Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët, tubim në mbështetje të liderit të opozitës Sali Berisha

Bie propaganda e Ramës për turizmin/ Ngecin pagat dhe punësimet në vend

Bie propaganda e Ramës për turizmin/ Ngecin pagat dhe punësimet në vend

09:24, 13/06/2024
A+ Aa A-

Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara të mërkurën tregojnë se rritja e pagave është ndalur ndërsa rritja e punësimit është ngadalësuar gjatë tremujorit të parë të këtij viti, lajme këto të ndryshme nga pretendimet e qeverisë për rritje të fuqishme në sektorin e turizmit.

BIRN

Punësimi në ekonominë shqiptare u rrit me vetëm 1.1% në tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur Instituti i Statistikave në publikimin e të dhënave administrative mbi tregun e punës. Ky është ritmi më i ulët i  rritjes së punësimit që nga koha e pandemisë së Covid-19 gati katër vjet më parë.

Gjatë tremujorit të parë në Shqipëri rezultuan të punësuar 733 mijë vetë sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave. Nga këto, afro 182 mijë vetë janë të punësuar në sektorin publik, ku përfshihet qeveria qendrore, qeveria vendore dhe korporatat nën pronësi publike, ndërsa gati 552 mijë vetë janë të punësuar në sektorin privat.

Punësimi në Shqipëri është rritur gjatë tre viteve të fundit me mesatarisht 1.9% në vit, duke reflektuar rritjen ekonomike që ka variuar në 3 apo 3.5% në vit.

Krahasimisht me ecurinë e ngadaltë të punësimit, të dhënat mbi pagat treguan se pagat pësuan rënie në masën 1.8% në tremujorin e parë, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Në bazë vjetore, pagat vijojnë të jenë me rritje në masën 13.8% por kjo rritje është ndikuar nga rritja e pagës minimale dhe nuk dihet se sa reale është për xhepat e punëtorëve.

Paga mesatare në ekonomi ishte në masën 73,641 lekë bruto. Në këtë shifër përfshihet pagesa e sigurimeve shoqërore nga ana e punëmarrësit si dhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale. Rreth 45% e popullsisë me pagë e kanë pagën bruto 50 mijë lekë ose më pak ndërsa 36% e kanë mes 50 mijë dhe 95 mijë lekë. Rreth 18% e popullsisë kanë paga më të larta se 95 mijë lekë.

Të dhënat e punësimit dhe të pagave ne Shqipëri zakonisht merren me rezerva për shkak të shkallës së lartë të informalitetit në formën e punësimit në të zezë apo në formën e mosdeklarimit të pagave reale për të ulur kostot e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Punësimi dhe pagat zakonisht rriten sa gjysma e rritjes ekonomike, e cila në Shqipëri, përgjatë dekadës së fundit ka qenë në nivele të ulëta prej 2, 3 apo 4%. Kur rritja ekonomike është 4%, zakonisht ajo ndahet përgjysmë, 2% për pagesën e pagave të punëtorëve të rinj të shtuar dhe 2% për rritje pagash apo rritje fitimesh.

Suksesi i pretenduar i qeverisë për rritje stratosferike në numrin e udhëtarëve dhe turistëve të huaj në vend duket se nuk reflektohet në shifrat e rritjes së punësimit apo të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo për faktin se turizmi përbën një pjesë të vogël të ekonomisë kombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco