Pak ditë pasi ushtria amerikane e rrëzoi nga pushteti presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, më 3 janar, një luftë fjalësh lidhur me ishullin danez të Grenlandës shpërtheu sërish.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se Uashingtoni ka nevojë që Grenlanda të jetë e vetja dhe madje nuk e ka përjashtuar as mundësinë që ta marrë këtë ishull me forcë.
“Ne kemi nevojë për Grenlandën”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One më 4 janar. “Ajo është shumë strategjike tani. Grenlanda është e mbuluar gjithandej me anije ruse dhe kineze”.
“Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, shtoi ai.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, iu përgjigj atij më 5 janar, duke thënë: “Ne nuk do të pranojmë që ne dhe Grenlanda të kërcënohemi në këtë mënyrë”.
Duke iu referuar përfshirjes së Grenlandës në NATO si territor i Danimarkës, ajo shtoi: “Nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin ta sulmojnë ushtarakisht një tjetër vend të NATO-s, atëherë gjithçka ndalet”.
Vëmendja e Uashingtonit për Grenlandën tani nuk është diçka e re, sepse Shtetet e Bashkuara e kanë dëshiruar këtë ishull përherë, qysh nga vitit 1800 kur e biseduan për herë të parë blerjen e tij nga Danimarka.

Një misionar i përshkroi njerëzit inuitë të Grenlandës si lakmitarë të kalorive saqë do të hanin morra të shkëputur nga rrobat e tyre. Për të shmangur humbjen e mineraleve, ai pretendoi se ata "do ta fshinin djersën nga fytyrat e tyre me një thikë dhe do ta lëpinin".
Danimarka shpalli sovranitetin mbi Grenlandën më 1921 dhe zbatoi një monopol tregtar me ishullin. Ndalimi i tregtarëve të jashtëm i mundësoi Kopenhagës të blinte dhjamin e balenave dhe fokave - një burim i çmuar karburanti për fenerët - në mënyrë rigoroze sipas kushteve të veta.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Danimarka u pushtua nga Gjermania naziste, duke e lënë territorin danez të Grenlandës të hapur ndaj një pushtimi gjerman.
George L. West, një oficer i shërbimit të jashtëm amerikan, kujtoi se presidenti amerikan, Roosevelt, "vendosi menjëherë se duhej të bënim diçka për Grenlandën". Forcat amerikane pushtuan territorin, duke siguruar minierën e saj të vlefshme të kriolitit.

Me parashikimin e motit, një faktor kritik në luftë, operativët nazistë bënë përpjekje të përsëritura për të ngritur stacione sekrete meteorologjike në pjesë të izoluara të Grenlandës.
"Duket se një pjesë e madhe e motit tuaj për Evropën Perëndimore e ka origjinën në atë kapak akulli. Është e paçmueshme, nga pikëpamja ushtarake, të marrësh raporte meteorologjike prej andej", shpjegoi West, duke shtuar se pjesë e misionit amerikan në Grenlandë ishte "gjetja e këtyre [stacioneve të motit të paligjshëm nazist] dhe shkatërrimi i tyre.

Propozimet që Shtetet e Bashkuara të blejnë Grenlandën datojnë që nga viti 1867, kur ideja u konsiderua për herë të parë seriozisht nga Uashingtoni.
Në vitin 1946, një ofertë konkrete - ekuivalenti modern prej rreth 1 miliard dollarësh - iu bë Kopenhagës për Grenlandën, të cilën një senator e përshkroi si "një domosdoshmëri ushtarake" për Shtetet e Bashkuara.

Grenlanda, tha Uashingtoni, do të lejojë "zona nga të cilat do të nisë operacionet ushtarake mbi Arktik kundër kundërshtarëve të Amerikës", mes përdorimeve të tjera.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës e refuzoi ofertën e vitit 1946, duke u përgjigjur se, "ndërsa ne i detyrohemi shumë Amerikës, nuk mendoj se ia kemi borxh gjithë ishullin e Grenlandës".

Sot, Grenlanda drejton shumë nga institucionet e saj, duke përfshirë parlamentin e saj, por mbetet shumë e varur nga Danimarka.
Territori merr gati 600 milionë dollarë ndihmë çdo vit nga Kopenhaga, një fond që përfaqëson më shumë se gjysmën e të gjithë buxhetit të Qeverisë së Grenlandës dhe të barabartë me më shumë se 10.000 dollarë për secilin nga 57.000 banorët e territorit.

Nëse një lëvizje në rritje për pavarësi në Grenlandë është në gjendje të shkëpusë me sukses territorin nga sundimi danez pas zgjedhjeve të 11 marsit, Uashingtoni mund të anashkalojë Kopenhagën në përpjekjen e tij për të marrë pronësinë e territorit.
Por, ndërsa një shumicë e grenlandezëve favorizojnë pavarësinë nga Danimarka, rreth 85 për qind e grenlandezëve kundërshtojnë të bëhen pjesë e një territori amerikan, sipas një sondazhi të fundit.

© SYRI.net