Çmimi i karburanteve në Shqipëri mbetet një enigmë për qytetarët, duke qëndruar në nivele të larta edhe në kohën kur dollari dhe euro kanë pësuar rënie të ndjeshme. I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', eksperti Bardhi Sejdarasi ka analizuar faktorët që mbajnë çmimet artificialisht të larta, duke drejtuar gishtin nga vendimet e qeverisë dhe menaxhimi joefektiv i tregut.
Sipas ekspertit, mekanizmi i vetëm real për të ulur çmimin në pikat e karburantit në kushtet e një krize është ndërhyrja fiskale, siç është heqja e përkohshme e akcizës, një masë që vende si Italia e kanë aplikuar.
Eksperti sqaron se rezerva strategjike, për të cilën zyrtarët kanë folur së fundmi, nuk ka asnjë ndikim në çmimin e përditshëm në pompë.
Kjo rezervë është menduar vetëm për situata ekstreme kombëtare, siç është një ndërprerje totale e furnizimit.
Ajo që ndikon në treg është rezerva tregtare, të cilën kompanitë duhet ta mbajnë për 90 ditë.
Theksohet se ligji për rezervën strategjike u miratua me 10 vite vonesë nga kërkesa fillestare e Bashkimit Evropian.
Eksperti kritikoi edhe efektivitetin e Task-Forcës së ngritur nga qeveria për të kontrolluar tregun.
Rezultatet e saj u cilësuan si "qesharake", pasi zbulimet kryesore ishin raste të shitjes së karburantit pa faturë apo punonjës të paregjistruar, probleme administrative të përditshme që duhet të trajtohen nga administrata tatimore dhe jo nga një strukturë speciale.
Sipas tij, kjo Task-Forcë nuk pati asnjë ndikim në uljen e çmimit. Paradoksi më i madh mbetet fakti që çmimi i naftës, i cili qëndroi i ngrirë për një kohë të gjatë në rreth 175 lekë, nuk reflektoi rënien me 15-20% të kursit të dollarit, monedhë me të cilën kuotohet nafta në tregjet ndërkombëtare.
Kjo mosreagim i tregut vendas tregon për një problem të thellë në menaxhimin dhe administrimin fiskal, duke lënë të kuptohet se diferenca e përfituar nga rënia e monedhës nuk është transferuar te konsumatori, por është mbajtur nga operatorët e tregut.
Gjithashtu, vihet në dukje se rritja e çmimeve në fillim të luftës në Ukrainë ishte spekulative, pasi ndodhi përpara se në vend të mbërrinin ngarkesa të reja me kosto më të lartë.
Deklarata e plotë:
“Në dijeninë time, bordi ka mbajtur të njëjtën strukturë që ka patur në vitin 2022, pra, tani nuk mund të kesh më shumë sesa arritje çmimi me 3 ALL për kompanitë e shumicës dhe me 12 ALL për kompanitë e pakicës.
Por nuk gjykoj që është kjo, sepse tregu është i tillë që ti je i detyruar, pavarësisht nga sanksionet që mund të vendosësh, është i tillë që kërkesë-oferta është ajo që funksionon në treg.
Merrni herë për shembull vendet rrotull nesh, Italia mbrëmë pikërisht mori vendimin që nuk do të ketë për 30 ditë akcizë, fjala vjen.
Shtetet rrotull nesh kanë po të njëjtën gjë. Pra, ajo që mund të ndikojë në një ulje të çmimit në kushtet e krizës, është pikërisht ndërhyrja në sistemin fiskal, që qeveria shqiptare e ka përjashtuar.
Sigurisht, qeveria shqiptare, me sa dëgjuam nga kryeministri, e ka përjashtuar ndërhyrjen në sistem fiskal.
Dhe ka gjykuar atë që thatë ju që në fillim që bizneset do sillen mirë, do jenë të dalluar dhe nuk do ta rrisin çmimin. Po kjo nuk ndodh.
Nuk ndodh për arsye sepse është një treg. Në një treg, çdokush del për të fituar, nuk del për të humbur. Dhe unë e di që sot është mjaft e vështirë për të fituar me këtë çmim që ke.
Arsyeja është e thjeshtë sepse arsyeja lidhet me shumë faktorë. Një nga faktorët është siç ju thashë sistemi fiskal, faktori i dytë është një nga tre sëmundjet që bëjmë ne midis rezervës tregtare dhe rezervës strategjike.
Kryeministri ka folur kohët e fundit për rezervën strategjike. Ka folur me 17 vjet vonesë.
Para 17 vjetësh, Bashkimi Europian i kërkoi qeverisë shqiptare që të siguronte që në atë kohë rezerva strategjike të bënte ligjin.
Ligji u bë jo në 2009, po u bë në 2019. Pra 10 vjet më pas u bë ligji. U zhduk mbas 2019-ës dhe u hodh prapë në qarkullim në 2025-ën.
Vetëm duhet të kemi një gjë parasysh që mos e ngatërrojmë si gazetarë. Rezerva strategjike nuk është një rezervë nafte që ndikon te çmimi, pra që është faktor çmimi, që ti mund ta futësh atë rezervë strategjike dhe të thuash do ulet çmimi kaq. Jo. Kjo është rezerva tregtare që i kanë bizneset sot për 90 ditë.
Rezerva strategjike është një rezervë që duhet ta menaxhojë qeveria shqiptare, e cila ndikon në momentin kur nuk ke më treg, kur kufizohen furnizimet dhe kur s'ke fare furnizim.
Mendojeni sot për shembull që asnjëra anije nga këto që u përmenda pak më para të mos vinte në portin e Durrësit, në Porto Romano. Çfarë do të konsumonin shqiptarët? Çfarë do konsumonim ne? Absolutisht.
Prandaj në tërë botën, ju e keni rezervat strategjike i hodhi Organizata Botërore e Energjisë, 400 milionë fuçi. Kjo ishte rezerva strategjike, për herë të parë nuk kishte ndodhur ndonjëherë, ndodhi këtë vit.
Pra rezerva strategjike është një element që nuk lidhet me çmimin, që nuk ndikon te çmimi dhe që nuk favorizon këtë që kërkojmë sot ne, të ulim çmimin. Ajo është një siguri strategjike, kombëtare që ti nesër të mos ngresh duart dhe të thuash që tani në Shqipëri nuk ka më naftë se nuk na furnizon asnjë.
© SYRI.net