SYRI TV/ Bujqësia në krizë, bie prodhimi kombëtar, Instat: në 2025, prodhimi u ul me 0.3%

13:43, 24/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prodhimi bujqësor ka shënuar rënie të ndjeshme vitin e kaluar, duke e thelluar më shumë krizën në këtë sektor kyç për ekonominë. INSTAT raporton se në vitin 2025 bujqësia uli rritjen ekonomike me 0.3 pikë përqindje. Prodhimet e kulturave si drithërat, drufrutorët dhe ullinjtë pësuan rënie. Disa nga faktorët kryesorë që ndikuan në rënien e prodhimit bujqësor janë kostot e larta dhe mungesa e subvencioneve nga shteti, ku shumë fermerë falimentuan dhe hoqën dorë nga sektori i bujqësisë.

Kostot e larta me të cilat përballen fermerët dhe mungesa e subvencioneve nga shteti, prej vitesh i kanë futur në vështirësi fermerët, ku një pjesë e tyre ka falimentuar dhe ka hequr dorë nga bujqësia. Kjo situatë ka sjellë pasoja serioze në sektorin e bujqësisë dhe në ekonominë vendase, e shoqëruar me ulje të sasisë së kultivimit të shumë produkteve ushqimore. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se në vitin 2025 bujqësia pati një kontribut negativ në rritjen ekonomike, duke ulur prodhimin me 0.3 pikë përqindje. Aktivitetet kryesore si serat, drufrutorët dhe ullinjtë kanë shënuar rënie të ndjeshme. Prodhimi bujqësor gjithsej arriti në 9.7 milionë tonë, por me ulje në disa kultura të rëndësishme. Drithërat u prodhuan në 623 mijë tonë, me Fierin si qarkun kryesor, ndërsa gruri pësoi rënie me mbi 10%. Në të kundërt, elbi shënoi rritje me 13.6%.

Perimet regjistruan një prodhim prej 1.4 milionë tonë, me një rritje të lehtë prej 1.5%, ku Fieri, Tirana dhe Berati përfaqësojnë mbi gjysmën e prodhimit kombëtar. Megjithatë, prodhimi në sera ra me 0.9%, duke ndikuar ndjeshëm në treg. Drufrutorët pësuan rënie me 12.8%, ku Korça mbetet kontribuuesi kryesor. Ullinjtë gjithashtu shënuan ulje me 2.3%, ndërsa agrumet arritën në rreth 59 mijë tonë, me Vlorën si zonën kryesore të prodhimit. Në këtë panoramë të zymtë, vetëm perimet e njoma dhe bimët medicinale shënuan rritje, duke treguar potencial për zhvillim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco