Shfaqja në Kosovë ku po rrihen e po shahen: A duhet ndaluar ‘It’s my home’ në TV?

Shfaqja në Kosovë ku po rrihen e po shahen: A duhet ndaluar ‘It’s my home’ në TV?

10:52, 15/09/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - Ka disa ditë që ka nisur një reality show, i quajtur ‘It’s my home’, në një televizion periferik. Mirëpo, tri ditë pas nisjes, aty ka shpërthyer dhuna fizike e gjuha vulgare, të cilat transmetohen te publiku drejtpërdrejt. Një transmetim i tillë, është i ndaluar sipas institucioneve që merren me rregullimin e medieve. Në duhet të ndalohet shfaqja e këtij reality show dhe çfarë masa ka ndërmend të merr KPM, Syri.net Kosova sjell versionet më poshtë

Nga Erdonit Hoxha.

‘It’s my home’ quhet reality show që ka marrë dritën jeshile për t’u transmetuar, në një televizion jo fort të ndjekur. Por, dhuna që ushtrohet aty, sidomos ndaj vajzave dhe gjuha vulgare mes banorëve, kanë bërë që të gjithë të kthejnë kokën nga TV në fjalë.

Ky degradim medial, ka nxitur reagime të shumta në masë, të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e transmetimit të tij dhe marrjen e masave nga ana e Policisë, për dhunuesit fizik.

Këta të fundit, kanë nisur rast për njërin nga banorët që ushtroi dhunë, të cilin më pas e kanë liruar me procedurë të rregullt!

Gjithë kjo hallakamë që u bë, në formën më të keqe të mundshme, u arsyetua nga pronari i medias dhe organizatori i këtij reality shou, Valon Maloku, i cili tha se ata po thyejnë tabu, po guxojnë dhe videot e tilla po merren nga portalet për klikime.

Pra, sipas Malokut, audienca nuk po e sheh se çka po ndodh aty realisht por po “mashtrohen” prej portaleve, derisa, gjithçka është e qartë: ‘Në It’s my home’ ka dhunë fizike dhe gjuhë vulgare të tipit “unë të çkyj si macen”!!!!!

Sidoqoftë, për realityshow=n në fjalë ka reaguar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Përmes një shkrimi për medie, nga KPM kanë thënë se ka iniciuar monitorimin dhe vlerësimin e përmbajtjeve të shfaqura, të cilat mund të bien ndesh me legjislacionin e KPM-së dhe se për masat ndëshkuese publiku do njoftohet me kohë.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përcjell me vëmendje përmbajtjet e transmetuara së fundi  në media, respektivisht televizionin First Chanel.  Nisur nga obligimet ligjore si rregullator dhe shqetësimet e publikut që kanë të bëjnë me imazhet e paraqitura në televizionin First Chanel, KPM ka iniciuar monitorimin dhe vlerësimin e përmbajtjeve të shfaqura, të cilat mund të bien ndesh me legjislacionin e KPM-së.  KPM në lidhje me këtë rast në mënyrë transparente do të njoftojë publikun për veprimet e marra në zbatim të legjislacionit të KPM-së.   KPM kërkon nga ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuele që të kenë kujdes gjatë transmetimit të programeve dhe emisioneve të drejtpërdrejta pavarësisht formatit të tyre dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të mënjanuar manifestimin e dhunës dhe përdorimin e gjuhës vulgare dhe ofenduese” thuhet në njoftim.

Ndodhitë në këtë realityshow i ka komentuar edhe profesori i gazetarisë, Alban Zeneli.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Zeneli më së shumti ka folur për rregullatorin e medieve, KPM, për të cilin tha se ka ligje të përkthyera që në kohë të UNMIK-ut, të cilat nuk përputhen me nevojat e televizioneve dhe radiove në Kosovë.

“Në fakt, nëse e shohim atë skenë ajo është një skenë që nuk do duhej shfaqur në televizion. Çështja është se ajo një realityshou që shfaqet drejtpërdrejt dhe medie në fjalë nuk ka mundur të ndërhyjë për të mos e transmetuar atë pjesë. KPM përmes rregullatives së vet e ka të ndaluar promovimin e dhunës dhe shfaqjen e saj në televizion. Nëse e shohim aspektin ligjor të KPM-së, mendoj që ajo duhet ta trajtojë me urgjencë jo vetëm këtë rast, por edhe shumë raste tjera, ku shihet se ka tejkalime të etikës nga ana e medieve, pasi autoriteti i KPM-së është ushtrimi i kontrollit mbi radio dhe televizione. Aspekti ligjor i KPM-së ka nevojë për përditësim, kjo duhet në bashkëpunim me njohës të fushës dhe pronarë të medieve të cilët do të pajtoheshin që të ndryshojnë këtë korpuz ligjeve, të cilat janë të tejkaluara dhe të shkruara në kohë të UNMIK-ut dhe vetëm janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe këto ligje nuk u përgjigjen nevojave që të rregullohet sfera e TV dhe radiove në Kosovë” tha Zeneli.

I pyetur se a duhet mbyllur medie që vazhdon me promovimin e dhunës, profesori i gazetarisë tha se nuk është pro mbylljes së medieve, por, atyre që dalin jashtë limiteve, duhet t’u shqiptohen gjoba.

“Në parim unë nuk jam që të mbyllet asnjë medium, por, mendoj se duhet të ripërcaktohen disa rregulla të lojës që i përcakton KPM. Nuk jam që të mbyllet asnjë institucion medial, por, natyrisht për tejkalim të etikës nga ana e tyre duhet të ketë vërejtje, madje, të shqiptohet edhe gjobë, të cilat janë të caktuara nga KPM, e që mund ta kapin shifrën e 50 mijë euro për shembull” përfundoi profesori.

Nga ana tjetër, deri në zbatim të masave të parapara nga KPM, ‘It’s my home’ po vazhdon me transmetim, me një nivel shumë të dobët etik.

Kujtojmë se, edicionet e tilla thithin shumë sponosorë, pasi, shikohen shumë - dhe sponsorimet e tilla përkthehen në para.

Pra, këtu shihet qartë se ideja është te përfitimet materiale, e jo te ajo që shfaqet në ekran.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco