‘Universitetet në krizë’/ Eni Kasmi: Studentët humbasin vite pa e ditur çfarë duan

21:23, 25/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertja e punësimit dhe burimeve njerëzore, Eni Kasmi, e ftuar në emisionin ‘Kush Paguan’ me moderatoren Klaudja Karabolli në Syri TV, u shpreh kritike ndaj funksionimit aktual të universiteteve në vend.

Sipas saj, universitetet ndodhen në një gjendje stanjacioni dhe nuk po ofrojnë zhvillimin e nevojshëm për studentët. Kasmi theksoi se institucionet e arsimit të lartë nuk po luajnë rolin e duhur udhëzues për të rinjtë, sidomos në lidhje me orientimin drejt tregut të punës.

Një nga problemet kryesore që evidenton ekspertja është mungesa e bashkëpunimit mes universiteteve dhe sektorit privat apo shtetit, çka ndikon drejtpërdrejt në mungesën e praktikave profesionale për studentët.

Kasmi solli në vëmendje edhe rëndësinë e ekspozimit të hershëm të studentëve ndaj profesionit që zgjedhin. Sipas saj, kjo do t’i ndihmonte ata të kuptonin që në vitin e parë nëse janë në drejtimin e duhur apo jo.

Në të kundërt, sipas ekspertes, shumë të rinj rrezikojnë të humbasin vite të tëra studimi në një degë që nuk e dëshirojnë, duke përfunduar më pas në një situatë të vështirë në tregun e punës dhe të pakënaqur profesionalisht.

‘Unë mendoj që universitetet janë në stanjacion. Domethënë, nuk është se ka ndonjë zhvillim të caktuar. Pra, ajo që bëjnë universitetet, unë kam marrë pjesë edhe në universitete, kështu të hapura, jo në orë të hapura në universitete, nuk është se japin ndonjë gjë, nuk janë udhëzues shumë të mirë.

Pra, atyre u mungon ajo marrëveshja me privatin apo edhe me shtetin, që të bëjnë këto praktikat mësimore të studentët. Dhe nëse ti këta studentë nuk i përball në tregun e punës, po them, një muaj në vit, ata nuk do të bëhen kurrë të aftë.

Dhe një universitet privat, për shembull, e ka shumë më të thjeshtë për ta bërë sesa universiteti shtetëror, që do të duhet disa miratime të njëpasnjëshme nga ministritë për të arritur këtu. Kurse një universitet privat e ka shumë të kollajshme.

Pra, nëse ne këta studentë i përballim me tregun e punës, sepse vetë studentët punojnë gjatë kohës që ata janë në shkollë, kërkojnë punë, bëjnë punë të ndryshme, përballen me tregun e punës, dinë çfarë bëjnë.

Por në momentin që përballen edhe me atë çka ata po studiojnë, ata do ta kuptojnë që në vitin e parë bëjnë apo nuk bëjnë për atë.

Për shembull, një person ose një student i cili do të vijë në Tiranë dhe do të studiojë për teknologji informacioni.

Nëse ti e vë që në vitin e parë, sepse e ka dërguar mami apo babi, kanë pasur vizion për ta dërguar dhe ai nuk ka dashur, ka dashur të bëhet mjek apo ka dashur të bëhet arkitekt, në vitin e parë ai e kupton bën apo nuk bën për tregun e punës, i pëlqen kjo gjë apo nuk i pëlqen kjo gjë.

Dhe kjo gjë duhet të bëhet urgjentisht edhe nga universitetet shtetërore dhe nuk humbim kohë. Ai mund të ndërrojë degë dhe ka humbur vetëm një vit.

Kurse kështu ai humb pesë vjet pa e kuptuar dhe pastaj futet në një ngërç. Pra, nuk po them shumica, por po them që ka studentë apo të punësuar që janë në ngërç, sepse nuk kanë studiuar atë që kanë dashur, nuk bëjnë atë që kanë dashur dhe automatikisht nuk janë punonjës të lumtur.’, u shpreh ekspertja Eni Kasmi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco