Ç’bën një grua muslimane për të humbur virgjërinë para martese

Ç’bën një grua muslimane për të humbur virgjërinë para martese

20:38, 18/01/2020
A+ Aa A-

Nëse mendoni se Lojërat e Urisë* janë të vështira, ju siguroj se të jesh një grua muslimane e të humbasësh virgjërinë është akoma më e vështirë. E njëjta ndjesi frike varet në ajër dhe je vazhdimisht duke parë qosheve, duke kërkuar armikun. Rastësisht, armiku yt mund të jetë një pjesëtar çfarëdo i komunitetit musliman, i cili mund t’u tregojë prindërve të tu që ti ishte me një djalë. Nëse kjo ndodh, je e vdekur dhe loja mbaron. Jo në kuptimin e parë të fjalës, por metaforikisht. Nëna jote do të qajë, do të pyesë qiejt pse meritonte një vajzë të tillë dhe babai yt do të sugjerojë të shpërnguleni në një qytet tjetër. Madje do të sugjerojë të shpërnguleni në një shtet tjetër, deri sa nëna e bind për të qëndruar. Do të të duhet të qëndrosh mbyllur në shtëpi për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme, deri sa të harrohet. S’ka për t’u harruar kurrë. Komuniteti musliman nuk harron asgjë.

Të paktën këtë gjë thonë të gjithë miqtë e mi muslimanë kur i pyes si e humbën virgjërinë. Procesi është gjithnjë sekret dhe i planifikuar në mënyrë strategjike. Për më tepër, zakonisht është një përvojë e parehatshme, gjithmonë e dhimbshme dhe shpeshherë traumatike. Për shumicën e grave, hera e tyre e parë nuk ndodh nën dritën e qirinjve, por në situata të sikletshme me djem që s’i meritonin. Nëse insistohet që gjysma e popullatës të jetë e virgjër deri në martesë, sigurisht që akti vjen i shoqëruar me tension. Ky tension zmadhohet më tej në momentin që traditat arkaike shoqëruar me refuzimin për të diskutuar seksualitetin, krijojnë një heshtje cimbitëse rreth subjektit. Një heshtje që do të futet mes teje dhe partnerëve të ardhshëm seksualë. Ne nuk dimë si të flasim për diçka, jo më të diskutojmë nevojat dhe dëshirat tona.

Pavarësisht stigmës dhe heshtjes, ne e bëjmë gjithsesi. Ndonjëherë për t’u rebeluar, ndonjëherë për dashuri. U bëmë gra nën një mantel të padukshëm, me një vetëdije të re që u mbajt e fshehtë nën mbulesa. E zbuluam seksualitetin tonë pas dyerve të mbyllura duke kërkuar faqe porno në Google. Kuptuam gjeografitë e trupave tanë duke përdorur qirinj, furça dhëmbësh dhe salsiçe të ngrira. Nën batanije, prekën dhe futëm dhe ndjemë, duke kërkuar me dëshpërim butonin që fik zjarrin në barkun tonë.

Edhe kur hiqnim dorë nga virgjëria për djem që i donim, e bënim në heshtje. U ktheva nga një udhëtim dy javor me të dashurin tim sekret, duke shkëlqyer e duke fshehur gruan e re që isha. Do të doja të kisha pasur mundësinë të flisja me time më. Do të doja t’i kisha thënë që ishte një nga netët më të bukura të jetës sime. Që s’ishte e dhimbshme dhe nuk u nxitova dhe as më presionuan. Që pritëm një vit, thjesht për të qenë të sigurtë. Që zemra m'u mbush me dashuri të re dhe se çdo gjë kishte tjetër shije më pas. Shije më të pasura, më të plota. Do të doja ta kisha pyetur ç’të bëja me trupin tim kur e ndjeja rrahjen e zemrës kudo dhe s’dija si të luaja me të. Në vend të saj, kisha Google, që më duket më i pazotë se ime më në këto çështje.

Vetëm vite të tëra më vonë, kur isha 28 vjeçe, ajo mundi të më pyeste dhe hoqëm dorë nga lojërat e komplikuara të virgjërisë. Kishim shumë vite që luanim rolet tona si vajza të paprekura në pritje të martesës. Kam shoqe tridhjetë vjeçare që luajnë ende të njëjtën lojë sepse kultura në të cilën jetojnë nuk lejon devijime. Shpresoj që një ditë të mos e përdorim më fenë si tapetin nën të cilin fshehim gjërat për të cilat kemi frikë të flasim. Islmai promovon marrëdhëniet seksuale dhe kënaqësinë e femrës, nën shenjtërinë e martesës, por realiteti është një gra muslimane në gjithë botën nuk do të martohen së afërmi dhe vajza dhe djem do të thyejnë çdo rregull në emër të dashurisë. Injorimi nuk ka për të ndryshuar gjë dhe ende s’kam gjetur një grup grash në xhami të diskutojnë për kënaqësinë femërore. Jemi ende duke e fshehur, duke e mbështjellë seksualitetin në turp e duke e quajtur “fe”. Jemi ende duke luajtur lojërat e virgjërisë dhe kur gjithë pjesëmarrësit e dinë të vërtetën, askush nuk fiton.

*Lojërat e Urisë, ose The Hunger Games, triologjia e librave nga Suzanne Collins, ku protagonistët e përzgjedhur nga rajone të varfra ndeshen deri në vdekje në një arenë deri sa fitimtari i vetëm i mbijetuar shpërblehet me famë dhe pasuri të përjetshme.

Shkrimi është përshtatur nga “The Virginity Games Muslim Women Play” shkruar nga Salma El-Wardany për Huffington Post Uk, publikuar për herë të parë në mars 2018.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco