Çfarë i çon gratë në vendimmarrjen për ngrirjen e vezëve?

Çfarë i çon gratë në vendimmarrjen për ngrirjen e vezëve?

18:42, 15/07/2018
A+ Aa A-

Në literaturën mjekësore dhe mbulimin mediatik të kriopreservimit të ociteve thuhet që zgjedhja e femrave për të ngrirë vezët bëhet për të shtyrë lindjen e fëmijëve, pasi duan të ndjekin arsimin ose karrierën. Por doktoresha Marcia Inhorn zbuloi një shkak tjetër gjatë takimit vjetor në Barcelonë.

“Sipas studimit tonë, rezulton se shkaku kryesor për ngrirjen e vezëve është mungesa e një partneri të qëndrueshëm”, theksoi ajo.

Inhorn dhe ekipi i saj mblodhën të dhënat nga intervistat e 150 grave që kishin zgjedhur të ngrinin vezët për arsye sociale në SHBA dhe Izrael. 85 përqind e atyre që kishin vizituar klinikat nuk ishin në një marrëdhënie, ndërsa pjesa tjetër kishin partnerë të paqëndrueshëm që nuk dëshironin fëmijë, ose kishin marrëdhënie edhe me persona të tjerë.

Kur u analizuan motivet që i kishin çuar drejt ngrirjes së vezëve, rezultoi se gratë që kishin prioritet karrierën ishin të pakta.

“Shumica e grave i kishin përfunduar qëllimet e tyre në arsim dhe karrierë, por edhe pse ishin në fund të të 30-ave ende nuk kishin arritur të gjenin një partner të qëndrueshëm për të krijuar familje. Ndaj dhe ato zgjodhën ngrirjen e vezëve”, shtoi doktoresha.

Ka disa kompani, si Apple dhe Facebook, që ofrojnë kompensim për drejtueset e tyre femra që ngrijnë vezët. Shifrat mund të shkojnë nga 3500 deri në 4500 euro për një kurs trajtimi në Mbretërinë e Bashkuar. Për gratë që i ngrijnë vezët për arsye sociale, mund t’iu ruhen deri në 10 vjet.

Kur bëhet fjalë për ngrirjen e vezëve, shumë përgjigjen se nuk ka garanci dhe se procesi i shtatzënisë me vezët e ngrirë do të jetë i rëndë. Gjithashtu thuhet se shtatzënia varet nga mosha e gruas dhe nga cilësia e vezëve. Ekspertët rekomandojnë që pacientet që vendosin të ngrijnë vezët, duhet të vendosin herët dhe të kërkojnë trajtim para moshës 35-vjeçare.

Megjithatë ekspertët këmbëngulin se teknologjia për këtë proces është ende e re dhe se normat e suksesit janë të ulëta. Sipas një studimi të Autoritetit të Fekondimit të Njeriut dhe Embriologjisë në vitin 2014, vetëm 14 përqind e grave që tentuan të provojnë vezët e ngrira ishin të suksesshëm.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco