Kush ishte Avicii? DJ i ri që vdiq dje

Kush ishte Avicii? DJ i ri që vdiq dje

08:13, 21/04/2018
A+ Aa A-

Avicii u nda nga jeta dje në moshën 28 vjeçare duke lënë të shokuar fansat e tij dhe gjithë industrinë e muzikës.

I lindur në kryeqytetin suedez, Stokholm, ai 11 vjet më parë kishte nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale dhe nga ajo kohë kishte njohur vetëm suksese.

Tre vjet më pas, ai prodhoi hitin e tij të parë “Seek Bromance” duke pushtuar toplistat evropiane.

Po atë vit, suedezi nënshkroi me EMI Music Publishing përmes së cilës realizoi hitin e tij “Levels” që ia siguroi atij famën në mbarë botën.

Me këtë këngë ai kishte zënë vendin e parë në toplistat e Hungarisë, Norvegjisë, Holandës,  Suedisë dhe kishte hyrë në top 10-she të toplistave në SHBA, Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuar

Sidoqoftë, ishte viti 2013, kur kënga e tij “Wake Me Up” në bashkëpunim me Aloe Blacc kishte pushtuar secilin kontinent, duke zaptuar pozitën e parë në mbi 30 vende të botës.

Pas këtij hiti ndërkombëtar, ai mori nota pozitive edhe për këngët si “Hey Brother” , “Addicted to You” , “The Night”, “Waiting for Love” dhe “Without You”.

Kënga e fundit single që ai e publikoi erdhi në gusht të vitit të kaluar – e që ishte një bashkëpunim me këngëtaren me origjinë kosovare, Rita Ora.

Gjatë jetës së tij ai realizoi dy albume dhe zhvilloi dy turne. Ishte po ashtu i nominuar dy herë për çmimin prestigjioz amerikan Grammy.

Lajm i befasishëm kishte qenë ai i 2016-tës, kur Avicii kishte njoftuar se po tërhiqej nga turnetë në moshën 26 vjeçare.

Dy vjet më vonë, bota e muzikës merr një lajm tjetër goditës për të – për shuarjen e një prej artistëve që e familjarizoi më së shumti publikun e gjerë me muzikën elektronike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco