Pavarësisht tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe rritjes së fortë të çmimeve të naftës, leku shqiptar vijon të forcohet ndjeshëm ndaj valutave kryesore, duke sfiduar çdo pritshmëri për presion inflacionist apo dobësim të kursit të këmbimit.
Sipas kursit zyrtar të Banka e Shqipërisë, euro është këmbyer sot me 95.92 lekë, niveli më i ulët historik i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit, euro ka humbur rreth 0.9% ndaj lekut, ndërsa në krahasim me një vit më parë rënia arrin në rreth 3%.
Forcimi i vazhdueshëm i monedhës vendase vjen në një moment kur kriza në Lindjen e Mesme, e lidhur me konfliktin Iran–SHBA, ka tronditur tregjet globale dhe ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë. Megjithatë, ndryshe nga sa ndodhi në krizën inflacioniste të vitit 2022, këtë herë kursi i këmbimit nuk ka reflektuar asnjë luhatje të ndjeshme, por përkundrazi ka vijuar trendin forcues.
Sipas agjentëve të tregut valutor, oferta e euros në tregun vendas mbetet e lartë, madje në nivele jo tipike për tremujorin e parë të vitit. Kjo situatë, e kombinuar me politikën fiskale shtrënguese dhe suficitet buxhetore, ka krijuar kushte për një mbivlerësim të mëtejshëm të lekut.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë vijon ndërhyrjet në treg përmes blerjes së euros, por këto ndërhyrje duket se vetëm po ngadalësojnë rënien e saj, pa arritur ta ndalin trendin.
Nga ana tjetër, kriza energjetike ka nisur të ndihet në tregun vendas përmes rritjes së çmimeve të karburanteve, të cilat janë shtrenjtuar me rreth 25% krahasuar me periudhën para krizës. Qeveria ka paralajmëruar masa ndërhyrëse, përfshirë uljen e akcizës dhe rikthimin e mekanizmave të kontrollit të çmimeve.
Megjithatë, deri më tani, rritja e çmimeve të naftës nuk është reflektuar në zinxhirin e plotë të mallrave dhe shërbimeve. Nëse trendi i shtrenjtimit vijon, presioni inflacionist pritet të bëhet i pashmangshëm.
Pavarësisht këtyre rreziqeve, tregu financiar shqiptar nuk po reflekton shqetësim. Normat e interesit dhe yield-et e titujve qeveritarë mbeten në nivele të ulëta, ndërsa leku vazhdon të forcohet.
Ekspertët paralajmërojnë se në rast të një përshkallëzimi të krizës globale dhe rritjes së inflacionit, ekonomia shqiptare mund të përballet me presion në bilancin e pagesave, çka teorikisht do të sillte dobësim të lekut. Por, siç u pa edhe në vitin 2022, prurjet e larta valutore mund të neutralizojnë këto efekte, duke mbajtur monedhën vendase të fortë edhe në kushte krize.

© SYRI.net