OECD: Ndërtuesit duhet të paguajnë taksa për burimet natyrore, po dëmtojnë mjedisin

OECD: Ndërtuesit duhet të paguajnë taksa për burimet natyrore, po dëmtojnë mjedisin

12:43, 22/04/2024
A+ Aa A-

Sektori i ndërtimit ka marrë vrull vitet e fundit në Shqipëri, por Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) thotë se qeveria e Shqipërisë duhet të aplikojë taksa ndaj ndërtuesve që përdorin burimet natyrore, të tilla si gurë, zhavorr ose rërë. Në këtë mënyrë, do të nxitet përdorimi materialeve dytësore ose alternative.

Në një studim për mundësitë e zhvillimit të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, OECD evidentoi se sektori i ndërtimit ka shënuar rritje fortë vitet e fundit, nxitur nga zhvillimi i infrastrukturës dhe banesave. Shqipëria mund të konsiderojë vendosjen e një takse ndaj përdorimit të burimeve natyrore, duke ndjekur shembullin e shumë shteteve anëtare të BE-së, sugjeron OECD.

Tarifat e burimeve mund të konsiderohen edhe për minierat, të cilat duhet të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të kostove të trajtimit të mbetjeve. Shembuj të mirë mbeten Danimarka, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, ku taksat e vendosura mbi burimet kanë kontribuar në një reduktim të përdorimit të materialeve parësore.

Në periudhën afatmesme, OECD sugjeroi futjen e taksës turistike, si kosto shtesë që i krijohen mjedisit nga zhvillimet në turizëm.

Paralelisht nevojiten politika shtesë, që stimulojnë riciklimin. Një pjesë e taksave ndaj burimeve mund të mbështesin riciklimin me subvencione, sugjeron OECD.

Taksat mbi mjedisin ofrojnë qasje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve, në mbrojtjen e mjedisit dhe shpërndarjen e barabartë të përfitimeve.

Shqipëria amendoi Ligjin e tij për Menaxhimin e Mbetjeve për të ndaluar përdorimin e disa kategorive të qeseve plastike në mars 2022, por aktualisht nuk ka taksë për disa materiale plastike, siç janë ambalazhet plastike të pariciklueshme. Një taksë e tillë mund të mbështesë përdorimin e plastikës së ricikluar në një gamë të gjerë të produkteve të paketimit plastik, vë në dukje OECD.

OECD rekomandon se instrumente ekonomike, të tilla si taksat mund të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të ekonomisë rrethore me një kosto më të ulët që nxit njëkohësisht edhe inovacionin.

Përveç taksave OECD vë në dukje se Shqipëria duhet të përdorë kritereve të prokurimit publik të gjelbër ndaj kompanive që kontrakton për punë publike dhe për shërbime./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco