Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Pse po sulmohen mediat nga mazhoranca socialiste?

Biznesi i preferuar i shqiptarëve, baret dhe restorantet, me rritje të fortë: 650 mln euro të ardhura

Biznesi i preferuar i shqiptarëve, baret dhe restorantet, me rritje të fortë: 650 mln euro të ardhura

07:13, 22/04/2024
A+ Aa A-

Biznesi më i preferuar i shqiptarëve, që nga fillimi i viteve ’90, ai i bareve e restoranteve, e ka marrë sërish veten në vitin 2022, pas rënies që pësoi në periudhën e pandemisë.

Të dhënat e fundit të INSTAT bënë të ditur se në vitin 2022, aktiviteti i pijeve dhe shërbimit ushqimor regjistroi të ardhura prej 69 miliardë lekësh (rreth 650 milionë euro), me një rritje të fortë prej 47% në krahasim me vitin e mëparshëm. Këto të ardhura janë në fakt shpenzimet e klientëve vendas e të huaj për bare e restorante në vend.

Ky është niveli më i lartë i të ardhurave të regjistruara ndonjëherë. Rritja e çmimeve në bare e restorante është një nga arsyet që ka ndikuar. Sipas INSTAT, në 2022, çmimet në bare e restorante shënuan rritjen më të lartë në 15 vjet ndonëse me ritme të ngadalësuara tendenca vazhdoi edhe në 2023.

Ndërsa emigracioni i popullsisë, sidomos i të rinjve, ka ndikuar në frekuentimin e bareve nga vendasit, këta janë kompensuar nga turistët. Të dhënat e INSTAT treguan se në 2022, vendin e vizituan mbi 7 milionë shtetas të huaj dhe në 2023, shifra arriti në 10 milionë.

Ndonëse të huajt që vijnë në Shqipëri janë përgjithësisht me çanta shpine që konsumojnë pak, sërish ata i gjen rëndom në bare e restorante në zonat kryesore turistike të vendit e në kryeqytet.

Numri i bareve u rrit për herë të parë që nga 2016-a

Biznesi i bareve e restoranteve arriti kulmin në 2016, kur numri i tyre arriti në gati 19 mijë. Më pas u shënua një rënie e vazhdueshme në linjë me ciklin e ri të emigracionit, që uli frekuentimin e tyre, por dhe me krijimin e linjave më të mëdha të bareve, që konkurruan kafenetë e vogla. Në 2021, numri i bareve e restoranteve zbriti në 14.7 mijë, niveli më i ulët që nga 2013-a.

Por, në 2022 u shënua dhe një rritje e numrit të bareve e restoranteve për herë të parë që nga 2016-a. Numri i tyre u rrit me 4%, duke arritur në 15.3 mijë, nga 113 mijë që është total i ndërmarrjeve në vend.

Rekord në Europë

Përgjithesisht baret e restorantet në shtetet e Europës janë të përqendruara në rrugicat e zonave turistike. Në asnjë vend të Europës nuk gjen kaq shumë bare e restorante në çdo lagje apo rrugë sa tek ne.

Numri i lartë i kafeneve që ka Shqipëria reflektohet dhe në krahasimin e strukturës së bizneseve në Europë.

Të dhënat e Eurostat, të përpunuara nga Monitor tregojnë se mesatarisht vetëm 4.8% e totalit të bizneseve ushtrojnë aktivitetin e pijeve dhe shërbimit ushqimor. Të dhënat janë për vitin 2022. Në Shqipëri, sipas INSTAT aktivitetet e pijeve e shërbimit ushqimor zënë 13.5% të totalit, që është më e larta në Europë.

Pas Shqipërisë renditet Bosnjë-Hercegovina, me 11.3%, e ndjekur nga Zvicra me 8.9%, Greqia 8.5%, Serbia 8.4%.

Spanja dhe Italia, që janë dy shtetet ndër më turistike të Europës, kanë përkatësisht 7.8 dhe 5.9% të bizneseve të përqendruar në aktivitetin e pijeve e shërbimit ushqimor.

Shtetet që u kushtojnë më pak “vëmendje” biznesit të kafeneve janë Norvegjia (2.2%), Polonia (2.2%), Estonia (2.1%)./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco