‘Të japim maksimumin në Evropian’, Laçi: Jemi me këmbë në tokë, kundërshtarët janë shumë të fortë

‘Të japim maksimumin në Evropian’, Laçi: Jemi me këmbë në tokë, kundërshtarët janë shumë të fortë

15:47, 12/06/2024
A+ Aa A-

Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani “Kuqezinjtë” janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.

Siç e do “zakoni”, nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau  po zhvillohet edhe konferenca e radhës për shtyp, ku mesditën e kësaj të mërkure i pranishëm është “fantazisti” i mesfushës, Qazim Laçi, i cili foli më tej edhe për sfidën e parë të Kampionatit Evropian të futbollit, ndaj Italisë, ku së bashku me grupin synojnë të marrin pikët maksimale.

“Të tre kundërshtarët që do të kemi janë kundërshtarë shumë të fortë. Çdo kundërshtar ka cilësinë e vet. Është shumë e vështirë për të bërë një zgjedhje, por për mendimin tim, çdo ekip ka lojtarë me diferencat dhe cilësitë e veta, kështuqë t’i ndjekim ndeshjet njëra pas tjetrës e pastaj të shohim.

Të gjithë lojtarë janë gati. Deri më tani falë zotit nuk kemi pasur dëmtime, kjo është më kryesorja. Po presim me padurim të nisi Evropiani. Ndeshja e parë siç thashë pak më herët do të jetë pak me stres, por në fund të fundit të gjithë mezi po e presim të fillojë ky kampionat.

Lojtarët më të vjetër, ata që kanë qenë edhe më herët në Evropian, nuk është se na kanë thënë diçka specifike, por na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në çdo stërvitje, mënyrën se si duhet të paraqitemi në çdo ndeshje dhe çfarë duhet të specifikojmë në stërvitje, për t’u përballur me Italinë dhe sfidat e tjera të radhës.

Siç e keni thënë edhe ju, në ndeshjen e kualifikimit ne kemi krijuar një imazh shumë të mirë. E mbyllëm grupin në vendin e parë, gjë të cilën e merituam 100%. Në Evropian do të jemi me këmbë në tokë. Kemi kundërshtarë shumë të fortë, Italia ka cilësitë e saj, edhe Spanja e Kroacia kanë kombëtare shumë të fortë, por ne do e shijojmë shumë, do japim maksimumin, pasi kjo fanellë që kemi veshur vlen shumë”,- u shpreh në fund të konferencës mesfushori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco