'Në emër të jetës' Timo Flloko poezi për Covid-19: Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë...

'Në emër të jetës' Timo Flloko poezi për Covid-19: Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë...

13:21, 24/05/2020
A+ Aa A-

Pasi u rrëfye me poezi tek Ardit Gjebrea, aktorin ikonë të kinemasë dhe teatrit shqiptar, Timo Fllokon, e pamë të vinte me një tjetër rrëfim poetik në ekran të hënën, pasi u shfaq në një video duke interpretuar vargjet e tij me titull “Në emër të jetës”.

Gjithçka e përgatitur për programin “Në Kurthin e Piter Pan”, një produksion me fëmijë dhe VIP-a i bashkëshortes së tij, regjisores  Vera Grabocka dhe moderatores Alketa Vejsiu.

Në formatin me filozofinë: “Një përrallë moderne për ata që nuk duan të rriten nga Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka”, Timo, si gjithmonë në superformë, recitoi vargjet e hedhura nga vetë ai në letër në prill 2020, të cilat i shkroi në periudhën e izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në vargjet e kësaj poezie, Timo shpreh gjithë përjetimin e tij për virusin e kobshëm që gjunjëzoi njerëzimin dhe botën.

Në kopshtin e shtëpisë së tij, që duket si parajsa vetë, ai reciton vargjet që i ka shkruar për veten dhe gjithë banorët e këtij globi, të vendosur para një dileme të madhe ekzistencialiste për jetë a vdekje.

“Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin. Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm, komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky vallë, Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!”, është një nga strofat e Timos, ku shkruan për Covid-19.

’Në emër të jetës’ është poezia që shkrova në prill dhe vendosa ta interpretoja nga oborri i shtëpisë sime, për t’u transmetuar në ‘Piter Pan’”, tha Timo Flloko për “Panorama Plus”.

Ai njihet për talentin e tij të veçantë në poezi, por edhe mjaft tekste këngësh të mrekullueshme për artistë të njohur, të cilat më pas janë kthyer në hite të padiskutueshme.

Promovimi i librit të tij të dytë, “Kërcim në bosh”, ishte një takim i mrekullueshëm që bëri me miqtë, të cilët janë fansat e vargjeve të tij.

Më poshtë sjellim vargjet e poezisë së tij “Në emër të jetës”.

Në emër të jetës

Me lajme të trishtë vdekjesh, erren ditët,

Krah makthit, ankthit dëshpërues të netëve,

Covid – 19: Frikë e tmerr për jetën,

Për botën mbarë, për njerëzit dhe veten.

Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin,

Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm,

Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë,

Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!

Apo mallkim qiellor për faje tokësore,

Për shkaqe të errëta, që s’ua gjejmë kuptimin…?

Nga erdh’ ky fat i keq e ra si kryq i tmerrshëm,

Mbi shpinë të planetit tonë, si ndëshkim?!

Pandemi e përbotshme, sa jetë po shuhen…

Përkundër vdekjes, vendosëm izolimin,

Ngujimim pa kohë, me muaj, ditë e net,

Si të vetmen udhëdalje shpëtimi…

Sado t’ia ndalësh frymën, njeriut në dobësi,

Mbyllur si në burg, t’ia privosh lirinë,

Etjen për jetë, shpresën dhe shpirtin e tij,

S’mund t’i prangosësh, t’iu vësh karantinë…

Ndale dorën vrasëse, virus i mallkuar,

Grykës i panginjur, që po na e sos durimin,

Jo mijëra… por miliona jetë sikur të marrësh,

Nuk mund ta shfarrosësh dot kurrë njerëzimin.

Nga hiri i vet mitik, do rilindë si feniksi,

Mjerë kush e shpërfill, fuqinë e të pambrojturit,

Që vdekjes i bën sfidë, e mposht a bëhet fli,

Në emër të jetës, që ia fali Zoti! (Prill, 2020 nga Timo Flloko) 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco