Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte bazë të produkteve të konsumit, ishte i ulët në korrik, në 2.1%, por disa shërbime e mallra të domosdoshme për stinën e verës kanë shënuar rritjen më të lartë.
INSTAT bëri të ditur se janë dy produkte e shërbimeve që janë shtrenjtuar më shumë në korrik.
Në vend të parë janë kondicionerët, që në kulmin e vapës u shtrenjtuan me 7.1% në korrik. Kjo është rritja e dytë më e lartë e këtij produkti në dekadat e fundit, pas asaj të shkurtit të vitit 2023.
Shërbimi tjetër që po njeh rritje të vazhdueshme është ai i akomodimit në hotele. Në korrik, çmimet në hotele, sipas INSTAT u shtrenjtuan mesatarisht 5.4%.
Që nga viti 2018, kur filloi dhe interesi i turistëve për Shqipërinë dhe agjencitë turistike nisën të sillnin turistë të organizuar, çmimet e hoteleve kanë pasur tendencë rritëse.
Kjo tendencë ishte sidomos e fortë këtë sezon, kryesisht në hotelet e Jugut, e nxitur si nga kërkesa e lartë në muajt e parë të vitit ashtu dhe shtrenjtimi i kostove të punonjësve e rënia e euros, që uli të ardhurat në lekë të strukturave akomoduese.
Sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, akomodimi në hotel në këtë sezon veror në Shqipëri është bërë më i shtrenjtë, sidomos në Jug. Çmimet e hoteleve kanë shënuar rritje mes 5-90%.
Tur-operatorët pohojnë se një hotel me çmim mesatarisht të ulët mund ta gjesh në nivelet e 50 eurove në Vlorë, me një rritje prej 25% në raport me një vit më parë.
Kurse strukturat me çmime mesatarisht të larta variojnë në 250 euro me mëngjes. Edhe për këto struktura, rritja është po me 25% në raport me një vit më parë. Më në Jug, pasi kalon Llogoranë ku ndodhet Palasa, epiqendra janë vilat turistike.
Këto të fundit mund të sigurohen për një çmim 350 euro nata për ato me 2 dhoma gjumi deri në 1000 apo 1500 euro nata për ato me katër dhoma gjumi dhe lehtësi të tjera.
Çmimet në këtë zonë duket se kanë mbetur të njëjta në raport me një vit më parë për vilat e vogla dhe kanë shënuar rritje për ato me kapacitet akomodues më të lartë.
Në Dhërmi duket se rritja është edhe më e dukshme. Në vitin 2023, një dhomë dyshe kushtonte 60 euro.
Ndërsa sot, çmimi minimal që mund të gjesh për një hotel është 85 euro, pra me një rritje 42%, teksa për hotelet e segmentit më luksoz (jo më të shtrenjtët), mesatarja e hoteleve të shtrenjta rezulton në 300 euro me mëngjes apo një rritje me 50%, në raport me një vit më parë.
Në Jal ende numri i strukturave akomoduese hoteliere është i kufizuar ndaj referencë përgjithësisht kanë shërbyer vilat në një prej plazheve më të frekuentuara ku për një natë kostoja është 350 euro me rritje prej 16%.
Në Himarë ka gjithashtu rritje të çmimeve për hotelet mesatare të ulët, të cilët nga 45 euro që ishin vitin e shkuar kanë shkuar në 80 euro, kurse çmimet mesatare të larta janë rritur me 12.5%./MONITOR
© SYRI.net