Reportazhi/ Si u bë Tina Turner një ikonë e pazakontë në Shqipëri

Reportazhi/ Si u bë Tina Turner një ikonë e pazakontë në Shqipëri

11:40, 27/05/2023
A+ Aa A-

Nga Chelsi West Ohueri, AL JAZEERA

“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock ’n’ Roll’, vdiq në paqe sot në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, në shtëpinë e saj në Kusnacht, pranë Zyrihut, Zvicër”, bëri të ditur me një deklaratë publicisti i saj të mërkurën.

Lajmi i ndarjes nga jeta i legjendës së muzikës çoi në një lumë homazhesh nga e gjithë botë, teksa adhurues të muzikës, këngëtar, sportistë e politikanë shkruan në median sociale për të përkujtuar jetën dhe sukseset e shumta të saj.

Me baladat e fuqishme dhe hitet e vallëzimit që luheshin pa pushim në radio dhe me videot që dominonin ekranet televizive, edhe unë rri e mendoj për kohërat kur Turner dhe muzika e saj preknin jetën time. Dhe kujtimet më çuan menjëherë edhe aty ku nuk ta pret mendja, në qytetin-port shqiptar, Durrës.

Si antropologe sociokulturore që studion racat dhe përkatësinë, kam bërë prej shumë kohësh kërkime në Shqipëri dhe Evropën Lindore për çështje të lidhura me formimin e identitetit, praktikat kulturore dhe globalizimin.

Më 2018, gjatë një vizite në Durrës, u ndesha me një statujë bronzi në përmasa reale të Turnerit në një shesh plot kafene, jo larg plazhit. Vendosur pranë statujave të Mick Jagger, John Lennon e Bob Dylan, figura e Turner me mikrofon në dorë, veshur me minifund e taka të larta, ishte një shenjë e qartë e ndikimit të saj global.

Meqë e kisha vizituar rregullisht vendin që nga 2006 e madje edhe kishte jetuar atje për disa periudha, nuk u habita të shihja Turnerin të nderohej në atë mënyrë në një qytet shqiptar.

Gjatë kohës atje, dëgjoja shpesh muzikë rock amerikane në lokale. Në udhëtimet rrugëve me erë nga veriu në jug ulesha pranë shoferëve të autobusit apo furgonit që vazhdimisht dëgjonin në radio muzikë rock – shpesh muzikën e Tina Turner – duke kënduar këngën. “Ne shqiptarët e duam rock ‘n’ roll-in”, thoshin. “Kjo muzikë është më e mira”.

Më kujtohet një herë që isha ulur në një kafé pranë apartamentit tim në Shqipërinë e mesme teksa i zoti i saj kishte vënë këngë nga albumi “Private Dancer” i Tina Turner. Nisa të këndoja dhe unë dhe, kur kryqëzuam vështrimet, ai ngriti gishtin e madh dhe tha: “Kjo është më e mira”!

Turner nuk dha kurrë ndonjë koncert në Shqipëri, por ajo është ikonë e lirisë dhe fuqisë në sytë e shumë shqiptarëve.

Ka disa arsye për vlerësimin e madh që Turner gëzon në Shqipëri dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore.

Për rreth 47 vjet, Shqipëria përjetoi atë që shumë e quajnë si regjimi komunist më shtypës në Evropën Lindore. Diktatori Enver Hoxha sundoi me grusht të hekurt dhe këputi të gjitha lidhjet me botën perëndimore. Lëvizjet jashtë vendit ishin shumë të kufizuara dhe lëvizjet brenda tij shumë të kontrolluara. Radioja dhe televizioni shtetëror transmetonin shumë pak gjëra veç propagandës. Aksesi në muzikën e vendeve të tjera ishte jashtëzakonisht i kufizuar, dhe ndërsa disa qytetarë bënin përpjekje të fshehta për të pasur akses në kulturën perëndimore, shumë nuk e bënin, sepse pasojat do të ishin të rënda.

Hoxha vdiq më 1985. Në vitet që pasuan, komunizmi në Shqipëri, ashtu si kudo në Evropën Lindore, nisi të shthurej dhe vendi filloi t’i hapej gradualisht perëndimit. Fillimi i viteve ’90, era në të cilën shqiptarët nisën të kishin ekspozim të rregullt ndaj muzikës perëndimore, koincidoi me kulmin e karrierës së gjatë e të ndritur të Tina Turner.

Ajo përfaqësonte në Evropën Lindore liritë e perëndimit në një periudhë të karakterizuar nga optimizmi e shpresa për një të ardhme më të ndritur. Shqipëria ishte vendi i fundit që rrëzoi regjimin komunist më 1991 dhe përpjekjet u udhëhoqën nga të rinj të etur për t’u lidhur me komunitetin global. Pavarësisht rënies së regjimit, lëvizja jashtë Shqipërisë nuk ishte aq e lehtë dhe shumë njerëz u përballën me sfida teksa përpiqeshin të navigonin terrene të reja. Por qarkullimi i muzikës ishte një nga dritaret që iu lejoi shqiptarëve të udhëtonin e imagjinonin në mënyra të reja.

Historia personale e Turnerit për këmbënguljen dhe forcën, mbijetesën në vitet e abuzimit në familje për t'u bërë një superstar, rezonoi edhe me njerëzit e Evropës Lindore, të cilët pësuan disa konflikte vdekjeprurëse dhe valë shpërnguljeje në dekadat pas rënies së socializmit shtetëror. Historia e jetës dhe muzika e Turnerit u dha shpresë miliona njerëzve në të gjithë rajonin.

Në një episod më 2021 në The Voice Australia, për shembull, këngëtarja Rita Ora u përlot pas performancës së një konkurrenteje të kopertinës së Proud Mary të Turnerit. Ora foli për betejat e fëmijërisë së saj, teksa rritej në Mbretërinë e Bashkuar duke u ndjerë kaq ndryshe nga ata që e rrethonin. Ajo tha se Turner ishte frymëzimi dhe idhulli i saj gjatë kësaj kohe të vështirë.

Pavarësisht se nuk shkoi kurrë në Shqipëri për të parë statujën e saj, Turner vizitoi Evropën Lindore disa herë gjatë karrierës së saj të gjatë. Ajo dha një koncert në Beograd më 1975, si dhe në Bullgari e Poloni në vitet ‘80. Performanca e saj në Poloni në vitin 1981 u prit veçanërisht mirë sepse siguroi një shpëtim të shkurtër nga krizat mbytëse politike dhe ekonomike.

Statuja e Turnerit në Durrës thuhet se u hoq gjatë një projekti rindërtimi në vitin 2022 dhe është ende në pritje për t'u zhvendosur. Pavarësisht heqjes së përkohshme të statujës – e cila ishte kthyer në një atraksion turistik më vete pasi shumë turistë vizituan shëtitoren e Durrësit për të bërë foto me të – trashëgimia e Turner vazhdon të jetojë në Shqipëri.

Artistë shqiptarë si Era kanë kënduar këngë të Turner, të tilla si The Best. Edhe breza më të rinj shqiptarësh, që nuk janë familjarë me rolin e saj në ngritjen shpirtërore të njerëzve në vitet ’80 e ’90, duket se e pëlqejnë njësoj. Më 2019, një konkurruese në The Voice Kids këndoi Proud Mary para audiencës së entuziazmuar. Me këngët e saj njerëzit kërcejnë edhe në dasma e festa familjare. Videot muzikore transmetohen rregullisht nga shumë televizione në rajon.

Turner ishte legjendë – gjigante. Si arriti një grua amerikane me ngjyrë, e lindur në jugun e SHBA të viteve ’30 të bëhej kaq e famshme në Evropën Lindore? Popullariteti i saj flet për talentin dhe forcën e zërit të saj. Por flet edhe për qëndresën, pasionin dhe apelin e mesazhit të saj për forcë, liri e këmbëngulje.

Këtë javë, adhuruesit e Tina Turner vajtojnë vdekjen e saj, por pa dyshim, pavarësisht mungesës fizike, trashëgimia e saj do të jetojë në Shqipëri dhe kudo në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco