Mes shqetësimeve për prodhimin e këtij viti, fermerët tashmë kanë nisur korrjen e misrit, një nga kulturat më të rëndësishme për bujqësinë shqiptare, pasi misri, prej vitesh përbën një zë të rëndësishëm për industrinë ushqimore dhe sektorin e blegtorisë.
Fermeri Zef Ndoka është një nga më të njohurit në zonën e Nënshkodrës për kultivimin e misrit. Ai thotë se ky vit ishte i vështirë për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, një fenomen që po vazhdon prej disa vitesh dhe po ndikon në uljen e interesit të fermerëve për kultivimin e kësaj kulture bujqësore.
Fermeri Kujtim Garupi, nga fshati Kosmaçë i bashkisë Vau Dejës, thotë se sapo ka nisur korrjen e misrit dhe është i kënaqur me prodhimin, pasi në dynymin e parë të korrur deri tani mori një sasi prej 12 kuintal e 50 kilogram.
Por ai është i shqetësuar për situatën në treg, pasi, sipas tij, po importohet misër nga rajoni me çmime më të ulëta se kostoja e prodhimit.
Si Zefi ashtu edhe Kujtimi nuk përfituan këtë vit nga subvencionet shtetërore në bujqësi, megjithëse e vlerësojnë si shumë të nevojshëm, pasi kostot e prodhimit në bujqësi janë rritur, ndërsa tregu është i ulët, ç’ka, sipas tyre, po shton rrezikun që toka të mbetet pa punuar.
Specialisti i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, profesor Kostandin Hajkoja, thotë se këtë vit në Shqipëri u mbollën rreth 60 mijë hektarë me misër, por kushtet atmosferike nuk ishin të favorshme dhe kjo ndikoi në uljen e rendimentit.
“Këtë vit misri pati shumë probleme për arsye të klimës, thatësira e tejzgjatur dhe temperaturat shumë të larta. Kanë qenë 3-4 gradë më shumë se mesatarja shumëvjeçare. Kjo ka sjellë probleme edhe me mbushjen e kallirit dhe peshën e kokrrës. Në pjesën më të madhe të tokave pa ujë rendimenti nuk i kalon 4 ton për hektarë”, tregon ai.
Edhe në rajon, thotë profesor Hajkoja, këtë vit pati kushte klimatike jo të favorshme për kultivimin e misrit, ç’ka pritet të ndikojë edhe në tregun rajonal të kësaj kulture të rëndësishme si për blegtorinë, ashtu edhe industrinë ushqimore.
“Edhe në rajon është e njëjta situate. Parashikohet rreth 30-40 përqind më pak prodhim këtë vit. Parashikohet një rritje e shpejtë e çmimit, pasi këto vende kanë edhe klauzolat e veta që nuk lejojnë të eksportohet misër nga vendet e tyre”.
Sipas profesor Hajkojës, Shqipëria këtë vit pritet të plotësojë rreth 80 përqind të nevojave të saj për misër, ndërkohë që vitin e kaluar, për herë të parë pas 30 viteve, nevojat e vendit për misër u plotësuan në masën 100 përqind.
Shqipëria konsumon rreth 500 mijë ton misër në vit për nevojat e blegtorisë dhe për industrinë ushqimore, por kjo shifër po shënon rritje nga viti në vit për shkak të rritjes së konsumit ushqimor nga numri i lartë i turistëve që vizitojnë vendin./ VOA/
© SYRI.net