Rep dhe degjenerim? - Artistë dhe sociologë në Kosovë komentojnë për 'këngët që vrasin'

Rep dhe degjenerim? - Artistë dhe sociologë në Kosovë komentojnë për 'këngët që vrasin'

13:50, 31/05/2022
A+ Aa A-

Muzika rep në Kosovë ka nisur të dëgjohet që nga paslufta. Deri sot, në skenë janë shumë reperë, por, tekstet e tyre po kritikohen me të madhe dhe artistët e tillë po quhen si nxitës të dhunës, prostitucionit dhe vrasjes. A duhet të dëgjohet muzika rep dhe a është filli i të këqijave shoqërore te ky zhanër muzikor? Syri.net Kosova sjell më poshtë përgjigje e mendime për këto dy pyetje

Nga Erdonit Hoxha, Syri Net. Kosova

Numërojnë miliona klikime në Youtube, mijëra euro nga koncertet dhe në intervista tregojnë për jetën e tyre, trimërinë që kanë dhe arritjet në karrierë. Janë këta reperët shqiptarë, këngët e të cilëve këto ditë të fundit po kritikohen me të madhe, për shkak të përmbajtjes që kanë, pasi, po thuhet se po promovohen antivlerat.

Në fakt, a është repi muzika që (s)duhet dëgjuar?

Se sa është i duhur si zhanër dhe a mund të ketë rol ndikues në masë, ka folur edhe ish-reperi kosovar, Fatmir Miftari, i njohur si Don Pizhi.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Miftari tha se duke qenë një treg kaq i madh muzikor, është e pamundur që të mos ketë tekste që nuk ja vlen të dëgjohen.

Image

“Në parim, muzika rep shpërfaq realitetin e një shoqërie, gjithnjë duke i dhënë një dozë të artit krijues këngëve dhe ndonjëherë ekzagjerues, për të marrë vëmendjen e publikut. Në gjithë këtë krijimtari që bëhet, është e pamundur të mos ketë edhe tekste te tilla që nuk ja vlen me u dëgju dhe me u promovu, por, gjeneralizimi i muzikës rep si promovuese e dhunës dhe fenomeneve negative në shoqëri, nuk pranohet si argument, meqë është tepër sipërfaqësor dhe i përgjithësuar.

Në mesin e reperëve të suksesshëm në Kosovë sot, ka të atillë që definitivisht kanë arrit sukses nga hiçgjë, por vetëm duke sjell ditarin e jetës së tyre përmes këngëve, që duhet përshëndetur dhe pranuar ashtu siç janë. Ka edhe të atillë, që përmes teksteve të ndryshme interpretojnë, aktrojnë dhe hyjnë vet në rolin respektiv, për të ilustruar një fenomen negativ në shoqëritë tona, qoftë përdorimi i drogës, konfliktet verbale e fizike, kushtet e rënda socio-ekonomike, etj. por në jetën private kanë një "background" shoqëror e edukativ të ndërtuar tepër mirë” tha Miftari.

Gjithashtu, ish-reperi tha se nuk mund të  përgjithësohen të gjithë rep artistët apo të linçohen për promovim të dhunës ose stimulim të sjelljeve të këqija tek rinia, meqë kultura dhe edukata e individit nuk fillon me ekspozimin e dikujt ndaj muzikës rep, por themelet i ka në familje, shkollë e shoqëri, duke theksuar se krijimtaria artistike dhe veprat e artit e kanë vetëm një rregull, që mos të ketë asnjë rregull, përfshirë censurën.

Ndër tjera, Miftari tha se reperët duhet të jenë ndikues për të mirë në jetën e fansave që mbledhin.

“Kontributi i reperëve në shoqëri dhe përgjegjësia te cilën e mbartin mbi vete me gjithë ndjekësit që kanë, mund të përdoret më mirë për të influencuar e motivuar të rinjtë për zhvillimin individual, disiplinën në çfarëdo pune apo profesioni që zgjedhin, respektin ndër njerëzor dhe përgjegjësinë sociale” përfundoi ai.

Për këngët e tilla që po dëgjohen kudo, sidomos nga të rinjtë dhe fëmijët, sipas sociologut kosovar, Ferdi Kamberi, ka një ndikim të madh te kjo kategori e targetuar.

Kamberi për Syri Kosova tha se ndikimi i tillë është të adoleshentët, pasi mosha e tyre është koha kur ata adaptojnë vlerat, qëndrimet e sjelljet.

Image

“Në kontekstin sociologjik, dëgjimi i teksteve muzikore sidomos tekstet të cilat nuk redaktohen dhe përmbajnë forma të ndryshme eksplicite ose shprehjeve fyese, mund të ndikojnë në aspektin e punës shkollore të fëmijëve, në ndërveprimet sociale në mes të bashkëmoshatarëve, po ashtu edhe në gjendjen emocionale dhe të sjelljes së fëmijëve, sidomos moshës së adoleshencës, e cila njihet si moshës ‘shpërthyese’ ku të rinjtë adaptojnë: vlerat, qëndrimet, sjelljet, shprehjen apo ndërveprimet sociale me të tjerët pa bërë ndonjë selektim” tha Kamberi.

Gjithashtu, sociologu shtoi se tekstet e tilla, sidomos ato që promovojnë dukuritë negative, krijojnë devijime në shoqëri.

“Pra, me fjalë të tjera, dëgjimi i muzikës është pjesë e jetës, kulturës dhe shoqërisë, mirëpo, ndikimi i teksteve në muzika të ndryshme paraqet një destrukt social i muzikës dhe përçon mesazh negativ tek të rinjtë, të cilët mund të kenë pasoja të ndryshme individuale, në familje, në shkollë, komunitet dhe në shoqëri. Kjo për shkak se një pjesë e teksteve i referohet: promovimit të dhunës, stimulimit të vetëvrasjes, stimulimit për sjellje devijante, sidomos videot me ‘gangster’, alkool, dhunë, seks, etj, pastaj tekste ku gratë paraqiten me imazhe seksiste, racizmi, homofobia, etj, janë vetëm disa nga ato tekste të cilët kanë ndikim goxha të lartë tek adoleshentët” theksoi ai.

Tekstet e tilla të këngëve u komentuan edhe nga tekstshkruesi Kreshnik Avdiu. Ai tha për Syri Kosova se të tilla tekste bëhen për shkak të dëshirës për dominim nga ana e këngëtarëve.

Image

“Sa i përket teksteve të llojit te atyre që i përmende, unë shoh një nivel të ulët të të shkruarit, pastaj si tema janë më shumë si dëshira për dominim, duke përfshirë këtu edhe lojën me fjale nxitëse për përdorim materiesh të ndaluara e për nxitje shfrenimesh të ndryshme” tha Avdiu.

Duke qenë se Mozzik është një nga ata që ka bërë një këngë tillë, Kreshniku tha disa fjalë për të.

“Unë, personalisht, Mozzik-un e kam për zemër edhe si qytetar i imi por edhe si çun që e njoh personalisht. Mendoj që ai di të shkruajë edhe gjëra me vlera. Ai është rritur në familje të arsimuar mirë. Ndoshta tregu ia ka imponuar një natyrë të tillë të të shkruarit, që unë nuk e rekomandoj e as nuk e pelqëj” shtoi ai.

Kurse, sa i përket emrave. Tayna, Getinjo, Don Xhoni e Getoar Selimi,  tekstshkruesi Avdiu tha se ata kanë aq mundësi shprehëse.

“Sa i përket ata të tjerët që i përmende, jam i sigurt që janë në atë nivel ku më së larti mund të arrijnë. Më mirë nuk dijnë, as nuk munden, e meqë tregu është i tillë, e kanë shfrytëzuar dhe po mbijetojnë. Edhe brenda zhanreve të tilla duhet të ketë vlera”, theksoi tesktshkruesi.

Në fund, Avdiu shtoi se nëse provomovimi i konsumimit të narkotikëve, promovimi i prostitucionit, pasurimit të paligjshëm, e të tilla gjëra për dikë janë vlera pro-perëndimore, atëherë po i kthehemi lindjes!

Kujtojmë që tekstet e këngëve dhe forma promovuese e zhanrit rep po komentohet këto ditë, pas ngjarjes që ndodhi në Ferizaj, ku vëllai i reperit Buta la të vdekur një person, duke u bazuar kështu edhe në këngët e reperit, ku dhuna, vrasjet e lëndët narkotike janë fabula kryesore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco