Depresion milionerësh - Të pasurit që paraja nuk ua bleu lumturinë

Depresion milionerësh - Të pasurit që paraja nuk ua bleu lumturinë

13:15, 17/09/2023
A+ Aa A-

"A mund ta blejë paraja lumturinë?"  Një pyetje që të gjithë ja kemi bërë vetes të paktën një herë, e njëkohësisht një pyetje kontraverse përgjigjja e sëcilës mbetet subjektive. Shpesh herë e gjej veten duke paralelizuar shembuj të ndryshëm, qofshin nga miq të afërm apo nga të panjohurit në internet, për të kuptuar më mirë nëse pasuria mund të kthehet vërtetë në një melhem për të shëruar një jetë të zbehtë; edhe pse empatia ndaj këtyre shembujve kurrësesi nuk mund të jetë e mirëfilltë e në përmasa të sakta.

Tendenca e shumë njerëzve është të idealizojnë jetën e të pasurëve, të himnëzojnë paranë duke e konsideruar si maja e piramidës, shkallët e sëcilës duhet të ngjisim gjatë të gjithë jetës. Të gjithë kanë synimet e tyre në jetë - në fund të ditës ato e mbajnë njeriun e gjallë - por, pa e kuptuar, shumë synime përfundojnë aty ku nis pasuria, duke e bërë të duket sikur ka një korrelacion të drejtë midis mirqenies psikologjike dhe të ardhurave financiare.

Teksa parimisht tingëllon si diçka që nuk lë vend për diskutim, i drejtoj vetes pyetjen: Nëse paraja është gjithçka, çfarë ndodh pas pasurisë? çfarë na bën ne të lumtur pasi ky synim kaq i adhuruar e i lartësuar përfundon?

Jo pak herë i rikthehem intervistës së një prej të arratisurëve të Koresë së Veriut, një djalë i varfër, që jetonte në dëshpërimin e mungesës së lirisë së fjalës, pa patur mundësinë as ta konceptojë termin 'demokraci'; një djalë i rritur në një familje ku ushqimi ishte lluks, e nevojat bazike biologjike për të jetuar nuk merreshin për të mirëqena. I guximshëm e me vendosmëri të frikshme, ai arratiset me sukses për në Seulin e Koresë së Jugut: një ndryshim i paimagjinueshëm e një jetë në dukje shumëngjyrëshe. Ndërsa dukej sikur çdo problem u minimizua e u zhduk nga frymëmarrjet e lirshme të jugut, rrugëtimi i tij nuk do të ishte i lehtë. I riu thekson se kjo arratisje që dukej sikur do rikthente ngjyrat në jetën e tij, u bë prezantimi i parë me depresionin. Jeta e shpejtë, njerëzit e nxituar për punë, mungesa e buzëqeshjes së kalimtarëve në rrugë, e mbi të gjitha skllavërizmi i theksuar ndaj kapitalizmit, e çoi atë drejt tentativës për vetëvrasje.

Kjo histori paradoksale ku vendos përballë varfërinë dhe depresionin, na bën të kuptojmë që vërtetë paraja mund të vendoset në plan të dytë.

Jo vetëm kaq, por depresioni i vendeve të pasura, vetëvrasjet e milionerave, por mbi të gjitha dhe fituesit e llotarive të shifrave të frikshme që përfundojnë në terapi me psikologë, janë dëshmitarët kryesorë që jo domosdoshmërisht paraja përkthehet në lumturi, e jo domosdoshmërisht është formula magjike që skalit lumturinë e shpirtit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco