Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar sot dekretin me të cilin shkrimtarit, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.
Dekreti i nënshtetësisë, Kadares do t’i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.
Në qershor të këtij viti, presidentja Osmani, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
© SYRI.net