Sektori i prodhimit në krizë, bien importet e makinerive dhe pajisjeve

Sektori i prodhimit në krizë, bien importet e makinerive dhe pajisjeve

09:33, 22/05/2024
A+ Aa A-

Dobësitë që po kalon sektori i prodhimit po reflektohen në rënien e eksporteve, por po tregojnë se kriza do të jetë me afat të gjatë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë se importet e grupit “makineri dhe pajisje” shënuan rënie vjetore me 1 % në katërmujorin e parë të vitit 2024 në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Ky grup lidhet me investimet kryesisht në sektorin prodhues. Në importet e këtij grupi, rritja sinjalizon se edhe prodhimi rritet, në të kundërt ulja tregon se biznesi prodhues po kalon një periudhë të vështirë.

Në katërmujorin e parë të vitit 2024, importet e grupit “makineri dhe pajisje” shënuan 19,7 miliardë lekë, nga 22,9 miliardë lekë në janar-prill 2023, me rënie 14%.

Vitin e kaluar, ekonomia përshpejtoi zhvendosjen nga sektori i prodhimit te shërbimet. Rënia e euros, rritja e pagës minimale, kërkesa e dobët nga jashtë po çojnë në faliment shumë fabrika, teksa ekonomia jonë po rrit varësinë nga importet.

Gjatë 2023, industria shënoi rënie me 8.2%, më e madhja nga viti 2020, kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19. Nga ana tjetër, u vu re një rritje e sektorit të shërbimeve për shkak të fluksit të lartë të turistëve.

Por ekspertë të ekonomisë dhe bizneset mendojnë se orientimi i ekonomisë nga prodhimi te shërbimet nuk është një hap i sigurt dhe i qëndrueshëm.

INSTAT raportoi se në vitin 2022, numri i bizneseve që kanë aktivitet kryesor akomodimin ka ardhur në rritje, me zgjerim vjetor 23%. Të dhëna treguan se hotelet dhe restorantet kontribuuan në 5.3% të totalit të punësimit me pagesë në rang vendi, me të njëjtën peshë si më 2021.

Në kahun tjetër, industria është në një situatë të vështirë, teksa po humb avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore dhe po goditet nga zhvlerësimi i euros.

Ekspertët dhe bizneset e sektorit lajmërojnë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.

Zhvendosja e ekonomisë nga prodhimi tek importi do t’i sjellë vendit pasoja negative afatgjata, thotë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, i cili gjithashtu operon në sektorin e agro-përpunimit.

Ai thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e produkteve “Made in Albania”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco