Ndërsa çmimi i naftës vijon të rritet, qytetarët shqiptarë duket se janë më të goditurit jo vetëm në rajon, por edhe në të gjithë botën. Edhe pse vendi ynë ka një nëntokë të pasur me naftë, një fakt i tillë duket se nuk ndikon aspak në përfitimet e qytetarëve. Për këtë arsye, “Piranjat” kanë bërë një analizë për të shpjeguar pse nafta në vendin tonë nuk përkthehet në përfitim për qytetarët, duke marrë si shembull rastin e “Bankers”, që shfrytëzon një prej fushave më të mëdha naftëmbajtëse në vend.
Ndërkohë që çmimi i naftës në botë, por sidomos në vendin tonë, vijon të rritet me ritme të larta, ata që e vuajnë më tepër janë qytetarët. Siç dihet, Shqipëria është një vend i pasur me “arin e zi”, por pavarësisht kësaj, shqiptarët janë ata që paguajnë më shtrenjtë jo vetëm në rajon, por edhe krahasuar me vendet e tjera të botës.
Por pse ndodh një kontradiktë e tillë në një vend që ka burime të shumta nafte? “Piranjat” kanë bërë një analizë të thelluar mbi atë që ndodh në vendin tonë. Nafta shqiptare vijon të mbetet një pasuri me shumë pikëpyetje për përfitimet që u ka sjellë qytetarëve.
Historia e kompanisë koncesionare Bankers Petroleum, e cila prej vitit 2004 shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës, nxjerr në pah dyshime të forta për humbje të mëdha financiare për buxhetin e shtetit. Sipas kontratës, fitimet nga nafta duhet të ndaheshin 50% me shtetin shqiptar, por auditimet kanë zbuluar se kompania ka deklaruar humbje përmes fryrjes së shpenzimeve, duke shmangur pagesën e tatimeve.
Institucionet shqiptare kanë llogaritur se vetëm për disa vite, detyrimet e papaguara arrijnë në dhjetëra miliona euro, ndërsa në total, humbjet potenciale për buxhetin mund të shkojnë deri në 1 miliard euro përgjatë dy dekadave.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Fierit dhe SPAK hedhin dyshime edhe për skema të tjera, si transferimi i fitimeve në kompani offshore për të shmangur taksat në Shqipëri, si dhe përfshirje në tregtimin e naftës pa akcizë dhe me cilësi të ulët.
Një tjetër përplasje lidhet me mos pagesën e akcizës për të ashtuquajturin “hollues”, ku autoritetet doganore i vendosën kompanisë një detyrim dhe gjobë që në total arrinin në rreth 120 milionë euro. Por procesi u zvarrit për vite me radhë në gjykata dhe u pezullua me vendim të Ministrisë së Financave, të drejtuar nga Anila Denaj.
Edhe pse në vitin 2022 Gjykata e Lartë i dha të drejtë shtetit shqiptar, detyrimet nuk u arkëtuan për vite të tëra. Vetëm në vitin 2025 u urdhërua mbledhja e tyre, ndërsa edhe sot një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave mbetet ende e pambledhur, mes pretendimeve për parashkrim të detyrimit.
Rasti i Bankers Petroleum shihet si një shembull i qartë i problematikave në menaxhimin e pasurive natyrore në vend, ku përfitimet për qytetarët mbeten të diskutueshme, ndërsa miliona euro dyshohet se kanë dalë jashtë sistemit fiskal shqiptar.
© SYRI.net