Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra lehtësisht me 0.6 pikë në muajin qershor. Megjithatë, niveli aktual i TNE-së qëndron 6.6 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Banka e Shqipërisë raportoi se rënia e lehtë e TNE-së këtë muaj u ndikua kryesisht nga dobësimi i treguesit në sektorin e shërbimeve dhe, më pak, në atë të ndërtimit.
Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorin e tregtisë dhe industrisë, si dhe ai i besimit të konsumatorit regjistruan rritje (Grafik 2).
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 0.6 pikë përqindje në muajin qershor, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste mbi ecurinë e porosive aktuale ashtu edhe pritjeve për porositë nga eksportet.
Niveli i TBI-së aktualisht qëndron rreth 9 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ndërkohë, vlerësimet e bizneseve për prodhimin industrial janë më pak pozitive se një muaj më parë.
Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rritje në qershor, ndërkohë që çmimet e produkteve që do të prodhojnë në të ardhmen priten të bien.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 0.8 pikë përqindje në qershor. Ky tregues qëndron 11 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë (Grafik 2).
Pakësimi i TBN-së u përcaktua nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse, ndërkohë aktiviteti aktual ndërtues mbeti në të njëjtat nivele. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar me rënie.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) ra me 3.8 pikë përqindje në qershor. Megjithatë, niveli i TBSH-së qëndron rreth 8 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Në rënien e TBSH-së kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës. Në kahun rënës janë rishikuar edhe pritjet për çmimet në këtë sektor. Pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për lart.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) u rrit me 2.8 pikë përqindje në qershor. Niveli i TBT-së qëndron rreth 13 pikë përqindje mbi mesataren historike. Vlera aktuale e TBT-së u ndikua nga vlerësimet në rritje të ecurisë aktuale të biznesit.
Pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) regjistroi rritje me rreth 0.6 pikë përqindjeje, por duke qëndruar rreth 1 pikë përqindje nën nivelin e mesatares historike. Konsumatorët vlerësuan lehtësisht me rritje situatën e tyre financiare dhe blerjet në shuma të mëdha. Vlerësimi i situatës ekonomike të vendit në të ardhmen rezultoi në vlera të njëjta me atë të muajit të kaluar . Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.
Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve
Treguesi i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve shfaqi një rritje me bazë të gjerë sektoriale në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me një tremujor më parë. Shfrytëzimi i kapaciteteve u përmirësua në industri (+1 pikë përqindje), ndërtim (+0.4 pikë përqindje), shërbime (+1.2 pikë përqindje) dhe tregti (+2 pikë përqindje).
Nga ana tjetër, gjendja financiare e bizneseve regjistroi rënie. Ky tregues rezultoi lehtësisht me rënie në sektorin e industrisë (-0.3 pikë përqindje), sektorin e ndërtimit (-0.2 pikë përqindje) dhe më shumë në sektorin e shërbimeve (-3.5 pikë përqindje)./ Monitor/



© SYRI.net