Pas bllokimit të aeroportit të Vlorës, për shkak të përplasjes mes dy aksionerëve, qeveria do të ndërhyjë për të zgjidhur situatën. Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se pavarësisht mosmarrëveshjeve private, shteti do të ndërhyjë sepse aeroporti është infrastrukturë strategjike, ndërsa paralajmëroi masa deri në anulimin e kontratës koncesionare.
Syri TV
Shteti do të ndërhyjë për të zgjidhur situatën, pas bllokimit të punimeve në Aeroportin e Vlorës, për shkak të përplasjeve mes dy kompanive ortake, që kanë marrë përsipër ndërtimin e këtij aeroporti.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi sot se shteti po përgatitet të ndërhyjë për të zgjidhur situatën, për shkak se aeroporti i Vlorës është infrastrukturë me rëndësi kombëtare, duke paralajmëruar madje edhe mundësinë e anulimit të kontratës.
Prej muajsh, dy aksionerët që kanë marrë kontratën për ndërtimin e aeroportit, Mabco Constructions S.A, e drejtuar nga Behgjet Pacolli, dhe 2A Group të Valon Ademi, janë përfshirë në një konflikt të ashpër sa i përket aksioneve dhe administrimit të aeroportit të Vlorës, ndërsa në ditët e fundit përplasjet u përshkallëzuan duke u zhvendosur edhe në kantierin e aeroportit, duke lënë pezull vënien në funksion të tij.
© SYRI.net