EKSKLUZIVE: Bleona, shembulli ideal i një femre se si nuk duhet dorëzuar në jetë

EKSKLUZIVE: Bleona, shembulli ideal i një femre se si nuk duhet dorëzuar në jetë

21:14, 22/01/2019
A+ Aa A-

Karrierën muzikore ka vite që ka nisur dhe sot është një nga këngëtarët më të suksesshme shqiptare.

Kudo që përmendet emri i saj, Bleona Qereti përflitet nga mediat dhe publiku me ditë të tëra, duke u bërë kështu personazhi më i komentuar shqiptar.

Këngëtarja, së fundmi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Syri Kosova, ku ka treguar për rrugëtimin e saj dhe ngjitjen që e ka bërë në suksesin në majat e suksesit ndërkombëtar.

Bleona ka folur edhe për jetën private dhe ka zbuluar disa gjëra që nuk i keni ditur për të.

Intervistoi: Erdonit Hoxha

Syri Kosova: Në vitin 2018 keni lansuar disa këngë që u komentuan shumë, a ishin të suksesshme siç keni paramenduar?

Bleona Qereti: Pas një pause tre vjeçare që unë e kam bërë në tregun muzikor, sepse, jam marrë me ribrendin me emrin “Bleona” dhe si çdo artist tjetër në botë, kam sjell diçka komplet ndryshe, si artistët ndërkombëtarë që bëjnë pauzë të gjatë në karrierë, vijnë me një imazh të ripërtrirë, në çdo gjë, si nga moda, si nga muzika dhe ideja e videoklipeve. Për mua ka qenë një sfidë e madhe, sepse, unë nuk jam këngëtare e baladave dhe ishte një test i madh për mua të vija në treg me një baladë, duke e ditur që unë gjithë jetën kam kënduar ‘Dance music’. Kënga “I don’t need your love’ ka qenë debutimi im i parë si drejtore dhe regjisore e videos dhe ka qenë sfidë e jashtëzakonshme si në muzikë, ashtu dhe në video dhe sigurisht komentet  e njerëzve kanë qenë fantastike dhe nuk ma ka marrë mendja që kjo këngë do ta kishte këtë sukses. Këngës ia kam bërë edhe remiksin në Amerikë, me disa nga emrat më të njohur të DJ ndërkombëtarë, me një biografi ‘stellare’ si Dave Aude dhe Stonebridge dhe aktualisht mban vendin e tretë në “Billboard Charts”. Për një artist që nuk ka një kompani të madhe muzikore prapa vetes, këto lloj renditje në toplista të mëdha janë të pamundura dhe për këngën “I don’t need your love” jam shumë shumë krenare. Kurse, për sa i takon këngës “Monster”, do të thoja se është një film i metrazhit të shkurtër dhe është debutimi i dytë i këngës si regjisore e videos pasi ideja ka qenë e imja dhe për mua kjo këngë është kryevepër. Kënga është aranzhuar nga Timberland dhe Rockstar.Jam munduar shumë derisa e kam nxjerrë si këngë që do jetë kolonë zanore e filmit “Paper Empire”.  Në videon e “Monster” gjërat janë bërë me idenë për të qenë këngë filmi. “Monster” do fillojë të futet në toplistat botërore, pasi unë të përfundoj promovimin e “I don’t need your love”. Para një jave, ka dal edhe një këngë tjetër që unë e kam kënduar në italisht dhe është një ‘cover’ që unë e kam risjell të këngës së famshme “Su di noi” të këngëtarit të njohur Puppo dhe jam e lumtur që unë e kam risjell dhe që më ka komentuar vet ai në Instagram në momentin që e kam publikuar si këngë.  Besoj që së shpejti do vij edhe me një këngë shqip. Kjo është një surprizë për fansat. Në përgjithësi, unë kam pasur suksese më shumë se sa që e kam paramenduar me këto balada.

Syri Kosova: Bota e kinematografisë është një tjetër angazhim i juaji, cilat janë planet në këtë drejtim?

Bleona Qereti: Momentalisht jam duke xhiruar serialin televiziv, që titullohet “Paper Empire” përkrah aktorëve siç janë Robert Davi, Wesley Snipes, Sharon Stone e Denis Richards. Është një rol teknikisht më i madh se sa rolet që kam pasur në dy filmat tjerë “Dead TriggerL” me Dolph Lundgreen dhe ‘#211” me Nicolas Cage vitin e kaluar. Jemi në përfundim të xhirimeve dhe akoma nuk e di se kur do të dal por vetëm mund të tregoj se jam në rolin kryesor si Nova.

Syri Kosova: Fama jote ndërkombëtare u bë shkak që të thuhet se “ke harruar fansat shqiptarë”. Si e komentoni ju këtë pjesë?

Bleona Qereti:  Asnjëherë nuk mund t’i harroj fansat shqiptarë, sepse, ajo është orgjinia ime dhe në momentin që ne harrojmë rrënjët, nuk mund të shkojmë përpara, sepse, një gjë pa rrënjë nuk shkon në asnjë vend dhe thyhet.  Si dëshmi që nuk i kam harruar, unë do të sjell një këngë në shqip që do të jetë e denjë dhe e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë! Fakti që nuk kam bërë këngë shqip deri më tani është sepse kam qenë e zënë me karrierën time në Amerikë  për të “shtruar vajin e tiganin” siç themi ne, kështu që tani pothuajse e kam mbaruar këtë punë dhe unë do t’i kthehem tregut shqiptar me një këngë shqip.

Syri Kosova: A keni arritur aty ku keni ëndërruar të jeni?

Bleona Qereti: Absolutisht JO! Çdo ditë që zgjohem jam më afër ëndrrës time, por, nuk mund të them se kam arritur atë që kam ëndërruar, sepse, kam punuar gjithë ato vite që të jem çdo ditë një hap më afër asaj që kam ëndërruar. Dhe për t’u ngjitur në majat e suksesit duhet të marrësh shkallët. NUK KA ASHENSOR.  Në momentin që ti kthen kokën prapa dhe shikon se ku ke qenë 10 vjet më përpara dhe ku je 10 vjet më vonë, për mua ky është çelësi i suksesit, pasi aty duken arritjet. Unë jam solide në ëndrrën time dhe siç e përmenda, unë çdo ditë që zgjohem punoj për të qenë një hap më afër rezultatit final. Dhe rezultati final është një famë ndërkombëtare e Bleonës që Shqipëria ka kohë që nuk e njeh. KAQ!!! Unë nuk do të jem kurrë artiste amerikane me origjinë shqiptare- unë jam një artiste shqiptare me  famë internacionale. Jam sigurisht afër ëndrrës, por, nuk jam akoma aty ku do doja të isha.

Syri Kosova: Si i sheh koleget tua në përpjekjen e tyre për të bërë famë ndërkombëtare?

Bleona Qereti:  Pa përmendur emra të veçantë, ju uroj të gjithëve shumë suksese në përpjekjet e tyre. Të përpiqesh është më mirë se sa të mos bësh asgjë. Unë ju uroj suksese në nismën që kanë ndërmarrë dhe shpresoj që kam qenë inspirim për to, pasi unë jam e para që kam nisur këtë punë 10 vjet më përpara.

Syri Kosova: Ndonjë duet me një emër të madh të muzikës shqipe?

Bleona Qereti: Duet me emrat e mëdhenj të gjuhës shqipe jo momentalisht, por, asnjëherë nuk i dihet, nëse do marr një projekt të denjët dhe që më përfaqëson mua denjësisht, pse jo. Unë e filloj numërimin gjithmonë nga vetja e jo nga kush është emri i cili po afrohet për duet.

Syri Kosova: “Lufta” juaj me mediet shqiptare, pse mendoni që jeni cak për titujt bombastik kur përmendet emri Bleona?

Bleona Qereti: Emri “Bleona” shet dhe ju (mediat) përdorni tituj bombastik pasi doni t’i shitni gazetat! Tashmë publiku e ka kuptuar këtë gjë dhe për aq kohë sa vihen titujt bombastik, nënkupton që je në maje. Imagjino të mos të përmend asnjë njeri, sa tmerr do ishte. Ka shumë njerëz të tjerë që nuk përmenden dhe vdesin nga zilia ta bëjnë dyfishin e atyre që klasifikohen si “SKANDALE” që i bëj unë dhe nuk përmenden nëpër gazeta. Ky efekti ‘SHOK’ në fillim të titullit bën që të klikohet lajmi, por, artikulli në brendësi është aktual në shumicën e rasteve. Pastaj, ndonjëherë  ka raste  kur shikoj se gazetat nuk e kanë informacionin e saktë dhe atëherë  nervozohem dhe them “kush ia ka dhënë penën asaj gazetare që të shkruaj?”.

Syri Kosova: Postimet tua në rrjetet sociale bëjnë shumë “zhurmë” për shkak të fotove që konsiderohen eksplicite, sa shumë i lexon komentet dhe a i fshinë ato?

Bleona Qereti: Zakonisht komentet i lexoj në 20 minutat e para të postimit, nëse kam kohë gjithsesi. Duke qenë se jeta ime teknikisht është gjithë kohën në lëvizje, unë shpesh nuk kam kohë as të ha bukë e lë më të merrem me komente. Unë mund t’i shikojë ato nëse jam duke e pritur aeroplanin në ndonjë aeroport. Puna  e komentit është shumë e thjesht: Nëse nuk më do, mos më ndiq, nuk ka nevojë të ketë komente negative. Në fotot e mija 90% e komenteve janë pozitive, sepse,  ato i bëjnë fansat e mi që me ndjekin. Siç dihet, unë nuk blej as ‘likes’ e as ndjekës, pasi ata që më duan edhe me ndjekin. As për fotot eksplicite , imazhet e mija nuk krahasohen me shumicën e kolegeve të mia, por, siç thash më lartë, disa vuajnë shumë dhe çfarë nuk bëjnë që t’i kapin gazetat dhe prapë mediat merren me titujt “Çfarë bëri Bleona sot”, kjo është  çështje “Ylli je, nuk ka lidhje me foto eksplicite” (Qesh).

Syri Kosova: Cili është reagimi i prindërve tuaj rreth këtyre fotove?

Bleona Qereti: 99.9% të kohës, prindërit e mi janë me mua, kështu që nuk kanë si të reagojnë, pasi janë të njëjtit njerëz që më shoqërojnë në set kur janë bërë këto foto, nëse ndonjë foto është private që ma ka bërë mami për ta mbajtur në memorie, unë kur ia kap telefonin dhe e postoj pa lejen e saj (Qesh) kështu që nuk ka vend për reagimin e prindërve të mi.

Syri Kosova: Jeta juaj private komentohet çdo herë, cila është e vërteta e titujve që flet për ish të dashurit e tu?

Bleona Qereti: Unë kam thënë dhe e theksoj prapë: Njerëzit e jetës time numërohen nga gishtat e një dore! Kam folur haptas për Ganin, sepse, është një lidhje e cila u prish për shkak të karrierës time, por, ishte një prishje me koncensuz, sepse, unë doja të ndiqja një ëndërr timen dhe Gani ka qenë shumë i mirëkuptueshëm për këtë fakt dhe më tha “Bleona nëse ti nuk shkon në Amerikë për të arritur ëndrrën tënde, ti do rrish në shtëpi dhe do më urresh, do gatuash, do shohësh lajmet si grua shtëpiake, dhe do shikosh njerëzit tjerë që po e jetojnë ëndrrën tënde, kështu që nuk ka sens të rrish e martuar me mua kur ti ke një ëndërr” dhe kur e kam parë që është kaq i mirëkuptueshëm unë lirshëm flas mirë për të!

Syri Kosova: Çfarë raporti keni me ish bashkëshortin tuaj? Është përfolur se po mendoni të riktheheni me të, a është e vërtetë?

Bleona Qereti: Jo, nuk kam ndërmend të kthehem me të, pasi, gjërat kur mbarojnë-mbarojnë. Ai është prapë në jetën time, por, në një tjetër formë, që futet brenda idesë së “familjes”.

Syri Kosova: A është (ka qenë) e vërtetë lidhja me miliarderin Remo Ruffini siç u tha në media?

Bleona Qereti: Absolutisht jo! Ka qenë shokuese edhe për të kur ka parë gjithë gazetat dhe gjitha llojet e thashethemeve që i kanë ardhur në zyrë pasi ka mbaruar natën e Vitit të Ri. Ka qenë shokuese edhe për familjen e tij pasi nuk është që ishim vetëm me shoqëri! Me të  ishin dy djemtë dhe nuset e tyre dhe gruaja e Remos. Fotot ishin publike në Instagram ku shiheshin të gjithë. Rasti si ky, është rasti që unë nervozohem me mediat, sepse, ato foto ishin shumë të qarta!

Syri Kosova: Po tani, a jeni në lidhje?

Bleona Qereti: Jo. Jam shumë e zënë dhe më thënë të drejtën në 99% e njerëzve nuk ma stimulojnë trurin dhe në momentin që truri nuk më stimulohet, nuk je për asgjë tjetër. Momentin që do ketë diçka të re, do t’ua them vet.  Dhe sigurisht jam shumë e vetmuar, sepse, me këto tekat e mija prej Bleone nuk është se janë pa pasoja (Qesh).

Syri Kosova: A e mendoni vetën si grua të martuar apo nënë?

Bleona Qereti:  Absolutisht si nënë po, ndërsa, si grua e martuar nuk e di, ndoshta, pasi çdo gjë ndodh, nëse e gjej njeriun e duhur, pse jo.

Syri Kosova: Cila është gjëja më e ‘çmendur’ që keni bërë në jetë?

Bleona Qereti: Nuk e di, sepse, unë jam tip ekstremist, pasi shumë njerëz për gjërat që unë i quaj normale, ata i konsiderojnë të çmendura! Për shembull, fakti që unë jetoj nëpër hotele, shumë njerëz do e quajnë të çmendur këtë gjë, ndërkohë që për mua është kënaqësi dhe një gjë normale. Në karrierë kam bërë shumë gjëra të çmendura, mbaj mend në vitin 2005 kur ishte një artikull: Bleona, ëndrra e çmendur- do bëj famë në Amerikë dhe ja ku jemi në vitin 2019 dhe unë po bëj një serial televiziv në SHBA. Prandaj, fjala “çmenduri” tek unë është shumë relative.

Syri Kosova: Cila është blerja më e ‘çmendur’ që keni bërë?

Bleona Qereti: Kam blerë një ‘dhomë me oksigjen’ ku për një orë e gjysmë futësh brenda dhe merr oksigjen! Është një gjë që nuk më duhet dhe që e kam përdorur vetëm një herë në shouin tim “Euros of Hollywood” që e kam pasur para 5 vjetësh në Amerikë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco