ndaj stresit nga nxehtësia për një numër arsyesh, duke përfshirë peshën e shtuar dhe ndryshimet hormonale, që i bëjnë ato më të ndjeshme ndaj mbinxehjes.
Stresi nga nxehtësia mund të shkaktojë lindje të parakohshme në fund të shtatzënisë, duke rezultuar në probleme zhvillimore dhe shëndet të dobët tek fëmijët, të cilat mund të jenë të vështira për t’u kapërcyer.
“Moti ekstrem dëmton shumë më tepër njerëz sesa vret”, shton McMahon, duke argumentuar se përqendrimi vetëm te vdekshmëria, lë pas dore një pjesë të madhe të mënyrës se si këto kushte ndikojnë në jetën tonë.
A mund ta pengojë ndryshimi i klimës rritjen e fëmijëve?
Studiuesit analizuan raportin e gjatësisë së një fëmije krahasuar me mesataren për moshën e tij, e cila përdoret zakonisht si një tregues i shëndetit kronik për fëmijët nën moshën pesë vjeç.
Ata zbuluan se shumica e fëmijëve që përjetuan rritje të nxehtësisë dhe lagështisë gjatë çdo tremujori para lindjes, do të ishin 13 për qind më të shkurtër për moshën e tyre sesa pritej. Në të kundërt, rritja e ekspozimit ndaj nxehtësisë ekstreme vetëm përkthehet në një ulje prej një për qind të gjatësisë për moshën.
Studimi u krye te gratë shtatzëna që jetojnë në Azinë Jugore, të cilat shkencëtarët argumentojnë se mund të goditen veçanërisht rëndë nga nxehtësia ekstreme në vitet e ardhshme.
Nëse ekspozohen ndaj kushteve të pritura deri në vitin 2050 sipas një skenari me emetime të larta, rreth 3.5 milionë fëmijë do të kenë përjetuar prapambetje në rritje vetëm në rajonin e studimit.
“Edhe nëse shoqëritë ia dalin ta kufizojnë ngrohjen në 2°C mbi nivelet paraindustriale, Azia Jugore pritet të vuajë nga ngjarje vdekjeprurëse të nxehtësisë çdo vit”, shkruajnë autorët./ Euronews.
© SYRI.net