VIDEO SYRI TV/ ‘Boom-i’ i blerjeve të banesave në rënie, tkurren transaksionet e pasurive të paluajtshme

13:13, 10/07/2024
A+ Aa A-

Transaksionet e pasurive të paluajtshme në vendin tonë po pësojnë tkurrje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm.

Nga SYRI TV

Rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, teksa transaksionet e shitblerjeve në vend arritën gati 360 milionë euro në periudhën janar-mars, tregojnë të dhënat e INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Sipas këtyre të dhënave aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me 5.9% me bazë vjetore në tremujorin e parë të këtij viti. Ritmet e rritjes janë përgjysmuar në krahasim me 2023, kur kulmuan në 11.3%, niveli më i lartë në të paktën një dekadë.

Në një artikull të Monitor nënvizohet se ndryshe nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme, sektori i ndërtimit ka vijuar rritjen e fortë, duke sinjalizuar për herë të parë në dy vitet e fundit për mospërputhje të kërkesës me ofertën. Ndërtimi u rrit me 14% në janar-mars 2024, nga 9.8% që ishte zgjerimi vitin e kaluar.

Ndërsa kërkesa duket se është në rënie, oferta do të vazhdojë rritjen. Më herët, edhe ndërtuesit kanë pohuar se tregu po shfaq shenja ngadalësimi në kahun e porosive.

Edhe anketa e besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë në qershor, tregoi se sektori i ndërtimit nuk është optimist për të katërtin muaj radhazi. Madje në prill– qershor, balanca është kthyer në negative dhe bizneset presin më pak porosi.

Në vitin 2023, sipas INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të shitblerjeve të regjistruar ndonjëherë. Në vitin 2022 dhe 2023, aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me shpejtësi, me përkatësisht 11.2 dhe 11.3%, ritmet më të larta nga të gjithë sektorët e tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco